TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Arben Bajraktaraj, hit "Blade Runner 2099"un yeni adamı

Arben Bajraktaraj - "Blade Runner 2099"

Arben Bajraktaraj në rolin e Mullerit në “Blade Runner 2099”. Skenë nga traileri i serialit

Historia e filmave fantastiko-shkencor, s’mund të shkruhet pa “Blade Runner” me Harrison Fordin dhe “Blade Runner 2049” ku Fordit iu bashkua edhe Ryan Gosling. Si vazhdimësi e këtyre dy filmave vjen seriali “Blade Runner 2099”, që parasheh shuarjen e një civilizimi dhe lindjen e një “njeriu të ri”. E “njeriu i ri” në këtë serial është edhe aktori shqiptar, Arben Bajraktaraj. “Personazhi që mishëroj te ‘Blade Runner 2099’ quhet Muller dhe, megjithëse nuk e dimë në fillim, më vonë kuptojmë se është replikant (njeri artificial, kopje e përkryer e njeriut). Në shqip do të tingëllonte ndoshta më saktë: kipc”, ka thënë Bajraktaraj për KOHËN

Personazhi i tij zë vend që në fillim të trailerit me të cilin po promovohet seriali që zgjon kureshtje të madhe. “Blade Runner 2099”, premiera e të cilit do të jetë më 25 nëntor, do ta çojë publikun në një tjetër dimension: atë të kopjeve të njeriut, krijuar nga teknologjia. Muller është njëri prej tyre. Në trailerin e këtij hiti fantastiko-shkencor ai ankohet se replikantët janë të pakënaqur, pasi pretendojnë se janë diçka që s‘janë.

“Mund të kthehemi atje ku përkasim”, thotë Muller. E kur pyetet se ku, përgjigjja është: “Te zotat”.
Personazhin e interpreton shqiptari nga Kosova, Arben Bajraktaraj, i cili numëron role në disa prej produksioneve kinematografike që kanë bërë për vete publikun në mbarë botën. Kësaj radhe, Bajraktaraj është pjesë e serialit me tetë episode, produksion i “Amazon MGM Studios” dhe “Alcon Entertainment”. Pikërisht me zërin e tij misterioz, nis edhe traileri. 

Seriali është vazhdim i historisë së filmave “Blade Runner” të vitit 1982 dhe “Blade Runner 2049” të vitit 2017, por kësaj radhe historia rrëfehet në format me më shumë hapësirë për zhvillimin e personazheve dhe të botës distopike. Ngjarjet zhvillohen në Los Angeles, në vitin 2099, 50 vjet pas ngjarjeve të “Blade Runner 2049”. Qyteti është riformësuar dhe shoqëria ndodhet në një gjendje të brishtë, në të cilën raporti mes njerëzve dhe qenieve artificiale ka ndryshuar rrënjësisht. Tashmë kontrollin e kanë qeniet artificiale. Jo pak xhirime janë bërë në Poloni. 

Kopjet njerëzore të prodhuara nga teknologjia, apo replikantët, vijnë në një formë tjetër. Ata bartin me vete atë që konsiderohet rrezik i madh kur flitet për inteligjencën artificiale: emocionet.

Në serialin me producent ekzekutiv Ridley Scott dhe nën regjinë e Jonathan van Tulleken, kopjet e njeriut janë ngritur kundër njerëzve dhe njerëzimi e ka humbur këtë përballje. Krijesat artificiale janë kthyer kundër krijuesve të tyre.

Cora (Hunter Schafer) është një e arratisur që kërkon të shpëtojë nga e kaluara. Ajo merr një identitet të ri dhe përfundon në rolin e një Blade Runner-i. Detyrohet të bashkëpunojë me Olwenin (Michelle Yeoh), një replikante që i ka mbetur pak kohë për të jetuar. Të dyja nisin të ndjekin një të arratisur që fsheh një sekret të fuqishëm. Zbulimi i tij mund ta shkatërrojë ekuilibrin e brishtë të qytetit.

Arben Bajraktaraj, aktori nga Kosova që jeton në Paris, interpreton gjithashtu një replikant në serial.
“Personazhi që mishëroj te ‘Blade Runner 2099’ quhet Muller dhe, megjithëse nuk e dimë në fillim, më vonë kuptojmë se është replikant (njeri artificial, kopje e përkryer e njeriut). Në shqip do të tingëllonte ndoshta më saktë: kipc”, ka thënë Bajraktaraj për KOHËN.

