TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Arnavutça, Hint-Avrupa ailesinin incelenmesi ve yeniden yapılandırılması

Brian Joseph

“Shqipja është një ‘lojtare’ kyçe në kontaktin midis folësve të gjuhëve të ndryshme në Ballkan dhe, ndonëse ajo ndan shumë tipare me gjuhët fqinje, nuk është gjithmonë e qartë se cili ka qenë drejtimi i konvergjencës së shkaktuar nga kontakti, apo nëse kemi të bëjmë me kontakt gjuhësor”, ka thënë studiuesi Brian Joseph

Perspektiva gjenetike, ajo gjeo-sociale dhe universaliste janë pikëpamjet prej nga gjuhëtari amerikan, Brian Joseph, nis për të shpalosur ligjëratën e tij në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Profesori “Emeritus” i Universitetit të Ohios, gjuhëtar i rangut botëror ka shpalosur studimin që midis tjerash shpërfaq se si shqipja jep informacione për gjuhësinë indo-evropiane e po ashtu për rindërtimin e kësaj familjeje

Janë tri perspektiva nëpërmjet të cilave shqipja jep informacione për gjuhësinë indo-evropiane e po ashtu për rindërtimin e kësaj familjeje. Perspektiva gjenetike, ajo gjeo-sociale dhe universaliste janë pikëpamjet prej nga gjuhëtari amerikan, Brian Joseph, nis për të shpalosur ligjëratën e tij në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Në ligjëratën “Ora e Rexhep Ismajlit” dhe që mbahet në sallën “Idriz Ajeti” – në nderim të dy prej shtyllave të albanologjisë, Joseph ka shpalosur temën “Tri perspektivat e shqipes – Shqipja si gjuhë indo-evropiane, shqipja si gjuhë ballkanike dhe shqipja si gjuhë njerëzore”. Profesori “Emeritus” i Universitetit të Ohios, gjuhëtar i rangut botëror, ka thënë se çdo gjuhë njerëzore, si objekt studimi, i ofron studiuesit të paktën tri mënyra për ta parë kontributin shkencor që ajo mund të japë. Sipas Joseph-it, i cili ka mbrojtur doktoratën në “Harvard” më 1978, shqipja nuk bën përjashtim dhe edhe ajo ofron të njëjtin lloj këndvështrimi të trefishtë.

“Këndvështrimi gjenetik/gjenealogjik: shqipja si gjuhë indo-evropiane dhe, rrjedhimisht, si pjesë e familjes së gjuhëve indo-evropiane; ajo na informon për gjuhësinë indo-evropiane dhe për pikën fillestare të rindërtuar të kësaj familjeje, proto-indo-evropianishten, duke na shtuar kështu njohuritë mbi mënyrën se si gjuhët ndryshojnë me kalimin e kohës”, ka thënë ai. Te këndvështrimi gjeo-social ka thënë se shqipja, si gjuhë ballkanike dhe, rrjedhimisht, si pjesë e “Balkan Sprachbund”, jep informacione për sociolinguistikën historike të Ballkanit dhe, në këtë mënyrë, ndihmon të kuptohet më mirë kontakti gjuhësor në përgjithësi. Kurse sa i përket perspektivës universaliste, Joseph ka thënë se shqipja, si gjuhë njerëzore dhe, rrjedhimisht, si gjuhë me rëndësi për zhvillimin e kuptimit mbi gramatikën universale dhe tipologjinë gjuhësore, ndihmon të vihen në provë kufijtë e nocionit të “gjuhës njerëzore të mundshme”.

“Qëllimi im këtu sot është të jap shembuj të mënyrave se si këto perspektiva të ndryshme mbi shqipen ndriçojnë kuptimin tonë si për vetë shqipen, ashtu edhe për fusha të ndryshme të gjuhësisë”, ka thënë Joseph, i cili, sa i përket peshës së studiuesve të sivjetshëm në Seminar, është i pari. Sipas tij, një kontribut i rëndësishëm i shqipes në gjuhësinë indo-evropiane dhe në kuptimin për formën e proto-gjuhës lidhet me rindërtimin e disa bashkëtingëlloreve. Ka marrë shembull palatalen “*ḱ”, velaren “*k” dhe labio-velaren “*kʷ”. Duke zgjeruar shembullin, ka thënë se përputhjet që përfshijnë këta tinguj ndahen në tri grupe të dallueshme, në të njëjtin mjedis fonologjik. Ka thënë se shumica e degëve të familjes indo-evropiane kanë vetëm një dallim dypjesësh.

