TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

"Nyga", hafıza kaybıyla yüzleşirken yaşadığı acı ve inkârla boğuşuyor.

Nyga

Rrëfimi nis me një mosmarrëveshje midis bashkëshortëve për sjelljen e vajzës së tyre adoleshente. Në pamje të parë, është një konflikt i zakonshëm familjar, por shenjat e sëmundjes së babait, të luajtur nga Kushtrim Qerimi, shfaqen që në fillim

Në shfaqjen “Nyga”, humbja nuk vjen menjëherë. Shfaqet në detaje të vogla, në fjalët që përsëriten, në kujtesën që nis të zbehet dhe në përpjekjet e një familjeje për të mos e pranuar realitetin. Premiera e shfaqjes, të hënën mbrëma në teatrin “Dodona” në Prishtinë, ka sjellë rrëfimin prekës për alzheimerin, mohimin dhe transformimin e marrëdhënieve familjare përballë sëmundjes

Një fotografi familjare në mur dhe një tavolinë që bashkon familjen janë takimi i parë i publikut me skenën. Më pas vjen një sëmundje që dalëngadalë zhbën kujtimet më të dashura. Në shfaqjen “Nyga”, humbja nuk vjen menjëherë. Shfaqet në detaje të vogla, në fjalët që përsëriten, në kujtesën që nis të zbehet dhe në përpjekjet e një familjeje për të mos e pranuar realitetin. Premiera e shfaqjes, të hënën mbrëma në teatrin “Dodona” në Prishtinë, ka sjellë rrëfimin prekës për alzheimerin, mohimin dhe transformimin e marrëdhënieve familjare përballë sëmundjes.

E mbështetur në historinë personale të autores Valza Gashi dhe nën regjinë e Fatbardha Shalës, shfaqja e ka mbajtur publikun përherë nën emocion, pa pasur nevojë ta shtyjë rrëfimin drejt patetikes. 
Rrëfimi nis me një mosmarrëveshje midis bashkëshortëve për sjelljen e vajzës së tyre adoleshente. Në pamje të parë, është një konflikt i zakonshëm familjar, por shenjat e sëmundjes së babait, të luajtur nga Kushtrim Qerimi, shfaqen që në fillim. Vajza, e interpretuar nga Kosovare Krasniqi, e kupton se po e humbet dalëngadalë babain e saj. Nëna, e luajtur nga Dardane Mehmeti, përpiqet ta mohojë atë që po ndodh, duke gjetur shpjegime për çdo ngecje të tij në kujtesë.

Në këtë përballje, vajza dhe nëna gjenden në dy anë të ndryshme të së njëjtës dhimbje. E para e sheh sëmundjen dhe përpiqet ta përballojë, ndërsa e dyta i shmanget pranimit të saj, sikur mohimi të mund ta mbante familjen në gjendjen e mëparshme. Konflikti midis tyre bëhet gjithnjë e më i thellë derisa gjendja e babait rëndohet. 

Kur dritat fiken e ndezën shënojnë kalimin e kohës dhe e çojnë rrëfimin në një tjetër periudhë kohore kur përkeqësimi bëhet më i dukshëm. Kujtimet e babait për njerëzit më të dashur zbehen edhe më shumë. Përballë tij, familja përpiqet të ruajë lidhjet, por sëmundja ndryshon mënyrën sesi ata komunikojnë dhe se si e shohin gjendjen e njëri-tjetrit. 

Drama flet për frikën nga humbja, për vështirësinë e pranimit të një realiteti të dhimbshëm dhe për heshtjen që shpesh i shoqëron problemet shëndetësore brenda familjeve. Përtej sëmundjes, “Nyga” prek edhe paragjykimin shoqëror dhe mënyrën se si familjet mundohen t’i mbajnë vështirësitë e tyre larg syve të të tjerëve.

Vetë autorja, Valza Gashi, ka bërë me dije se e ka përjetuar nga afër këtë realitet.

“Krejt drama ka nisur nga një përjetim personal. Unë e kam pasur babanë të prekur nga sëmundja e Alzheimerit dhe, si 17-vjeçare, jam ndier e paragjykuar nga njerëzit e tjerë. Përveç paragjykimit që kam përjetuar, kam pasur edhe konflikt me nënën, e cila përpiqej ta mbante këtë problem brenda shtëpisë. Besoj se shumë nëna shqiptare, kur përballen me një problem të tillë, mundohen ta mbajnë atë brenda familjes. Konflikti më i madh ishte se, pavarësisht se çfarë ndodh, ne si shoqëri duhet të mësohemi ta pranojmë realitetin dhe të vazhdojmë jetën. Edhe kur një person është i sëmurë, jeta vazhdon dhe ne duhet të ecim përpara”, ka treguar Gashi.

