TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

"Eşeğin Güzelliği", bu yılki "DokuFest"te izleyicilerin zevkini ortaya koyuyor.

buk

Filmi ishte shfaqur vitin e kaluar në Makërmal të Skenderajt, pikërisht në vendin ku buron rrëfimi i tij, ndërsa mbrëmjen e 8 gushtit është dhënë në platenë e “DokuKinos” në Prizren, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” (Foto:DokuFest)

Suksesi i filmit “Bukuria e Gomarit” është dëshmi e mënyrës sesi filmi ka arritur të krijojë lidhje emocionale me publikun. Sidomos në “DokuFest” që sjell forma të ndryshme të dokumentarit. Është njëfarë testi që zbërthen mjeshtërinë e regjisores Dea Gjinovci e po ashtu edhe shijen e publikut të Festivalit me nam rajonal

Në festivalin ku publiku nuk është vetëm shikues, por pjesë e drejtpërdrejtë e përvojës së kinemasë, “Bukuria e Gomarit” e regjisores Dea Gjinovci ka marrë një prej vlerësimeve më domethënëse të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit”. Filmi i gjatë dokumentar dhe artistik është shpallur i preferuari i publikut në kuadër të Çmimit të Publikut, duke marrë vlerësimin mesatar prej 4.75 pikësh nga 5, rezultati më i lartë midis filmave që kanë qenë pjesë e votimit.

Ky Çmim ka peshë të veçantë pikërisht për mënyrën se si përcaktohet: përmes votimit të drejtpërdrejtë të spektatorëve pas shfaqjeve në kinema. Kësisoj, suksesi i filmit “Bukuria e Gomarit” ka qenë dëshmi e mënyrës sesi filmi ka arritur të krijojë lidhje emocionale me publikun. Sidomos në “DokuFest” që sjell forma të ndryshme të dokumentarit. 

Filmi ishte shfaqur vitin e kaluar në Makërmal të Skenderajt, pikërisht në vendin ku buron rrëfimi i tij, ndërsa mbrëmjen e 8 gushtit është dhënë në platenë e “DokuKinos” në Prizren, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. 

Për drejtorin artistik të “DokuFestit”, Veton Nurkollari, filmi ka një fuqi të veçantë pikërisht për shkak të aftësisë së tij për të kaluar nga e qeshura te dhimbja dhe për ta bërë historinë personale të një familjeje pjesë të përvojës së përbashkët.

“Mbase është hera e tretë që e kam parë këtë film. Më ka bërë të qesh, të qaj. Më ka emocionuar shumë. Emocioni më i madh, më i madh është të bësh dhe të ndash këtë film me ne, me të gjithë ne. Të mund të ndash këtë histori të mrekullueshme, ndonjëherë të dhimbshme, me të gjithë ne është dhurata më e madhe”, ka thënë Nurkollari.

Ayrıca İsviçre'deki "Eşeğin Güzelliği" Kosova anılarını canlandırıyor Kültür İsviçre'deki "Eşeğin Güzelliği" Kosova anılarını canlandırıyor

Në qendër të filmit është një kthim në Makërmal, fshatin e lindjes së Asllan Gjinovcit, babait të regjisores. Ai i cili kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës jashtë vendit. Por kthimi nuk është veç fizik. Ai është kthim në vendin që ekziston kryesisht përmes kujtesës, në fëmijërinë që është ruajtur në formën e rrëfimeve. 

Ideja e filmit kishte nisur pikërisht nga këto rrëfime. Gjinovci ka treguar se historitë e babait të saj i kishte dëgjuar që kur ishte fëmijë, ndërsa katër vjet para realizimit të filmit, babai i saj kishte nisur t’i shkruante dhe t’ia dërgonte familjes. Në to, ajo kishte gjetur jo vetëm kujtime, por edhe një material të pasur kinematografik.

“Gjithçka në fakt nisi me rrëfimet e babait tim, Asllan Gjinovcit. Janë histori nga fëmijëria e tij, të cilat i kam dëgjuar shumë e shumë herë kur isha vetë fëmijë. Para katër vjetësh, ai vendosi t’i shkruante ato dhe filloi t’i ndante me ne, me familjen, duke na i dërguar. Kur nisa t’i lexoja për herë të parë, ndjeva se kishte aq shumë detaje kinematografike dhe një mënyrë kaq të veçantë të ruajtjes së kujtesës. Mund ta ndieje se fëmijëria e tij kishte qenë ndoshta një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së tij dhe, pasi kishte jetuar larg Kosovës për dekada, ai e kishte ruajtur në mendje si diçka shumë të çmuar, si një mënyrë për të mos e humbur lidhjen me vendin e tij”, ka treguar Gjinovci.

