TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Futbol

Diatta, Priştine ile büyük başarılara imza atacağına inanıyor.

Assane Diatta

Assane Diatta është njëri prej figurave kryesore të Prishtinës në këtë edicion të Superligës së Kosovës. Formën e mirë e ka dëshmuar me shtatë golat e realizuar që e bëjnë atë më të mirin aktualisht në këtë statistikë. Diatta shënoi edhe në përballjen e fundit ndaj Malishevës, ish-klubit të tij, në barazimin 1:1 në xhiron e kaluar.

Diatta iu bashkua Prishtinës në mesin e korrikut të këtij viti, pikërisht nga Malisheva. Në edicionin e kaluar ai pati 11 gola e shtatë asistime. Sulmuesi senegalez i krahut e ka vazhduar formën e mirë edhe në fillim të këtij sezoni me kryeqytetasit. Prishtina ka gjashtë fitore e dy barazime dhe është skuadra e vetme pa humbje. Me 20 pikë është e dyta por e ka edhe një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Dritës. 20 pikë i ka edhe Malisheva lidere, me një ndeshje më shumë të luajtur. 

Prishtina do të sfidohet shumë të hënën në xhiron e 10-të të Superligës, pasi luan në Suharekë ndaj Ballkanit. 

Diatta të shtunën për KOHËN ka thënë se është i lumtur për formën aktuale. Por synim e ka të arrijë suksese me klubin, e të përmirësohet sa më shumë. Golin ndaj Malishevës e ka vlerësuar të veçantë. 

“Po, ishte një moment i veçantë për mua sepse kam respekt për Malishevën. Isha i lumtur që shënova gol, por më e rëndësishmja ishte ta ndihmoja ekipin tim. Arritëm të merrnim një pikë në udhëtim. Nuk ishte rezultat i keq. Gjithashtu, jam shumë i lumtur me fillimin e sezonit. T’i shënosh shtatë gola dhe të jesh golashënuesi më i mirë i kampionatit është një ndjenjë e veçantë dhe më jep edhe më shumë vetëbesim”, ka thënë 26-vjeçari. 

Diatta, që si futbollist u zhvillua te skuadra senegaleze, ETICS de Mboro, nuk e fsheh ambicien për të bërë hapin e radhës në karrierë. Ëndërron të luajë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Ai karrierë ka bërë edhe për Pikinen, Teunguethin dhe Guediaëayen në Senegal dhe te Karsiyaka në Qipro. Ka luajtur edhe te Gostivari në Maqedoninë e Veriut. 

Diatta thotë se aktualisht është i përqendruar te Prishtina, klub të cilin e vlerëson shumë. 

“Ndihem shumë mirë te Prishtina. Është një klub i madh, me histori të pasur, ndërsa tifozët, ‘Plisat’, janë të jashtëzakonshëm. Ndihem i motivuar për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Besoj se kemi cilësinë e duhur për të arritur gjëra të mëdha këtë sezon”, ka shtuar ai.