Ai ka treguar se ajo që e ka intriguar që në leximin e parë ishte fakti se personazhi i tij i kundërvihej dogmës zyrtare të pushtetit të plotfuqishëm të makinerisë së njerëzve-robotë.

“Ai është pjesë e rezistencës së fshehtë ndaj regjimit”, ka treguar Bajraktaraj.

Ai ka thënë se edhe procesi i përzgjedhjes për këtë rol ka qenë një rrëfim më vete, i cili ka marrë kohën e vet.

“Dhe i jam shumë mirënjohës agjentes sime, Anila Gajevic, regjisorit Jonathan van Tulleken, si dhe ‘showrunner’-es Silka Luisa, për mbështetjen e tyre”, ka thënë ai.

Bajraktaraj ka luajtur në disa produksione të njohura ndërkombëtare, ndër to “Harry Potter” dhe “Taken”. Aktori, i cili ka ndërtuar karrierë në teatër e në kinematografinë franceze, si dhe në produksione ndërkombëtare, ka lindur më 1973 në Isniq të Deçanit. Në rini ka jetuar për një periudhë në Maribor të Sllovenisë, para se të vendosej në Paris, ku zhvilloi një pjesë të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij artistike.

Ai njihet veçanërisht për interpretimin e Markos në filmin aksion “Taken” (2008), me Liam Neeson, si dhe të Antonin Dolohovit në sagën “Harry Potter”. Në kinematografinë e Ballkanit, ai njihet edhe për rolin e Dardan Berishës në serialin “Besa”. Tashmë, ai pritet t’i rikthehet publikut global me serialin e ri.

Këto ditë është intensifikuar promovimi i “Blade Runner 2099”.

Aktorja Michelle Yeoh, gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Busan të Koresë së Jugut, është përballur me interesim të madh të mediave për serialin. Para se të nisej drejt New Yorkut për ta promovuar projektin, ajo ka thënë se ai ofron mundësinë për ta çuar një histori deri në vitin 2099 dhe se kjo përbën një udhëtim të jashtëzakonshëm.

Në New York, Yeoh, së bashku me Hunter Schafer, Dimitri Abold, Lewis Gribben dhe Matthew Needham, drejtuesen e serialit, Silka Luisa, si dhe producentët ekzekutivë, Andrew Kosove dhe Broderick Johnson, morën pjesë në një panel, ku zbuluan disa detaje për atë që i pret fansat e “Blade Runner 2099”.

Sipas drejtueses së serialit, “Blade Runner 2099” i përgjigjet pyetjes se çfarë ndodh kur merr fund koha jonë si specie.

“Jemi 50 vjet pas ngjarjeve të vitit 2049 dhe lajmet janë të këqija. Ka ndodhur më e keqja. Kryengritja e replikantëve, e cila është paralajmëruar gradualisht në filma, ka ndodhur dhe njerëzit kanë humbur”, ka zbuluar Silka Luisa.

Sipas saj, seriali zhvillohet në një pikë kthese, kur një specie po zhduket dhe një tjetër po ngrihet.

“Një nga gjërat që më pëlqeu te filmi i parë ishte se ai e trajtonte vdekshmërinë në nivel individual. Roy Batty dhe replikantët e tjerë luftonin për të pasur më shumë jetë. Ky serial shtron të njëjtën pyetje, por në një shkallë shumë më të gjerë. Çfarë ndodh me njerëzimin kur kuptojmë se koha jonë po mbaron? A do ta pranojmë këtë humbje? A do të mund ta ruajmë njerëzoren brenda nesh gjatë këtij procesi?”, ka thënë ajo.

Gjatë prezantimit, producentët ekzekutivë kanë zbuluar se seriali do të trajtojë edhe mënyrën se si njerëzit dhe replikantët kërkojnë identitetin e tyre. Për njerëzit, bëhet fjalë për gjetjen e identitetit në një botë ku ata nuk janë më specia dominuese. Ndërkaq, sipas “The Hollywood Reporter”, replikantët përpiqen ta gjejnë identitetin e tyre në një botë ku janë bërë specia dominuese dhe të kuptojnë se si do të duket e ardhmja në këto rrethana.