Kjo lidhje me kujtesën është edhe pika ku “Bukuria e Gomarit” e tejkalon formatin e dokumentarit familjar. Filmi përpiqet të kuptojë se si kujtesa funksionon kur vendi ku ajo është krijuar nuk ekziston më në të njëjtën formë. Makërmali i sotëm përballet ende nga pasojat e luftës, ndërsa shtëpia që ruhej në kujtesën e Asllanit është zhdukur. Në vend të saj mbetet rrëfimi.

Prandaj, filmi ndërton një hapësirë të ndërmjetme midis dokumentarit dhe fiksionit. Fëmijët e brezit të ri rikrijojnë fëmijërinë e Asllanit, ndërsa babai i regjisores shfaqet njëkohësisht si personazh, dëshmitar dhe njeri që përballet me kujtimet e veta. E kaluara paraqitet si diçka që vazhdon të ndodhë në momentin kur rrëfehet.

“Filmi në fakt nisi pothuajse si një film artistik. Vendosëm t’i rikrijonim këto skena. Thamë: ‘Në rregull, do ta realizojmë filmin brenda fshatit’. Por, sapo hymë në fshat, kuptuam se gjërat më themelore të filmit po ndodhnin prapa kamerës. Dhe pikërisht atëherë e hapëm filmin në një drejtim tjetër dhe thamë: ‘Ajo që është kaq e rëndësishme në këtë film është vetë përvoja e realizimit të tij’. Është përvoja e të qenit në atë fshat, e të qenit me banorët, e ndarjes së historive, e njohjes me njëri-tjetrin, por edhe e mbështetjes që morëm nga fshati për ta realizuar filmin”, ka shpjeguar regjisorja.

Kjo ndërthurje mes asaj që është e inskenuar dhe asaj që ndodh në mënyrë spontane është një prej elementeve më të veçanta të filmit. Përgatitjet për xhirim, përzgjedhja e fëmijëve, bashkëpunimi me banorët dhe vetë dështimet e vogla të procesit nuk fshihen nga filmi. 

 “Bukuria e Gomarit” është më pak film për luftën sesa film për gjurmët që lufta lë në kujtesë. Shkatërrimi i shtëpisë së Asllanit është vetëm pika fillestare e një pyetjeje më të thellë: çfarë ndodh me një njeri kur humbet vendin ku janë ruajtur kujtimet e tij? Dhe çfarë ndodh kur një pjesë e historisë familjare mbetet e pazgjidhur për dekada?

Filmi e çon këtë kërkim edhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku gjurmët e luftës shfaqen si materiale të mbetura të një dhune që vazhdon të ndikojë në jetën e atyre që e kanë përjetuar. Shtëpitë e djegura, muret e shkatërruara. dhe rrëfimet e dëshmitarëve krijojnë një kontrast të fortë me kujtimet e fëmijërisë së Asllanit.

Filmi bëhet edhe kërkim për gjyshen e regjisores, Dinoren, nënën e Asllanit, e cila mbetet e pagjetur. Ballafaqimi i Asllanit me dokumentet e vdekjes së saj dhe më pas me procesin e identifikimit përmes ADN-së e ndryshon krejtësisht tonin e filmit. 

Vetë Gjinovci ka thënë se prania e gjyshes në film e ka detyruar të rishikojë raportin e saj me historinë familjare.

“Shtresa e tretë lidhet me gjyshen time dhe, në njëfarë mënyre, lindi nga fakti që ajo ishte e pranishme në ekran. E kuptova gjithnjë e më shumë se nuk dija shumë për të dhe se kisha nevojë të dija më tepër për të”, ka thënë ajo.

Dinorja, e cila ishte vrarë në prill të vitit 1999 dhe ende konsiderohet e pagjetur, bëhet figurë që lidh tri kohë të filmit: fëmijërinë e Asllanit, luftën e Kosovës dhe të tashmen e vajzës së tij. 

Ayrıca Kriz zamanlarında ilham kaynağı olarak Mozart Kültür Kriz zamanlarında ilham kaynağı olarak Mozart

Për djalin e vogël që luan Asllanin, Leart Gjinovcin, regjisorja ka folur për një lloj përputhjeje intuitive që e kishte vërejtur qysh në fillim.

