TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Lorenc Antoni'nin çalışmaları – müzik kurumu için açılan bir sayfa.

Lorenc Antonin için bilimsel yuvarlak masa toplantısı

Lorenc Antoni (23 shtator 1909 – 21 tetor 1991) në tryezën shkencore të martën në Institutin Albanologjik të Prishtinës është cilësuar si personalitet i cili ndërthuri disa fusha të veprimtarisë muzikore: kërkimin etnomuzikologjik, kompozimin, dirigjimin dhe pedagogjinë

Jeta dhe vepra e krijuesit dhe studiuesit që vuri themelet institucionale të kulturës muzikore në Kosovë, për ata që janë marrë me të, nuk janë kapituj të mbyllur, por terren i hapur për studime të mëtejme. Tryeza shkencore “Lorenc Antoni: Vepra, kujtesa dhe trashëgimia”, e mbajtur të martën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka sjellë këndvështrime të ndryshme për këtë figurë poliedrike të kulturës shqiptare dhe një shqetësim të përbashkët: trashëgimia e tij duhet të institucionalizohet

Historia e muzikës në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore është e lidhur nyjë me emrin e Lorenc Antonit. Kontributi i tij në kërkimin etnomuzikologjik, kompozimin, dirigjimin dhe pedagogjinë është themeltar në ndërtimin e kulturës muzikore në Kosovën e atëhershme. Me rastin e 35-vjetorit të vdekjes së tij, në Institutin Albanologjik është mbajtur tryeza shkencore “Lorenc Antoni: Vepra, kujtesa dhe trashëgimia”. Studiues si muzikologë e etnomuzikologë dhe studiues të folklorit, kanë paraqitur studimet e tyre në raport me Antonin i cili vdiq më 1991. 

Në fjalën e saj, shefja e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Arbnora Dushi, ka sjellë portretin e Antonit i cili u lind në Shkup më 23 shtator 1909. Ka shpalosur se, krahas edukimit muzikor në vendlindje dhe më vonë në Beograd, ai kreu studimet në Fakultetin Filozofik në Shkup. 

“Në vitin 1941 u vendos në Kosovë. Fillimisht veproi në Ferizaj, ndërsa më pas u vendos në Prizren, ku luajti rol të rëndësishëm në organizimin e jetës muzikore. Ai drejtoi korin e Shoqërisë Kulturore-Artistike ‘Agimi’, me të cilin kontribuoi në zhvillimin e veprimtarisë korale shqiptare. Krahas kësaj, drejtoi edhe formacione të tjera muzikore, përfshirë orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit”, ka thënë Dushi. Prej arritjeve kryesore institucionale ka përmendur themelimin më 1948 të shkollës së ulët dhe të mesme të muzikës “Josip Sllavenski” në Prizren, ku shërbeu si drejtor dhe mësimdhënës deri më 1956. Kur ka dalë te veprimtaria etnomuzikologjike, ka thënë se kontributi i Lorenc Antonit në mbledhjen, dokumentimin dhe studimin e folklorit muzikor shqiptar përbën një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë së tij shkencore. 

“Ai mblodhi, transkriptoi dhe analizoi këngë e melodi tradicionale nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Morava Jugore. Puna e tij përfshiu jo vetëm ruajtjen e materialit muzikor, por edhe studimin e strukturave melodike, ritmike dhe të veçorive të interpretimit të tij”, ka thënë ajo. Ka përmendur se ndër punimet e tij të hershme etnomuzikologjike përmenden “Format muzikore dhe veglat popullore te shqiptarët” (1950) dhe “Ritmi i këngëve popullore shqiptare”. 

“Përveç punës kërkimore, Lorenc Antoni zhvilloi një veprimtari të gjerë krijuese si kompozitor dhe përpunues i muzikës popullore. Ai shkroi vepra korale, pjesë orkestrale dhe kompozime për formacione me mandolina. Ndër krijimet e tij të njohura përmenden ‘Kore shqiptare’ (1957), ‘Jehonat e zemrës’ (1960), ‘Tri valle shqiptare’ (1962) dhe ‘Malësorja’ (1966). Në vitin 1968 kompozoi edhe këngën korale ‘Skënderbeu ngadhënjimtar’, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka thënë Dushi. Derisa ka përmendur faktin se ai qe redaktor i muzikës në Radio-Prishtinë, ka thënë se  Lorenc Antoni më tej, me aktivitetin e tij prej melografi dhe analisti studimor, mblodhi dhe mbarështoi afër 800 këngë dhe melodi shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Ka numëruar veprat “Këngë popullore shqiptare të Kosovës dhe Metohisë” (1953), “Folklori muzikor shqiptar, seri prej shtatë vëllimesh” (1956–1977), “Format muzikore dhe veglat popullore te shqiptarët” (1950) dhe “Ritmi i këngëve popullore shqiptare” (1952).

“Lorenc Antoni ndërthuri disa fusha të veprimtarisë muzikore: kërkimin etnomuzikologjik, kompozimin, dirigjimin dhe pedagogjinë. Rëndësia e tij qëndron si në dokumentimin e një fondi të gjerë të muzikës tradicionale shqiptare, ashtu edhe në kontributin për krijimin e institucioneve dhe praktikave të qëndrueshme të edukimit e të interpretimit muzikor në Kosovë”, ka thënë ajo për Antonin, i cili vdiq në Prishtinë më 21 tetor 1991.

