TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Naziler tarafından yağmalanan tablo, 25 milyon euro başlangıç ​​fiyatıyla açık artırmaya çıkarılacak.

Das bunte Leben - Wassily Kandinsky'nin tablosu

Me një vlerë të parashikuar mbi 25.8 milionë euro, “Das bunte Leben” (Jeta shumëngjyrëshe, 1907) iu kthye trashëgimtarëve të Hedwig Lewenstein-Weyermann në vitin 2023, pas një beteje ligjore 6-vjeçare

Një pikturë e Wassily Kandinskyt, e lënë nga një familje holandeze që u arratis nga pushtimi nazist dhe që më vonë u ekspozua për dekada në një muze gjerman, do të dalë në ankandin e “Christie’s” në Londër më 14 tetor. Me një vlerë të parashikuar mbi 25.8 milionë euro, “Das bunte Leben” (Jeta shumëngjyrëshe, 1907) iu kthye trashëgimtarëve të Hedwig Lewenstein-Weyermann në vitin 2023, pas një beteje ligjore 6-vjeçare.

Me dimensione më të mëdha se të tjerat, vepra është më e madhja e Kandinskit deri në atë kohë. Në të, ai synonte të përmblidhte pasurinë dhe larminë e jetës, siç kishin bërë edhe artistë të tjerë, për shembull Henri Matisse me pikturën e tij “Bonheur de vivre” (Gëzimi i jetës, 1905–1906) ose André Derain me “La Danse” (Vallja, 1906). E ekspozuar në “Salon d’Automne” në Paris në vitin kur u realizua, piktura paraqet një peizazh pastoral të populluar nga pelegrinë, fshatarë, shenjtorë, fisnikë, si dhe nëna e fëmijë, shumë prej të cilëve janë frymëzuar nga legjendat, folklori dhe traditat fetare ruse.
“’Das bunte Leben’” e Kandinskit është shumë më tepër se një kryevepër e hershme: ajo kap një moment kur ndikime të ndryshme po bashkoheshin në praktikën e artistit dhe i hap rrugën kthesës radikale drejt abstraksionit që do të pasonte”, ka thënë Marc Porter, kryetar i degës amerikane të “Christie’s”.

Rekordi i artistit rus në ankande u vendos në “Sotheby’s” në Londër në vitin 2023, kur “Murnau mit Kirche II” u shit për 37.2 milionë funte. Edhe ajo pikturë ishte vjedhur nga nazistët, kishte qenë për një kohë të gjatë e ekspozuar në një muze dhe, pak kohë më parë, i ishte kthyer pronarëve të ligjshëm.
Biznesmeni i makinave qepëse në Amsterdam, Emanuel Albert Lewenstein dhe bashkëshortja e tij, Hedwig Lewenstein-Weyermann, e blenë “Jetën shumëngjyrëshe” në vitin 1927. Fëmijët e koleksionistëve ia huazuan veprën muzeut “Stedelijk” për ta mbajtur të sigurt, përpara se të largoheshin nga Holanda, në prag të pushtimit nazist. Nazistët konfiskuan pasuritë e familjes dhe i shpërndanë ato në vitin 1940, pas së cilës vepra u shit në ankand te koleksionisti Salomon B. Slijper. Në vitin 1972, ajo u ble nga Banka Shtetërore e Bavarisë dhe, një vit më vonë, iu dha në huazim afatgjatë “Lenbachhaus” në Munih, ku qëndroi për më shumë se pesë dekada.

Fëmijët e Emanuelit dhe Hedwigut, Robert dhe Wilhelmine Lewenstein, punuan me dekada për të gjetur koleksionin e prindërve të tyre. Me ndihmën e “Mondex Corporation”, e cila është e specializuar në rikuperimin e veprave të artit dhe pasurive të tjera të grabitura gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata ngritën padi në një gjykatë në Manhattan në vitin 2017, duke kërkuar kthimin e koleksionit pasi kompania ushtron veprimtari edhe në New York.

Kur korporata “Mondex” iu drejtua bankës në vitin 2016, themeluesi i saj, James Palmer, i kishte thënë “Der Spiegel”: “Në thelb, ata na thanë të ‘thyenim qafë’. Por një komision i pavarur gjerman rekomandoi në vitin 2023 që piktura t’u kthehej pronarëve të saj përmes restitucionit”.

“Kandinsky nuk po e paraqet më thjesht botën përreth tij, por ka filluar të përfytyrojë se si piktura mund të përcjellë diçka përtej së dukshmes”, ka thënë Keith Gill, nënkryetar i departamentit të artit të shekujve 20 dhe 21, në një deklaratë për media. “Ngjyra merr një intensitet shprehës të pashembullt, ndërsa figurat dhe peizazhi bëhen pjesë e një vizioni më të gjerë të përvojës njerëzore”.