TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Futbol

Muriqi: Fenerbahçe'ye, taraftarlara ve tüm Türkiye'ye bir hediye.

muriki

Vedat Muriqi ka udhëhequr kthimin e shumëpritur të Fenerbahçes në Ligën e Kampionëve. Muriqi të mërkurën shënoi gol për gjigantin turk që fitoi 2:1 në Francë ndaj Lyonit dhe bëri vend në fazën e ligës së Championsit. Ndeshja në Stamboll kishte përfunduar 1:1.

Fenerbahçe nuk ka luajtur për 18 vjet në Champions. Sulmuesi kosovar u kthye te Fenerbahçe këtë verë dhe menjëherë filloi me gjëra të mëdha.

“Është nder dhe burim i krenarisë për ne që ta dëgjojmë himnin e Ligës së Kampionëve në ‘Kadikoy’ pas gjithë këtyre vjetëve”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes, shkruan faqja zyrtare e Fenerbahçes.

“Ne jemi shumë të lumtur. Në intervistën që kemi dhënë para ndeshjes kemi besuar se, me dëshirën e Zotit, do të kemi paraqitje të mirë dhe do të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Jemi bashkuar pas ndeshjes me Konyasporin. Ajo fitore rriti moralin tonë. Kemi pasur unitet të pabesueshëm. Përkundër kohës së shkurtër, kemi luftuar fort. Jemi munduar të lëmë anash emocionet. Jemi profesionistë, jemi me përvojë. Nuk duhet të shikosh në ndeshje me emocione”, ka shtuar sulmuesi i fuqishëm.

Muriqi nuk ka pasur fazë të mirë përgatitore. U lëndua në ditët e para. Por punoi fort për rikuperim dhe gradualisht mori veten. Shënoi gola në dy ndeshjet e fundit. Dhe goli në Lyon do t’i sigurojë edhe më shumë mbështetje nga tifozët e Fenerit, që edhe ashtu është maksimale.

Muriqi ka thënë se ndeshjen e kanë nisur mirë, ndërsa në pjesën e dytë kanë pasur disa rënie. 

“Por ndonjëherë edhe fati është i rëndësishëm në futboll. Jemi të gjithë të lumtur dhe krenarë. Është dhuratë për gjithë komunitetin e Fenerbahçes, tifozët dhe gjithë Turqinë”.

Ai ka përshkruar golin që e realizoi, ndërsa është shprehur shumë i lumtur. 

“Është nder ta kem emrin e shënuar në ekipin që shkroi emrin e Fenerbahçes në Ligën e Kampionëve pas kaq shumë vjetësh”, ka thënë ylli dardan.

Muriqi shkëlqeu edicionin e kaluar në La Liga. I realizoi plot 23 gola, por Mallorca nuk siguroi mbetjen në elitën spanjolle. Dhe 32-vjeçari vendosi ta pranojë ofertën e Fenerbahçes, që e ka kërkuar për kohë të gjatë. Vendimi po del të jetë i qëlluar, për të dy palët. Goli i së mërkurës ishte i pari i Muriqit në futbollin evropian të klubeve.