Mbesa e Lorenc Antonit, Alma Bejtullahu, nëpërmjet prezantimit “Muzika në jetën familjare të Lorenc Antonit” i ka bërë një lloj biografie familjare krijuesit, duke përfshirë lindjen në Shkup, jetën e atjeshme, lidhjet familjare me Nënë Terezën, faktin se familjarë të tij luanin në instrumente, zhvendosjen në Prizren, dy martesat e deri te serioziteti prej studiuesi e krijuesi. Prezantimin e ka shoqëruar me fotografi të vjetra të shpalosura nga arkivi familjar. 

Muzikologia Rreze Kryeziu nëpërmjet prezantimit “Lorenc Antoni ndërmjet koleksionimit, institucionalizimit dhe praktikës kompozionale” ka prezantuar portretin prej studiuesi e krijuesi të Antonit. Ka numëruar botimet e tij, mbledhjet e këngëve popullore, kontributin në krijimtari e pedagogji, por edhe ka shprehur një shqetësim. 

“Nuk mjafton veç kujtimi e nderimi. Duhet institucionalizuar kontributi. Duhet të ketë arkiv të punës së Lorenc Antonit ku sistemohet krijimtaria e tij dhe është në dispozicion të studiuesve. Krijimtaritë e tilla duhet të institucionalizohen e jo të mbeten në kuadër të ditëve të nderimit ose përkujtimit”, ka thënë studiuesja Kryeziu. 

Etnomuzikologu Visar Munishi kumtesën “Lorenc Antoni dhe raporti i tij me muzikën tradicionale”, e ka nisur me një citat. 

“Përveç muzikës popullore, ne tjetër muzikë nuk kemi, por jemi mà se të bindun që edhe muzika artistike, do të krijohet. Ajo do të krijohet patjetër, se nji popull kaq i pasun me muzikë popullore do të mundet me dhanë kompozitorë. Muzika artistike e kohës s'ardhëme do të ushqehet prej motiveve të shumta të muzikës popullore, prej ritmit interesant dhe harmonisë së pasun. Vetëm na duhet të bajmë përgatitjen. Fëmijëve tanë qè kanë aq shum’ vullnet dhe prirje pèr muzikè, t’u japim nji kulturë muzikore... Ketë proçes sigurisht ka për ta shpeitësue shkolla e muzikës në Prizren”, do të thoshte Lorend Antoni më 1951. Sipas Munishit, ai shprehte një bindje që, në njëfarë mënyre, e përmbledh gjithë marrëdhënien e tij me muzikën tradicionale shqiptare. 

“Duke folur për nevojën e krijimit të muzikës artistike në Kosovë, ai mendonte se ajo do të ‘ushqehej prej motiveve’ të muzikës popullore, prej ritmit dhe pasurisë së saj muzikore. Kjo fjali është e rëndësishme jo vetëm sepse vjen nga një prej njerëzve që po i vendosnin themelet e jetës së organizuar muzikore në Kosovë, por sepse na tregon qartë se si ishte raporti i tij me muzikën tradicionale, dhe se, ai e shihte raportin e saj me muzikën artistike si mish-e-asht, dhe se njëra me tjetrën do të jetonin një jetë të tërë”, ka thënë Munishi. Sipas tij, puna më e madhe dokumentuese e Antonit lidhet, natyrisht, me shtatë blejtë e “Folklorit muzikor shqiptar”, të botuar nga viti 1956 deri më 1977. Nëse mblidhen shifrat e paraqitura për secilin vëllim, sipas Munishit, bëhet fjalë për rreth 770 shembuj të notografuar, por në literaturë zakonisht kjo punë përmblidhet si një fond prej afro tetëqind këngësh. Derisa ka portretizuar Antonin në disa dimensione të tij në raport me muzikën tradicionale, ka thënë se kur flitet për zhvillimin e jetës kulturore dhe muzikore të shqiptarëve të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, një vend të rëndësishëm zë shoqëria kulturore-artistike “Agimi” e Prizrenit.

Sipas tij një kontribut të veçantë tek “Agimi” e pati Lorenc Antoni. 

“Me marrjen e drejtimit të Korit në vitin 1945, ai ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë korale, duke e shndërruar formacionin e mëparshëm në një kor të përzier. Përmes punës së tij si dirigjent dhe kompozitor, këndimi koral mori një dimension të ri, ndërsa repertori filloi të pasurohej edhe me krijime dhe përpunime muzikore të mbështetura në traditën popullore shqiptare”, ka thënë Munishi. Në një prej kumtesave më të zgjeruara deri me tash sa i përket Antonit dhe raporteve me muzikën tradicionale, Munishi ka thënë se detyra e studiuesve të sotëm nuk është vetëm t’i përsërisin konstatimet e Antonit, por t’u kthehen materialeve të tij me pyetje të reja.

“T’i krahasojmë transkriptimet me incizimet aty ku ato ruhen, t’i lidhim këngët me biografitë e interpretuesve, të shohim se cilat variante jetojnë ende dhe cilat janë zhdukur, si dhe të kuptojmë më mirë se çfarë ndodhi me muzikën tradicionale kur ajo kaloi nga komuniteti në institucion. Në këtë kuptim, vepra e Lorenc Antonit nuk është vetëm një kapitull i mbyllur i historisë së etnomuzikologjisë sonë. Ajo është ende një terren pune. Dhe ndoshta ky është raporti më i gjallë që mund të kemi sot me trashëgiminë e tij”, ka thënë ai.