Ajo ka thënë se dilema për ta shkruar këtë dramë e ka shoqëruar që nga viti 2022, ndërsa draftet e para i ka nisur në vitin 2025. Vendimi për ta shndërruar përvojën personale në vepër dramatike, sipas saj, ka sjellë edhe një lloj lehtësimi, pasi dhimbja që kishte përjetuar gjatë sëmundjes së të atit kishte gjetur një formë shprehjeje.

“Kur vendosa se duhej ta shkruaja, në njëfarë mënyre ndjeva edhe lehtësim, sepse dhimbjen që e kisha përjetuar gjatë sëmundjes së babait arrita ta nxirrja në letër. Në fillim, kur nisja të shkruaja, shpesh mendoja se ndoshta nuk do të arrija t’ia përcillja publikut emocionin që kisha përjetuar vetë. Por, kur pashë reagimet, kuptova se publiku e kishte marrë pikërisht atë emocion”, ka thënë ajo.

Gashi ka treguar se fillimisht kishte dyshuar nëse do të arrinte t’ia përcillte publikut emocionin që kishte përjetuar vetë. Reagimet e publikut e kanë bindur se përvoja e saj kishte gjetur jehonë edhe te të tjerët. 

“Unë kam diplomuar me këtë dramë dhe, ndoshta, kjo është vepra që e kam më së shumti për zemër, sepse përmes saj kam arritur të shpreh gjithçka që kam pasur brenda vetes”, ka theksuar autorja.

Për aktorin Kushtrim Qerimi, shfaqja e tejkalon temën e sëmundjes dhe trajton problemet e përditshme që mund të shfaqen në çdo familje. Ai ka thënë se që në leximin e parë teksti i kishte lënë përshtypje, pikërisht për shkak të afërsisë me realitetin e shumë familjeve.

“Është një dramë sociale që më pëlqen shumë. Që në momentin e parë kur e kam lexuar, më ka bërë përshtypje, sepse trajton telashe dhe halle të përditshme, të cilat, fatkeqësisht, gjenden në shumë familje. Besoj se e kemi për detyrë t’i shpalosim dramat tona familjare. Ne i kemi problemet tona dhe kjo ishte arsyeja kryesore që më shtyu të bëhesha pjesë e kësaj shfaqjeje”, ka thënë ai.

Sipas tij, reagimet e publikut pas shfaqjes kanë dëshmuar se rrëfimi ka arritur të prekë përvoja të ngjashme edhe te njerëzit që e kanë njohur këtë sëmundje në familjet e tyre.

“Është prekëse. Ndoshta reagimet e publikut sonte kanë qenë pikërisht ato që duhej të ishin: nuk e di nëse duhet të qeshësh apo të qash, sepse të vijnë të dyja ndjenjat njëkohësisht. Nga sa kam arritur të vërej te njerëzit që njoh dhe që kanë pasur raste të tilla në familjet e tyre, reagimet kanë qenë të ngjashme. Më vjen mirë që kemi arritur t’i përcjellim këto ndjenja dhe t’i bëjmë ato të prekshme për publikun”, ka thënë ai.

Shfaqja është bashkëprodhim i Teatrit “Dodona” dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. Producentja Rrezarta Rashiti ka thënë se realizimi i saj shënon për të përvojë të veçantë profesionale, pasi bëhet fjalë për projektin e saj të parë në teatër.

“Për mua, ky është njëri prej projekteve më të mira në të cilat kam punuar si producente, ndonëse është shfaqja ime e parë në teatër. Ky ishte një projekt që e kam dashur që nga fillimi. Kam besuar në të dhe e kam ditur se do të dilte diçka e mirë”, ka thënë Rashiti.

Ajo ka treguar se ekipi ka punuar për rreth gjashtë javë prova dhe ka vlerësuar angazhimin e aktorëve dhe të gjithë stafit. 

“Besoj se edhe publiku e ka pritur shumë mirë shfaqjen dhe gjithçka ka shkuar sipas planit. Kemi pasur gjithsej rreth gjashtë javë prova. Aktorët kanë qenë shumë të mirë. Jam shumë e lumtur për secilin prej tyre, si dhe për të gjithë stafin dhe ekipin që ka punuar në realizimin e kësaj shfaqjeje”, ka thënë ajo. 

Në skenografinë e Lumbardh Hajdarajt, fotografia familjare dhe hapësira e kuzhinës e mbajnë rrëfimin të lidhur me ambientin e zakonshëm shtëpiak. Kostumografia e Elona Ramës dhe dizajni i dritave nga Skender Latifi e ka plotësuar këtë botë familjare, ndërsa kompozimi muzikor i Ilire Avdiut i ka shoqëruar ndryshimet emocionale të rrëfimit.

“Nyga” e shpalos dhimbjen e njerëzve që qëndrojnë pranë personave të prekur me këtë sëmundje, të cilët duhet të mësohen me realitetin ku njeriu i dashur është ende i pranishëm fizikisht, por kujtimet dhe lidhjet që i kanë bashkuar humben.