TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

"Opoja Geleneksel Dansları", Halk Mirasını Koruma Yolunda

“Opoja Geleneksel Dansları” başlıklı monografi

Në monografinë “Valle tradicionale të Opojës” që fillimisht ishte botuar më 1986 dhe e cila ribotohet pas katër dekadash, Xhemali Berisha ofron studimin e tij dokumentues të valleve e këngëve të zonës prej nga vjen

Për dekada me radhë Xhemali Berisha ka bartur koreografitë e tij direkt te valltarët në skenë me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, por nuk është mjaftuar me kaq. Qysh para katër dekadash, vallet e Opojës, hap pas hapi do t’i dokumentonte edhe në libër. Por pikërisht libri “Valle tradicionale të Opojës” vjen i ribotuar jo vetëm me synimin për t’i ruajtur e bartur ato ndër breza, por edhe si një thirrje që profesionistë sikurse ai t’i dokumentojnë thesaret popullore edhe në botime të tilla

Goditjet në lodër kanë bërë që të pranishmit të kthejnë kokën anash. Radha e grave dhe burrave kanë mbushur sallën e ushtrimeve të “Shotës”. Është valle e burrave dhe grave të Opojës. Në serinë e dokumentimit të koreografit Xhemali Berisha zë vend si “Vallja numër 6”. Ky interpretim i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota” i ka prirë promovimit të librit “Valle tradicionale të Opojës”, të autorit Xhemali Berisha. Në monografinë që fillimisht është botuar më 1986 dhe e cila ribotohet pas katër dekadash, Berisha ofron studimin e tij dokumentues të valleve e këngëve të zonës prej nga vjen. Si koreograf, ai qe pjesë e “Shotës”, e po ashtu autor i shumë valleve dhe koreodramave të ansamblit. Vepra e tij studimore është përshkruar si një kontribut i madh jo vetëm për trashëgiminë e Opojës, por edhe përtej. Një prej valleve të Opojës me të cilën është hapur ceremonia e promovimit të mërkurën, paraqet gratë e burrat. Zakonisht interpretohej në dasma. Të pranishmit në promovim qenë të shumtë. Shumë prej tyre nga treva e Opojës, fshatrat e Sharrit që janë në komunën e Dragashit. Edhe vetë vepra i kushtohet trashëgimisë folklorike të asaj ane.

Xheladin Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka thënë se institucioni ka privilegjin të promovojë veprën e një artisti që një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij ia kushtoi këtij ansambli. Ka treguar se Xhemali Berisha rrugëtimin e tij në ansambël e nisi në vitin 1971, si violinist dhe këngëtar, ndërsa nga viti 1975 deri më 1988 shërbeu si udhëheqës artistik dhe koreograf, duke dhënë një kontribut të çmuar edhe sot e kësaj dite në zhvillimin dhe pasurimin e repertorit tonë artistik. “Dasma e Opojës”, “Vallja e Drenicës” (1981), “Vallja e Perdrinit” (1983), “Suitë me motive nga Hasi” (1983), “Vallja e Podgurit” (2015) dhe “Lulet e Marsit” (2018) janë midis krijimeve të etnokoreografit që ka përmendur Krasniqi.

“Valle tradicionale të Opojës” është përshkruar si dëshmi që shërben për të ardhmen

“Ribotimi i librit ‘Valle tradicionale të Opojës’ dokumenton dhe ruan një pjesë të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore. Uroj që ky ribotim të frymëzojë edhe artistë, koreografë, muzicientë e studiues, që dijen, përvojën dhe krijimtarinë e tyre ta hedhin në letër. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, libri mbetet një nga burimet më të qëndrueshme dhe më të besueshme të dijes dhe kujtesës sonë kulturore”, ka thënë ai.

Në cilësinë e botuesit dhe drejtuesit të shtëpisë botuese “Thesari”, Demir Reshiti veprën e ka përshkruar si dëshmi që shërben për të ardhmen. Sipas tij, Berisha ka dokumentuar dhe studiuar lëvizjen që, edhe para se të flasin njerëzit, ka rrëfyer ndjesi.

“Për më shumë se pesë dekada ai i ka shërbyer folklorit shqiptar me bindje të palëkundura se folklori duhet të ruhet në autenticitetin e tij dhe kjo është një fjalë që sot duhet ta dëgjojmë me shumë vëmendje, sepse koha ndryshon, skenat ndryshojnë, shijet ndryshojnë dhe mënyra e interpretimit ndryshon. Nëse bashkë me këto ndryshime humbet ajo që është vallja e Opojës, atëherë nuk kemi më zhvillim të traditës”, ka thënë Reshiti.

E etnomuzikologu Visar Munishi ka dhënë një përshkrim më të përpiktë për botimin. Ai ka thënë se Berisha, përtej valleve të burrave, është marrë edhe me vallet e grave që zakonisht janë interpretuar në hapësira më të ngushta familjare.

Përurimi është përmbyllur me një pjesë të koreodramës “Lulet e Marsit”, që Berisha e kishte punuar me “Shotën” në 20-vjetorin e betejës së familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt

“Në pjesën e parë të librit trajtohen vallet e burrave, 11 me radhë. Ato janë renditur se si janë interpretuar dhe përcjellë nga valltari vendas. Autori i përshkruan tekstualisht, hap pas hapi, duke u përpjekur që t’i dokumentojë në formën në të cilën kanë qenë të njohura dhe të praktikuara në atë kohë. Në fund të secilit përshkrim ai sjell edhe transkriptimin muzikor të melodisë së valles. Pjesa e dytë e librit vazhdon pothuajse në të njëjtën strukturë, por kësaj radhe me vallet e grave të Opojës”, ka thënë Munishi. I ka kërkuar etnokoreografit Berisha që të realizojë një dokumentar për vallet e Opojës. Sipas Munishit, kjo traditë duhet të ketë edhe një realizim audiovizual ku në qendër të jetë Berisha si koreograf e studiues.

Vetë autori Berisha, i cili tash jeton në Zvicër, studimin e ka paraqitur si një monografi. Ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen. Ka thënë se tradita duhet të kultivohet dhe të ruhet.

“Unë e kam quajtur monografi. Monografi për arsye se në qendër të këtij studimi të vogël ka qenë vallja, ka qenë instrumenti që janë dy qule e dy lodra dhe në pjesën e grave, siç e tha etnomuzikologu, janë disa këngë dhe janë vallet e kënduara, siç janë edhe sot e kësaj dite në Opojën tonë”, ka thënë ai. “Shotën” e ka përshkruar si një aset të vlefshëm të vendit.

Aktiviteti është përmbyllur me një pjesë të koreodramës “Lulet e Marsit”, që Berisha e kishte punuar me “Shotën” në 20-vjetorin e betejës së familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt. Në këtë koreodramë, valltarët e solistët e “Shotës” bashkohen për të paraqitur artistikisht ngjarjen e fillim-marsit të vitit 1998, kur familja Jashari iu rezistoi forcave serbe, duke bërë që të humbin jetën mbi 50 veta, midis tyre shumica gra e fëmijë.