TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

Milorad Djokovic, Peja'nın Ozdrim kentinde savaş suçlarından 10 yıl hapis cezasına çarptırıldı.

Milorad Djokovic

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 vjet burgim Millorad Gjokoviqin, i akuzuar për krime lufte në fshatin Ozdrim të Pejës. Gjokoviq i njohur si “Mici”, akuzohet se si polic rezervë në bashkëkryerje me persona të tjerë, bastisën, rrahën, maltretuan dhe arrestuan me dhjetëra civilë shqiptarë. Vendimin e Themelores nuk e mirëpritën dëshmitarë të rastit

Me 10 vjet burgim e ka dënuar Gjykata Themelore në Prishtinë, Millorad Gjokoviqin i njohur si “Mici”, për krime lufte në Ozdrim të Pejës.

Ai akuzohet se si polic rezervë i Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, bastisën, rrahën, maltretuan dhe arrestuan me dhjetëra civilë shqiptarë.

Ky grup, sipas organit të akuzës, arrestoi po ashtu 40 civilë shqiptarë dhe i dërgoi në një garazh që gjendej në afërsi të nënstacionit policor në Ozdrim, tek e ashtuquajtura Shupa e Shemit dhe aty i mbajti për rreth 3 ditë në kushte mizore.

“I akuzuari me persona të tjerë, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ashtu që në orët e mbrëmjes 12 persona i kanë liruar, ndërsa persona të tjerë i kanë transportuar për në Pejë, në një shtëpi private ku ka qenë komanda e policisë serbe, i trajtuan në mënyrë çnjerëzore e më pas i dërguan në burgun në Serbi. Me këto veprime ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’. Andaj, Gjykata e gjykon me dënim në kohëzgjatje me 10 vjet burgim”, ka thënë Donikë Shala-Avdyli, kryetare e trupit gjykues.

Ajo ka dhënë edhe arsyetimin për lartësinë e dënimit, pasi tha se ai nuk ka marrë pjesë në vrasje.

“Provat e administruara në shqyrtim gjyqësor nuk kanë arritur të dëshmojnë përtej çdo dyshimi të bazuar se i akuzuari ka marrë pjesë në vrasje të civilëve. Po ashtu, provat e administruara nuk dëshmojnë se i akuzuari ka organizuar, urdhëruar për dëbimin e civilëve”, ka thënë Shala-Avdyli.

Vendimin e Themelores nuk e mirëpritën dëshmitarët e këtij procesi gjyqësor, të cilët paralajmëruan ankesë.

“Familjes Krasniqi, Shala, Morina, Gashi, Husaj, ku janë vëllezërit këtu, u shpreh ngushëllime. Asnjë nga këto nuk u përmenden aty në këtë akuzë, vetëm 40 persona, të cilët kanë qenë të burgosur, të maltretuar, ndërsa për vrasje asnjë, asnjë ditë dënim drejtësia, gjykata nuk e dha. Nuk e di çfarë dënim është ky. Qesharake, ku është drejtësia? Ku janë vrasjet? Ku janë kufomat? I kemi bërë obduksionet e tyre”, k athënë dëshmitari Halit Gashi.

Por, në Prokurorinë Speciale kanë mirëpritur aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit, por nuk përjashtuan mundësinë e ankesës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj M. Gj. për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’. Sa u përket dy pikave të aktakuzës, për të cilat Gjykata ka vlerësuar se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e të pandehurit, Prokuroria Speciale do ta analizojë aktgjykimin në tërësi dhe, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës”, thuhet në një reagim të Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës në Ozdrim janë vrarë gjashtë civilë shqiptarë, pastaj tre të plagosur janë ekzekutuar pasi ishin trajtuar në spital, ndërsa pesë persona vazhdojnë të jenë edhe tani të zhdukur.

Procesi gjyqësor ndaj tij nisi më 20 korrik 2023.