TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Futbol

Arnavutluk - Finlandiya maçı birinciliği teyit edecek.

Arnavutluk

Shqipëria do ta ketë testin e parë të vështirë me përzgjedhësin e ri, Rolando Maran. 

Të shtunën në Helsinki nga ora 15:00, Shqipëria e zhvillon ndaj Finlandës ndeshjen e tretë të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve. 

Pas dy fitoreve në Grupin C1, Shqipëria kryeson me gjashtë pikë. Katër pikë i ka Finlanda në vendin e dytë. 

Rrjedhimisht ndeshja e së shtunës vlerësohet më e vështira për “kuqezinjtë” në këtë fushatë. Dhe mund ta vendosë edhe renditjen përfundimtare të grupit. 

Bjellorusia, me një pikë, dhe San Marino, pa pikë, janë dy përfaqësueset e tjera të grupit. 

Tekniku italian, Maran, e ka vlerësuar Finlandën si përfaqësuese të organizuar mirë. Atij i është kërkurar të krahasojë Finlandën me Bjellorusinë.

“Janë dy skuadra me sisteme të ndryshme loje, por të dyja janë të organizuara. Finlanda është një skuadër mjaft e vështirë për t’u përballur. Ngjajnë disi për sa i përket pozicionimit në fushë, pasi të dyja bllokojnë hapësirat që mund të krijosh si kundërshtar”, ka deklaruar Maran të premten në konferencë për shtyp. 

Shqipëria e mposhti Bjellorusinë në ndeshjen e parë me rezultatin 2:0, në Tiranë. Fitoi më pas 3:0 në udhëtim ndaj  San Marinos. Mbrojtja ka funksionuar mirë, por sfidën e vërtetë do ta ketë të shtunën pasdite. 

“Që të jemi kundërshtarë të denjë dhe konkurrues në grup, duhet të shtyjmë pak më tepër, që të gjithë lojtarët të japin më shumë se 100 për qind. Jemi me fat që kemi lojtarë me këto cilësi dhe karakteristika që mund të na shërbejnë për gjithë skuadrën”, është shprehur tekniku i “kuqezinjve”. 

Për Elseid Hysajn përballja ndaj Finlandës do të jetë e veçantë. Ai do ta kalojë shifrën jubilare të paraqitjeve për Shqipërinë. Ndaj Finlandës do të jetë ndeshja e 101-të në karrierë, prej se debutoi më 6 shkurt të vitit 2013 në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. 

Hysaj tha se Finlanda është e fortë, kurse për ta arritur objektivin, pozitën e parë në grup, duhet fitore. 

“Kemi skuadër shumë të fortë. Grupi është i fortë, me Finlandën dhe Bjellorusinë që janë pothuajse në të njëjtin nivel me ne. Është objektiv ynë që të kalonim këtë grup dhe të dilnim të parët, sepse jemi skuadër në evolucion dhe duhet të kërkojmë më shumë nga secili prej nesh. Kemi edhe trajnerin e ri, i cili po na ndihmon të zhvillojmë një lojë më të bukur dhe më sulmuese. Kështu që jam shumë i kënaqur”, tha Hysaj. 

32-vjeçari është pa klub prej korrikut, kur i përfundoi kontrata me Lazion. Ai ka thënë se është në bisedime me disa skuadra, por ende nuk ka vendosur se ku do të transferohet. 

“Kombëtarja më ndihmoi, pasi ishte momenti për të treguar se jam ende në formë. Kanë kaluar shumë muaj që nuk luaja dhe besoj se do të hapet diçka e re, pasi jam në bisedime me disa skuadra, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Jam i përqendruar te ndeshjet me Kombëtaren dhe më pas do të vendosim”, deklaroi Hysaj.

Shqipëria të martën përballet në “Air Albania” me San Marinon. 

Në shtëpi luan edhe më 12 nëntor ndaj Finlandës, ndërsa e mbyll edicionin e pestë të Ligës së Kombeve në udhëtim te Bjellorusia, më 15 nëntor. Ajo ndeshje luhet në Budapest.