TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Futbol

Kosova futbolu için önemli bir proje olan "FIFA Akademisi" açıldı.

FIFA Akademisi

Në kampin nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali të martën është mbajtur ceremonia e inaugurimit të “FIFA Academy”. 

Inaugurimi i “FIFA Academy” u vlerësua moment i rëndësishëm për futbollin kosovar. Është Akademia e parë e këtij lloji në rajon, e treta në Evropë dhe njëra prej vetëm 15 akademive të krijuara nga FIFA në mbarë botën.

Qëllimi i “FIFA Academy” është t’u ofrojë lojtarëve të rinj nivelin më të lartë të trajnimit, edukimit dhe zhvillimit, në mënyrë që të arrijnë potencialin e tyre të plotë si sportistë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm të futbollit në vend.

Është njëra nga katër akademitë e talenteve të FIFA-s që aktualisht janë aktive brenda UEFA-s, duke u dalluar mes 58 akademive të talenteve të FIFA-s që tashmë funksionojnë në nivel global.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka cilësuar si moment shumë të veçantë e inaugurimin e “FIFA Academy”.

“Është një ditë e veçantë për Kosovën. Sot në Kosovë po inaugurohet ‘FIFA Academy’ e cila do të nxjerrë futbollistë dhe futbolliste të këtij vendi të cilët një ditë, ndonjëri prej tyre do ta vesh fanellën e Përfaqësueses së Kosovës. Është një ditë e veçantë pasi që ‘FIFA Academy’ është e Kosovës, është e para në rajon, e para në Ballkan, është e treta në Evropë, dhe është e 15-ta në botë në konkurrencën e 211 federatave sa i ka FIFA. Prandaj është shumë i rëndësishëm besimi i FIFA-s që na ka mundësuar të krijojmë kushte për talentet tanë”, ka thënë Ademi.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Sportit dhe i Rinisë, Blerim Gashani, ka thënë se kjo akademi përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit dhe të talenteve në Kosovë.

“Është kënaqësi të jem këtu bashkë me ju në një ngjarje që shënon një moment të rëndësishëm për futbollin dhe sportin në Kosovë, në inaugurimin e ‘FIFA Talent Academy Kosova’. Kjo akademi është një hap përpara në zhvillimin e futbollit dhe përfaqëson investim në potencialin e të rinjve tanë, në profesionalizmin e sportit dhe në krijimin e mundësive që talentet e Kosovës të zhvillohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, ka deklaruar Gashani. 

Knsulenti teknik rajonal i FIFA-s, Tomas Danilevicius, ka treguar pse është e rëndësishme “FIFA Academy”. 

“Në vitin 2020, FIFA zhvilloi një analizë të madhe, në të cilën morën pjesë 205 nga 211 federata anëtare. Pas kësaj analize, duke u bazuar në gjetjet dhe rekomandimet kryesore, FIFA vendosi të nisë një program, sepse u pa qartë se në mbarë botën nuk po u jepej mundësi e mjaftueshme talenteve.  Çdo talent ka nevojë për një mundësi për të luajtur futboll. Dhe në vitin 2023, në Kongresin e FIFA-s, u prezantua ky program, të cilin tani e njohim si ‘Skema për Zhvillimin e Talenteve’.Dhe më kujtohet se në vitin 2024, kur Kosova mori pjesë në projektet e para të kësaj skeme, Federata e Futbollit të Kosovës ishte shumë aktive në këtë drejtim”, u shpreh Danilevicius. 

Akademia e Talenteve të FIFA-s në Prishtinë është plotësisht funksionale që nga fillimi i vitit 2026.