“Kjo i shtyu shumë indo-evropianistë të postulonin ndarjen ‘satem-centum’ si një ndarje të rëndësishme dialektore brenda familjes, një ‘izoglosë’ (kufi v.j.) të hershme dhe një pikë kyçe diferencimi ndërmjet degëve të ndryshme të familjes”, ka thënë Joseph. Sipas këtij studiuesi, zbulimi i bërë në vitin 1987 nga Craig Melchert, se luvishtja, një gjuhë indo-evropiane e degës anatoliane, e njohur vetëm pasi u deshifrua hititishtja në fillim të shekullit XX, kishte një kontrast të trefishtë, ka bërë që shumë indo-evropianistë tani të pranojnë rindërtimin e proto-indo-evropianishtes me tri guturale të dallueshme. Ka paraqitur shembujt e Holger Pedersen-it të vitit 1900, ku tregohej se shqipja kishte rezultate të dallueshme.

“Shumica e indo-evropianistëve evropianë, duke ndjekur qëndrimin e Antoine Meillet, studiuesit të famshëm francez dhe indo-evropianistit kryesor të kohës së tij, në thelb e shpërfillën Pedersen-in në këtë pikë dhe nuk e morën seriozisht këtë dëshmi nga shqipja. Kjo mund të ketë ndodhur, ndoshta, për shkak të një antipatie irracionale dhe, sinqerisht, deri diku raciste ndaj Ballkanit osman dhe shqiptarëve”, ka thënë ai. Ka shtuar se Eric Hamp, në vitin 1999, gjatë një ligjërate për shqipen në Universitetin e Ohios, nëpërmjet shprehjes idiomatike përçmuese: “Satem – Centum – Shmentum!”, e kishte mbyllur diskutimin për këtë çështje.

Ayrıca "Elektronik Shkodra", günlük hayatın sesleriyle ateşli bir oyun oynuyor. Kültür "Elektronik Shkodra", günlük hayatın sesleriyle ateşli bir oyun oynuyor.

Më pas, derisa ka folur për shqipen në perspektivën gjeo-sociale, ka thënë se ajo jep kontribute të rëndësishme në studimin e kontaktit gjuhësor dhe, në fakt, ndihmon në zgjidhjen e një debati midis gjuhëtarëve që studiojnë situatat e kontaktit gjuhësor: a mund të ketë huazim të gramatikës?
“Shqipja është një ‘lojtare’ kyçe në kontaktin midis folësve të gjuhëve të ndryshme në Ballkan dhe, ndonëse ajo ndan shumë tipare me gjuhët fqinje, nuk është gjithmonë e qartë se cili ka qenë drejtimi i konvergjencës së shkaktuar nga kontakti, apo nëse kemi të bëjmë me kontakt gjuhësor”, ka thënë ai. Sipas Joseph-it, ndoshta tipari në fjalë ka ardhur si rezultat i faktorëve thjesht të brendshëm të gjuhës në secilën gjuhë.

“Ky argument është mbrojtur nga disa ballkanologë, për shembull, në lidhje me humbjen e paskajores”, ka thënë ai. Menjëherë ka shtuar se, nëse do të ishte kështu, konvergjenca në Ballkan, e cila përfshin zëvendësimin e paskajores me fjali të varura me folje në trajtë të shtjelluar, nuk do të ishte çështje e ndryshimit sintaksor të shkaktuar nga kontakti.

“Por ekziston një ndërtim gramatikor që gjendet në shqip dhe në greqisht, i cili nuk mund të shpjegohet si rezultat i faktorëve të brendshëm të greqishtes, sepse në greqisht ai nuk gjendet askund tjetër përveçse në një zonë relativisht të vogël ku ka pasur kontakt midis greqishtes dhe shqipes”, ka thënë ai. Në këtë rast, situatën e ka elaboruar me një shembull të foljeve “ha” dhe “pi”, konkretisht me fjalitë: “Kam dëshirë të ha” (fjalë për fjalë: “mua më hahet”) dhe “Kam dëshirë të pi” (fjalë për fjalë: “mua më pihet”).