“Kjo ishte një lloj magjie dokumentare. Ai kishte një pjekuri të brendshme që mund ta ndieja. Pas kësaj pata një mendim disi të çuditshëm dhe thashë me vete: ‘Mendoj se ky është babai im’. Ky fëmijë kishte atë energji dhe, në fakt, doli se ishte e vërtetë. Në film luan edhe vëllai i tij, Diari, i cili kishte një energji krejtësisht tjetër. Edhe ai ishte shumë i talentuar, por nuk ishte i njëjti shpirt. Unë mund ta shihja këtë që në fillim. Ndërsa realizonim filmin me Leartin, ishte një nga ato përvoja kur nuk na u desh të përsërisnim asnjë skenë apo asnjë plan, sepse ai nuk e tepronte dhe as nuk e nëninterpretonte rolin. Gjithçka ishte gjithmonë pikërisht si duhet”, ka thënë Gjinovci.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka pasur edhe skenografia. Aurélia Martin, dizajnere dhe skenografe nga Parisi, e cila ka punuar në teatër, operë e film dhe ka bashkëpunuar me Gjinovcin në këtë projekt, është shprehur se e sheh filmin si proces të përbashkët me komunitetin.

“Një nga gjërat më të bukura të këtij filmi është se, në njëfarë mënyre, të gjithë banorët janë pjesë e tij, duke luajtur rolet e tyre si personazhe të rëndësishme. Prandaj, gjatë gjithë procesit kemi punuar shumë ngushtë me ta, si një bashkëkrijim, qoftë për disa nga skenat, qoftë për skenografinë shumë autentike, vendore. Gati 90 për qind të materialeve i kemi gjetur në vetë fshatin. Edhe me fëmijët kemi organizuar shumë punëtori, në mënyrë që t’i përfshinim në proces, dhe kjo ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka thënë Martin.

Ajo ka thënë se qëllimi nuk ishte vetëm rindërtimi fizik i një hapësire të humbur.

“Nuk bëhej fjalë thjesht për të ndërtuar apo rindërtuar një odë. Ideja ishte shumë më e gjerë: të kujdeseshim për komunitetin dhe të rikrijonim një shoqëri, sepse kjo është pjesa më e rëndësishme e gjithë procesit të ndërtimit”, ka thënë ajo. 

Skenat e inskenuara nuk kanë synuar të jenë perfekte. Kjo e ka bërë që dokumentari të ketë një dimension poetik.

Kjo mënyrë e trajtimit të historisë ka bërë përshtypje edhe te Blerta Zeqiri, regjisore dhe drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila e sheh filmin si vepër që arrin ta ndërthurë historinë e Kosovës me përvojën personale.

“Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe premierën e ka pasur vitin e kaluar në Cyrih. Kjo është hera e tretë, në fakt, që e shoh filmin, dhe jam fanse e madhe e tij. Më ka lënë shumë mbresa mënyra si e ka trajtuar gjithë historinë e Kosovës, të ekzilit, pastaj e ka futur edhe rrëfimin se çfarë është ky film. Pra, kam gjetur shumë gjëra që në mua kanë rezonuar shumë fuqishëm personalisht, si një person që e do filmin”, ka thënë Zeqiri.

“Bukuria e Gomarit” nuk kërkon ta mbyllë historinë që e ka nisur. Kërkimi për Dinoren mbetet i hapur. Ajo nuk është gjetur, dhe pikërisht kjo mungesë i jep filmit fundin që nuk ofron zgjidhje të lehtë. 

Edhe titulli i filmit merr dimension tjetër. Gomari që shfaqet në kujtimet e fëmijërisë së Asllanit është pjesë e një bote të thjeshtë, të papërsosur, por të ruajtur në mënyrë fanatike në kujtesë. 

Filmi është realizuar gjatë një periudhe të gjatë. 

“Xhirimet i nisëm në gusht të vitit 2022 dhe i përfunduam në shtator, përkatësisht tetor të vitit 2024. Kështu që, gjatë një periudhe të gjatë kohore, u rikthyem shumë herë në fshat”, ka treguar Gjinovci. 

Ayrıca Priştine, kaostan uzak bir şekilde, farklı bir gerçekliğe çağrı olarak resmedilmiştir. Kültür Priştine, kaostan uzak bir şekilde, farklı bir gerçekliğe çağrı olarak resmedilmiştir.

I mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe i realizuar si bashkëprodhim ndërmjet Kosovës, Zvicrës, Francës dhe Shteteve të Bashkuara, filmi ka tashmë rrugëtim ndërkombëtar në festivale, përfshirë premierën botërore në Cyrih dhe prezantime të tjera ndërkombëtare. 

Por në Prizren, përballë publikut që e zgjodhi si filmin më të mirë sipas shijes së tyre, filmi merr tjetër kuptim. E ndien atë më fort. Mbase edhe korrespondon me përjetimet personale e të të afërmeve.