TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

"Ruhun ifadesi", rock müziğinin sesleriyle renklerin oyunu içinde.

Veprat, piktura e fotografi, janë shprehje të shpirtit të artistit Teoman Zaim, siç edhe emërtohet ekspozita e hapur në kafe-galerinë “Hani i 2 Robertëve”

Veprat, piktura e fotografi, janë shprehje të shpirtit të artistit Teoman Zaim, siç edhe emërtohet ekspozita e hapur në kafe-galerinë “Hani i 2 Robertëve”

Muzika është kthyer në ngjyra, forma e ritme në ekspozitën “Expression of the Soul” të artistit Teoman Zaim, një figurë shumëdimensionale e artit, inxhinier me profesion. Pikturat abstrakte dhe fotografitë bardhezi, të ekspozuara në “Hanin e 2 Robertëve”, sjellin rrëfimin artistik të frymëzuar edhe nga emra të muzikës si “Led Zeppelin”, Prince e Jimi Hendrix. Kuratori Shkëlzen Maliqi ka thënë se në veprat e artistit muzika jo vetëm dëgjohet, por edhe shihet

Ekspozita “Expression of the Soul” e Teoman Zaim është e veçantë, sepse në të mund të shihen tingujt muzikorë. Se veprat e tij janë ndikuar nga këngëtarë e bende legjendare si “Led Zappelin” e Prince. Kështu ka konsideruar kuratori i ekspozitës, filozofi  e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, dhe kjo është e dukshme që në takimin e parë me artin e tij. E, veprat, piktura e fotografi, janë shprehje të shpirtit të artistit, siç edhe emërtohet ekspozita e hapur të enjten mbrëma në kafe-galerinë “Hani i 2 Robertëve”. Fotografitë janë artistike, bardhezi, ndërsa pikturat abstrakte ekspresive.

Tingujt e muzikës, ritmet e saj dhe gjurmët e artistit Zaim janë kthyer në ngjyra, forma dhe kompozime në ekspozitën e tij me titull “Expression of the Soul”.

Kuratori i ekspozitës, filozofi dhe kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, ka shkruar në tekstin kuratorial se te Zaimi arti lidhet ngushtë me muzikën, ndërsa disa prej punimeve të tij u referohen drejtpërdrejt figurave dhe këngëve të rëndësishme të historisë së rockut.

“Piktura e Zaimit ushqehet edhe nga muzika, shtylla e dytë e ndjeshmërisë së tij artistike. Shumë vepra i referohen muzikës ose janë homazhe ndaj saj: ‘How Many More Times L.Z.’ i kushtohet ‘Led Zeppelin’, ‘Purple Rain’ Princeit, ndërsa ‘Hey Joe’ Jimi Hendrixit”, ka shkruar Maliqi në tekstin kuratorial.

Sipas tij, kjo e bën të natyrshme që pikturat e Zaimit të mos shihen vetëm si imazhe, por edhe të lexohen përmes ritmeve e tingujve që evokojnë.

Pikturat e ekspozuara dallohen për forma të lira, shtresa ngjyrash dhe kompozime ku dominojnë elementet abstrakte. Disa prej tyre janë më të ngrohta, e disa më të ftohta.

Me tone më të errëta është ajo me titull “Landscape of the Soul”, e cila, sipas Maliqit, e shpreh më qartë idenë që udhëheq qasjen e artistit – pikturën si një lloj peizazhi të brendshëm.

“Titulli i njërës prej pikturave, ‘Landscape of the Soul’, ndoshta e shpreh më qartë idenë që udhëheq qasjen e tij: imazhi në pëlhurë si peizazh i shpirtit, si regjistrim sizmografik i pulsimeve të brendshme”, ka shkruar Maliqi.

Krahas pikturës, ekspozita sjell edhe fotografi, të cilat artisti i ka zhvilluar si tjetër fushë të shprehjes së tij artistike. Fotografitë janë kryesisht bardhezi dhe kapin pamje urbane, fragmente të jetës së përditshme dhe momente të natyrës. Zaim ka qenë i pranishëm në hapjen e ekspozitës, por nuk ka pranuar të flasë.

Kuratori i ekspozitës, Shkëlzen Maliqi, ka theksuar se autori është artist autodidakt.

“Ai ka pasur gjithmonë një lidhje me artin. Që herët, babai i tij ka pasur një galeri arti. Në atë kohë, para rreth 40 vjetësh, aty kishte kryesisht reproduksione të artit klasik. Më vonë, në mesin e viteve ‘90, ai u largua nga Kosova dhe vazhdoi punën si inxhinier, fillimisht në Londër e më pas në Stamboll.  Pas disa vjetësh, vendosi të hapte, siç kishte bërë edhe babai i tij, një galeri komerciale. Aty kishte piktura, reproduksione dhe materiale të ndryshme artistike. Në vitet 2000 e ndryshoi atë veprimtari. Në atë kohë ishte tashmë afër të gjashtëdhjetave dhe filloi t’i përkushtohej më shumë pikturës. Që atëherë ka pasur ekspozita dhe prezantime të ndryshme në Turqi e në Bullgari”, ka thënë ai.