“Në pjesën më të madhe, ky ndërtim nuk gjendet askund në greqisht, ndonëse greqishtja i ka të gjitha ‘pjesët’ e nevojshme për të krijuar një shprehje të tillë, pra përemrat e shkurtër vetorë në funksion të kundrinorit, një formë sintetike të zërit jovepror dhe përdorimin jopersonal të foljeve”, ka thënë ai. Ka shtuar se, megjithatë, në zonën përreth Kastorias, në Greqi, e cila ndodhet vetëm 35 kilometra nga kufiri me Shqipërinë, gjendet ekuivalenti i shqipes: “më hahet”. Ka thënë se ky nuk mund të jetë një zhvillim i brendshëm i greqishtes, sepse, po të ishte i tillë, do të gjendej edhe në pjesë të tjera të botës greqishtfolëse.

“Prandaj, gramatika e zërit jovepror në greqisht, si dhe përdorimi i formave jopersonale dhe i përemrave të shkurtër në këtë mënyrë idiomatike, duhet të ketë kaluar nga shqipja në greqishten e zonës së Kastorias. Kështu, ky rast që përfshin shqipen tregon se huazimi gramatikor është vërtet i mundur”, ka thënë ai, studiuesi i cili, në nëntor të vitit 2022, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të veprës së tij “Vështrime albano-ballkanologjike”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Po atë ditë, iu dha fletëdëshmia e zgjedhjes anëtar i jashtëm i kësaj Akademie dhe mbajti ligjëratën: “Pse është gjuha shqipe e rëndësishme për gjuhësinë?”.

Sa i përket shqipes dhe perspektivës universaliste, të martën, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, ai ka thënë se, nëpërmjet të ashtuquajturës pjesëz e përputhjes, morfemës lidhëse e cila lidh një emër me përcaktorët e tij, shqipja tregon se sa shumë informacion i rëndësishëm gjuhësor mund të përfshihet në një çështje të vogël. Edhe për këtë ka marrë disa shembuj.

“Shqipja kontribuon në kuptimin tonë për atë se çfarë janë të afta të shprehin gjuhët njerëzore sa i përket shënjimit të kategorive gramatikore përmes lakimit dhe dëshmon rëndësinë e ‘fjalëve të vogla’ në krijimin e dallimeve gramatikore”, ka thënë ai. Më pas, Joseph, nëpërmjet një paradigme të vetme, atë të një foljeje kyçe në gjuhë, përkatësisht të tashmen dëftore të foljes “jam”, ka treguar se si secila trajtë kontribuon në mënyrën e vet në kuadër të perspektivave të mundshme. Pasi ka marrë shembujt, ka thënë se ky vështrim i hollësishëm i kësaj paradigme tregon gjithashtu se kufijtë midis këtyre perspektivave nuk janë gjithmonë të qartë dhe të prerë. Dhe këtë e ka paraqitur si një mësim të rëndësishëm në vetvete.

Ayrıca Mary Heilmann – etkili soyut ressam Kültür Mary Heilmann – etkili soyut ressam

“Në përgjithësi, pra, kjo paradigmë e vetme tregon të gjitha llojet e ndikimeve historike që kanë ndikuar në shqipen: trashëgiminë e saj si gjuhë indo-evropiane, kontaktet e saj si gjuhë e Ballkanit me gjuhë të tjera, si dhe funksionimin e saj të brendshëm si gjuhë njerëzore”, ka thënë Brian Joseph në ligjëratën e moderuar nga akademik Shkumbin Munishi, i cili Brian-in e ka vlerësuar si një studiues të madh dhe nder për Seminarin. Ndërsa, më 2022, në një tekst autorial, gjuhëtari tjetër, Bardh Rugova, kishte shkruar: “Brian Joseph është gjasme autoriteti më i madh linguistik botëror që merret me shqipen – thënë më mirë, mes të tjerash edhe me shqipen”.

Gjatë ditës së martë, në ditën e dytë të Seminarit, pos ligjëratës së Joseph e kurseve të gjuhës, studiuesja Monica Genesin ka mbajtur ligjëratë për efektin e kontaktit të mekanizmave linguistikë me gjuhën arbëreshe, Alessandro Simoni ka mbajtur ligjëratë kulturën shqiptare në sytë e italianëve, kurse në mbrëmje është mbajtur koncerti “Dina & Mel” me muzikë të arbëneshëve të Zarës.