TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Futbol

Osmani ve Kaçuri Kosova'da olmaktan mutlular.

Erblin Osmani

Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri deri të hënën kishin “vetëm” lidhje familjare me Kosovën. Tani me Kosovën i lidh edhe fanella “dardane”.

Të dy lojtarët e talentuar të hënën i janë bashkuar Kosovës për herë të parë.

Por kush janë dy lojtarët e rinj dhe çka thonë për Kosovën?

Para se t’i bashkohej Kosovës, talenti 17-vjeçar i Bayernit, Osmani, ka shënuar një gol në shtatë ndeshje për Gjermaninë U16, ndërsa në janar ka bërë dy paraqitje për Gjermaninë U17. 

“Kam dashur gjithmonë të luaj për Kosovën”, tha Osmani për FFK-në, menjëherë pas daljes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. 

“Jam shumë krenar që mund të luaj për Kosovën. Jam krenar që kam rastin të luaj për këtë shtet”.
Osmani thotë se Kosova ka potencial për të arritje ndërkombëtare.

“Uroj të arrijmë sa më lart me Kosovën. Kosova ka shumë potencial të arrijë shumë”, është shprehur mesfushori i lindur më 19 maj 2009 në Gjermani.

Osmani vlerësohet talent i madh, kurse tashmë ka debutuar për Bayernin në Bundesligë, ndaj Union Berlinit më 21 mars të këtij viti.

Së fundi luajti për herë të parë për ekipin e dytë të Bayernit. Pjesë e Akademisë së Bayernit është që nga viti 2017.

“Falënderoj Franco Fodan dhe Agim Ademin dhe gjithë stafin e Kosovës për ftesën dhe që më kanë pritur të gjithë shumë mirë. Sigurisht e falënderoj edhe klubin Bayernin që më ka ngritur kaq lart dhe uroj të arrij shumë me Kosovën”, është shprehur Osmani. 

Vendimi i talentit të Bayernit, Osmani, për të përfaqësuar Kosovën është vlerësuar humbje e madhe për Gjermaninë.

Edhe kalimi i Dion Kaçurit nga Zvicra te Kosova, nuk kaloi në heshtje.

Mediumet e shtetit helvetik shkruan se “Zvicra ka humbur një talent të së ardhmes”.

Mesfushori 22-vjeçar ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës. Për Shpresat e Zvicrës, Kaçuri ka tetë paraqitje e një gol. Nuk është përmendur si kandidat për Zvicrën A. 

“Jam shumë i lumtur që do të luaj për Kosovën. Provoj të jap maksimumin çdo ditë dhe ka qenë një vendim shumë i lehtë”, tha Kaçuri.

Aktualisht ai është tek Austria Lustenau, në huazim nga Baseli.

Për ekipin e parë të Baselit ka luajtur 22 ndeshje. Ka po ashtu 31 ndeshje për Grasshopperin dhe 17 ndeshje për Yverdonin. 

“Ka qenë lehtë, pasi prindërit e mi kanë lindur këtu, janë rritur këtu. Familjen e kam këtu dhe njëherë ose dy herë  në vit jam për pushim në Kosovë, prandaj ka qenë një vendim me zemër dhe vendim i lehtë për mua”, ka thënë Kaçuri.

Milot Avdyli po ashtu është ftuar për herë të parë te Kosova A. Më herët ishte pjesë e rëndësishme e Kosovës U21. 

“Pasi kam luajtur në të gjitha grupmoshat dhe kam qenë kapiten i ekipit U21, e kam pritur mjaft mirë ftesën dhe më është bërë realitet ëndrra”, ka thënë Avdyli.

24-vjeçari është shpërblyer për paraqitjet e mira te Celje në Slloveni.