Arti i Teoman Zaimit është si një kolonë zanore e veprave që kanë shënuar historinë e rockut 

Sipas Maliqit, qëllimi i tij është që të prezantohen sa më shumë artistët e diasporës.

“Dëshira ime është që t’i prezantoj artistët tanë në diasporë. Edhe Teomani, në të vërtetë, nuk i ka ndërprerë kurrë lidhjet. Ai ka edhe një kushëri, vëllai i punon në Prishtinë. Përmes Fadil Dragajt ka qenë në kontakt me të, dhe më pas vendosëm të bëjmë këtë ekspozitë, ku prezantohen edhe pikturat, edhe fotografitë e tij. Unë kam dëshirë që krijuesit tanë që jetojnë jashtë, në diasporë, ta kenë mundësinë të prezantohen edhe këtu. Mendoj se ata kanë një art autodidakt dhe se është e rëndësishme që kjo krijimtari, qoftë në pikturë apo në fotografi, të bëhet e njohur edhe për publikun këtu”, ka thënë Maliqi më tej.

Për artistin Agron Mulliqi, ekspozita është prezantim i veçantë.

“Në përgjithësi, ekspozita më duket shumë e veçantë. Unë e njoh artistin prej një kohe të gjatë. Ai ka pasur një galeri në Stamboll, e cila ka qenë aktive për një kohë të gjatë, dhe ka organizuar disa ekspozita. Prezantimi i këtyre veprave është një shkëmbim shumë i mirë”, ka thënë Mulliqi.

Ai ka konsideruar se ka tingull në veprat e artistit.

“Ka tingull, ka ngjyrë, ka një abstraksion të veçantë. Kompozimi, pozicioni, drejtpeshimi dhe ngjyra janë elemente që u japin veprave një mënyrë të veçantë shprehjeje”, ka thënë Mulliqi.

Dy vepra pranë njëra-tjetrës, te të cilat shtresa e fundit e ngjyrës ngjan të jetë ajo rozë, çon mendjen te kënga “Purple Rain” e këngëtarit Prince, të cilin Maliqi e përmend si një lloj reference e veprave të artistit Zaim.

Artisti Orhan Kurtolli ka veçuar ndërthurjen e disa formave të shprehjes artistike në punën e Zaimit.

“Sinqerisht, më duket një ekspozitë shumë e veçantë. Së pari, ai vjen nga një profesion tjetër, është inxhinier, por ka një shpirt të madh artistik. Muzika, fotografia, piktura dhe format e tjera të shprehjes artistike më lanë përshtypje shumë të mirë. Është një paraqitje mjaft dinjitoze, punë e pastër”, ka thënë Kurtolli.

Ka veçuar fotografitë e realizuara në Stamboll.

“Do t’i veçoja veçanërisht fotografitë, të cilat janë shumë të veçanta, edhe për faktin se ai jeton në Stamboll. Duke qenë se jeton atje, mundësia për të realizuar fotografi të rralla dhe për t’i prezantuar ato në mënyrë të shkëlqyeshme është shumë e madhe”, ka thënë ai më tej.

Rruga e artistit Teoman Zaim drejt artit ka kaluar nëpër disa fusha. I lindur në Mitrovicë, ai ka kryer Shkollën e Lartë të Makinerisë dhe deri në vitin 1989 ka punuar në kombinatin “Trepça”. Më pas është zhvendosur në Londër, ndërsa dy vjet më vonë ka nisur të punojë si inxhinier në Stamboll.

Por lidhja me artin, siç ka treguar Maliqi, kishte nisur shumë më herët. Babai i Zaimit kishte drejtuar një prej galerive të para private në Mitrovicë, ku ekspozoheshin kryesisht riprodhime të veprave të artistëve klasikë. Në atë mjedis, Zaimi është njohur që herët me veprat e Leonardo da Vincit, Van Gogut e të tjerëve.

Muzika ka qenë një tjetër pjesë e rëndësishme e formimit të tij. Zaimi ka qenë baterist në grupe të rockut dhe jazzit në Mitrovicë e më vonë në Turqi. Kjo lidhje, me muzikën sipas Maliqit, është reflektuar më pas edhe në pikturën e tij.

Në vitin 1996, në Stamboll, Zaimi ka hapur një galeri arti, duke vazhduar traditën e babait të tij. Ka punuar aty për disa vjet, ndërsa në vitin 2010 e ka mbyllur galerinë dhe u është përkushtuar pikturës dhe fotografisë. Që atëherë ka krijuar si artist i pavarur dhe ka ekspozuar në Turqi e Bullgari.

Ekspozita “Expression of the Soul” do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor.