TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Fabrika anıları sanatla hayat buluyor

"Large" adlı proje, eski Renault fabrikasını kültürel bir mekana dönüştürüyor (Fotoğraf: AP)

“Large” e shndërron ish-fabrikën e markës “Renault” në një destinacion kulturor

Fotoğraf: Associated Press

Një ish-fabrikë e gjigantit “Renault” po i jep jetë të re skenës së artit bashkëkohor në Paris. Qendra e quajtur “Large” po i bën homazh historisë industriale të këtij vendi me një ekspozitë që ndërthur kryevepra nga koleksioni i “Renault”, me vepra të artistëve bashkëkohorë

Quhet “Large”. Ndodhet mes dy krahëve të lumit Sena, në ishullin Seguin, në Paris. Kompleksi, me një sipërfaqe prej 5.000 metrash katrorë, përfshin 2.500 metra katrorë hapësirë ekspozimi dhe është pjesë e një projekti më të gjerë rizhvillimi, që po e shndërron ish-fabrikën e markës “Renault” në një destinacion kulturor.

Ishulli Seguin i është nënshtruar një transformimi të madh urban që nga viti 2010, duke kaluar nga prodhimi industrial drejt kulturës. Në vitin 2017, për shembull, u hap qendra e muzikës dhe kulturës “La Seine Musicale”, duke e shtrirë kulturën dhe artin përtej qendrës së Parisit.

Përpara kësaj, ishulli ishte i zënë nga fabrikat e markës së veturave “Renault”, të cilat funksionuan aty prej vitit 1929 deri në vitin 1992.

Brenda kësaj ish-fabrike, instalacionet artistike tashmë janë vendosur dhe janë gati për të pritur vizitorët.

Ekspozita titullohet “Moteur Imaginaire” dhe është një homazh për historinë e këtij vendi, ishullin Seguin, i cili për gati një shekull ishte fabrika e “Renaultit” (Foto: AP) 

Me rastin e inaugurimit, “Large” po i bën homazh historisë industriale të këtij vendi me një ekspozitë që ndërthur kryevepra nga koleksioni i “Renault”, me vepra të artistëve bashkëkohorë.

Cecilia Alemani është kuratorja e ekspozitës.

“Ekspozita titullohet ‘Moteur Imaginaire’ dhe është një homazh për historinë e këtij vendi, ishullin Seguin, i cili për gati një shekull ishte fabrika e ‘Renaultit’, kompanisë së automobilave. Kjo histori është ngulitur thellë në mendësinë dhe kujtesën e francezëve, ndaj ekspozita i bën homazh historisë së industrializimit, por edhe punëtorëve, burrave dhe grave që punuan në këtë vend për shumë dekada”, ka thënë ajo.

Artistët bashkëkohorë të përfshirë në ekspozitë po përdorin veprat e tyre për të shqyrtuar marrëdhënien mes njerëzve dhe makinerive, me një fokus të veçantë tek automobilat.

Për shembull, Zhenya Machneva u angazhua të krijonte veprën e saj me titull “Les souvenirs cassés” (Kujtime të thyera). Vepra u frymëzua nga gjyshi i saj, i cili kishte punuar në një fabrikë.

“Gjithmonë më ka pëlqyer estetika e peizazheve industriale – paksa të zbrazëta, paksa të braktisura. Një ditë shkova në fabrikën ku kishte punuar gjyshi im. Qëllimi im ishte të filmoja rutinën e tij të përditshme. Më interesonte shumë të shihja se si e kishte kryer punën e tij për rreth dhjetë vjet, duke bërë të njëjtën gjë çdo ditë. Kjo ndodhi në vitin 2012. Në atë kohë, mbeta plotësisht e mahnitur dhe thellësisht e prekur nga makineritë, nga ambientet e brendshme të fabrikës, nga përmasat e saj si dhe nga tingujt që dëgjoheshin aty”, ka shpjeguar artistja.

Ka treguar se veprën e saj ua dedikon kujtimeve dhe ndjenjave të punëtorëve të fabrikës së “Renault”. 

“Për mua ishte shumë e rëndësishme të reflektoja mbi këtë aspekt, i cili ndonjëherë nuk është shumë i dukshëm. Në veprën time nuk paraqiten vetëm imazhe të makinerive; në pjesën kryesore shfaqet edhe imazhi i një motori Kangoo, por nuk bëhet fjalë vetëm për motorin – bëhet fjalë si për mendjen, ashtu edhe për zemrën”, ka shtuar Machneva.

Veprat e bashkuara në ekspozitë vijnë si homazh për historinë e industrializimit

Ekspozita e organizuar në partneritet me Fondacionin “Renault” për Art dhe Kulturë, përfshin gjithashtu vepra të artistëve dhe fotografëve të mirënjohur si, Victor Vasarely, Jean Dubuffet, Jean Tinguely dhe Robert Doisneau.

“Large” është pjesë e projektit më të gjerë “Pointe des Arts”, të ndërmarrë nga grupi “Emerige”, një kompani e njohur franceze e zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe planifikimit urban, me synimin për të rindërtuar dhe transformuar ishullin Seguin.

Një kinema është hapur tashmë, ndërsa një hotel dhe një restorant pritet të hapen së shpejti.

Jean-Philippe Leboeuf është arkitekt në studion franceze “CALQ”, e cila bashkëpunoi me studion spanjolle “RCR Arquitectes” në këtë projekt.

“Ky është një vend ikonik, sepse dikur këtu ndodheshin fabrikat e ‘Renaultit’ – një markë e rëndësishme franceze – ndaj i gjithë territori ishte i industrializuar. Tani, ky vend po përjeton një transformim të plotë: fabrikat po largohen dhe njerëzit po vijnë për të jetuar këtu. Ka shumë banorë që jetojnë tashmë në këtë zonë. Gjithashtu, ndodhemi në një pikë ku bashkohen të gjitha linjat e transportit publik nga zona metropolitane e Parisit”, ka deklaruar Leboeuf.

Qendra e artit “Large” është hapur për publikun prej 17 tetorit.