“Seriali, në të vërtetë, flet për një lindje”, ka sqaruar Luisa.

“Flet për lindjen e një qyteti, të një shoqërie, të personazheve tanë; në thelb, është agimi i një epoke të re. Dhe kur mendoj për një lindje, mendoj për diçka të nxehtë, të lagësht, të ndritshme e kaotike. Pikërisht prej këtu lindi ideja për mjedisin ku zhvillohet ngjarja”, ka shpjeguar ajo.

Me skenografi 360-gradëshe, skenat ofrojnë një spektakël të vërtetë.

Bashkëproducenti ekzekutiv, Broderick Johnson, ka shpjeguar arsyet që e shtynë t’i bashkohej këtij ekipi, duke përmendur rëndësinë e fantashkencës.

“Fantashkenca e madhe, në të vërtetë, nuk flet për të ardhmen, por për të tashmen. Kur Silka erdhi të na takonte për herë të parë, disa vjet më parë, ideja se diçka tjetër mund t’i zëvendësonte njerëzit në majë të zinxhirit ushqimor, si të thuash, dhe pyetja se çfarë do të ndodhte me njerëzimin në atë pikë, na u dukën tema shumë domethënëse dhe të afërta me kohën tonë”, ka treguar ai. 

Drejtuesit e projektit kanë bërë të ditur se në serial, replikantët përballen edhe me kufizimet e ekzistencës së tyre.

“Replikantët ende nuk mund të mbeten shtatzënë. Nuk mund të plaken. Ata ende duan më shumë nga ajo që u është dhënë. I shohin të gjithë këta njerëz përreth dhe kuptojnë se ata kanë një jetë, të cilën replikantët ende nuk mund ta kenë”, ka thënë Silka Luisa.

Prezantimin ajo e ka përfunduar me një pyetje që qëndron në qendër të misterit të serialit: “Misteri ngre pyetjen se përse Merrick, dikush që luftoi dhe sakrifikoi për ta fituar gjithë këtë pushtet, tani po ia kthen shpinën dhe po largohet prej tij. Dhe pyetja është: për çfarë?”


Historia e “Blade Runner” dhe “Blade Runner 2049”

“Blade Runner” i realizuar më 1982 nën regji të Ridley Scott, zhvillohet në një Los Angeles distopik të vitit 2019. Rick Deckard (Harrison Ford), një ish-polic i njohur si Blade Runner, ngarkohet të gjurmojë katër replikantë, qenie artificiale të krijuara në ngjashmëri me njerëzit, të cilët janë kthyer në Tokë për të gjetur krijuesin e tyre. Përmes përballjes mes njerëzve dhe replikantëve, filmi trajton identitetin, kujtesën, vdekshmërinë dhe kufijtë e njerëzores. I mbështetur në romanin “Do Androids Dream of Electric Sheep?” të Philip K. Dick, filmi u shndërrua me kalimin e kohës në një vepër kult të zhanrit fantastiko-shkencor. Sipas “Box Office Mojo”, ka arkëtuar rreth 41.8 milionë dollarë (37.3 milionë euro) në mbarë botën. Ky nuk qe ndonjë sukses komercial, por filmi u bë referencë në zhanrin e tij. 
Kurse “Blade Runner 2049” i realizuar më 2017 nën regji të Denis Villeneuve, zhvillohet 30 vjet pas ngjarjeve të filmit të parë. K. (Ryan Gosling), një Blade Runner që është vetë replikant, zbulon një sekret të varrosur prej kohësh, i cili mund të ndryshojë ekuilibrin mes njerëzve dhe qenieve artificiale. Hetimi e çon te Rick Deckard, i zhdukur prej tri dekadash, të cilin e interpreton sërish Harrison Ford. Me një botë vizuale të zgjeruar dhe dilema filozofike mbi kujtesën, identitetin dhe të drejtën për të jetuar, filmi vazhdon universin e krijuar nga Scott. Sipas “Box Office”, projekti ka arkëtuar rreth 277.9 milionë dollarë (248 milionë euro) në mbarë botën. Të dy filmat kanë arkëtuar së bashku rreth 319.7 milionë dollarë (285.3 milionë euro).