TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

KJC, Haxhiu'dan istifa eden Sırp yargıçları görevden almasını istedi.

KJC

Gjyqtarët serbë, të cilët patën ofruar dorëheqjen e tyre në vitin 2022 nuk do të rikthehen në sistemin gjyqësor të Kosovës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës refuzoi kërkesat e tyre për tërheqjen e dorëheqjeve. Vendimi u mor me shumicë votash, ndërsa KGJK-ja i ka propozuar presidentes lirimin e tyre nga detyra. E ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese do të ndërmarrë veprime për lirimin e tyre nga detyra

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve nga sistemi gjyqësor në vitin 2022. 

Kështu u vendos në takimin e së enjtes të KGJK-së, ku 9 anëtarë votuan për, një kundër dhe një abstenim. 

Kundër propozimit për refuzim të revokimit të dorëheqjeve votoi anëtarja Ivana Milenkoviq, kurse abstenoi kryesuesi Rrustem Thaqi. 

Anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, tha se dorëheqjet e tyre në vitin 2022 kanë qenë të parevokueshme. 

“Konsideroj që gjyqtarët edhe stafi administrativ duke pasur parasysh që 4 vjet nuk janë, ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për ta ushtruar pozitën e gjyqtarit dhe pozitat administrative. Konsideroj se absolutisht nuk janë të aftë të ushtrojnë pozitën, sepse ka ndryshuar ligji, praktikat, në aspektin profesional së pari. Unë konsideroj që për disa janë të përfshirë edhe në aktivitete politike, ata që janë të përfshirë në aktivitete politike nuk kanë vend në sistemin gjyqësor të Kosovës”, ka arsyetuar vendimin Abazi.

Të njëjtin mendim e pati edhe anëtari tjetër i KGJK-së, Ahmet Imami.

“Unë do të votoj kundër, që ata të kthehen në sistemin gjyqësor pas katër vjetëve, sepse dorëheqja e tyre ka qenë vullnetare”, ka thënë Imami. 

Por, anëtarja Ivana Milenkoviq tha se rikthimi i tyre do të kontribuonte në funksionimin e rendit kushtetues. 

“Me refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve, do të krijonim një vakum juridik dhe institucional, i cili, sipas ligjit në fuqi për gjykatat, është i pamundur të plotësohet shpejt pa cenuar vetë rrjedhën e kornizës ligjore. Gjyqtarët dhe stafi ndihmës, në kuadër të procedurave ligjore, kanë paraqitur kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve. Me këtë, është rivendosur vullneti juridik i bartësve të funksioneve gjyqësore për të vepruar me kapacitet të plotë brenda Kosovës”, ka thënë Milenkoviqi.

KGJK-ja i ka propozuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

E Haxhiu, në deklarimin e saj pas këtij vendimi, ka thënë se në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese do të ndërmarrë veprime për lirimin e tyre nga  detyra.

“E përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarrë veprime për lirim nga detyra të tyre”, është shprehur ajo.

Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri të vendit. BE-ja pati kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut.

Egzona Mema