TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
DÜNYA

Putin üçlü görüşmelere yeniden başlamayı kabul etti.

Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, është pajtuar për rifillimin e bisedimeve trepalëshe të paqes me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara, të ndërmjetësuara nga Washingtoni, të cilat mund të nisin që në muajin e ardhshëm. Lajmi u bë i ditur nga Kremlini pas takimit të Putinit me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, në St. Petersburg

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, është takuar në St. Petersburg me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i diskutuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Gjatë takimit, Witkoff i kërkoi udhëheqësit rus ta shqyrtonte mundësinë e rifillimit të negociatave trepalëshe mes Washingtonit, Moskës dhe Kievit.

I dërguari amerikan u shpreh se, edhe nëse nuk do të arrihej një marrëveshje e menjëhershme, takimi mund të ndihmonte në përcaktimin e hapave të ardhshëm. Ai theksoi se bota pret rezultate nga përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

Pas takimit, Kremlini bëri të ditur se Putini ka rënë dakord për rifillimin e negociatave të paqes mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Washingtoni, që në muajin e ardhshëm.

Sipas Kremlinit, negociatat e reja trepalëshe mund të zhvillohen në Abu Dhabi, në nivel teknik, dhe do të përqendrohen në mënyrat për të garantuar sigurinë e Ukrainës dhe Rusisë pas përfundimit të luftës.

Ato mund të nisin më 10 nëntor ose pas kësaj date. Takimi në St. Petersburg ishte hera e nëntë që Witkoff takohej personalisht me presidentin rus, në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në takim u diskutua edhe kriza me Iranin. Putini tha se Moska ka marrëdhënie të veçanta me Teheranin, të ndërtuara gjatë disa dekadave, dhe u shpreh i gatshëm t’i shfrytëzojë këto lidhje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

“E dini se kemi marrëdhënie të veçanta dhe të bazuara në besim me Iranin, partnerin dhe mikun tonë, të cilat janë zhvilluar gjatë dekadave. Nëse mund të bëjmë diçka për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës, do ta bëjmë me kënaqësi”, ka deklaruar presidenti Putin.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte furnizimi me karburant dhe plehra kimike. Witkoff falënderoi Putinin për vendimin për t’i hequr kufizimet ndaj eksporteve ruse të naftës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në një periudhë të karakterizuar nga tronditje ekonomike.

“Vendimi juaj për t’i hequr kufizimet ndaj eksporteve të naftës nga Rusia dhe për ta shitur atë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në tregjet e tjera, ishte shumë i rëndësishëm. E di se presidenti Trump është thellësisht mirënjohës për këtë, ashtu si fermerët tanë dhe njerëzit e tjerë që përdorin naftën, përfshirë transportuesit. Mirënjohës janë edhe njerëzit në mbarë botën. Ky është një shembull i bashkëpunimit tonë”, ka theksuar i dërguari i presidentit amerikan.

Në sfondin e këtyre përpjekjeve diplomatike, Trumpi përshëndeti edhe lirimin nga Rusia të shtetasit amerikan Stephen Hubbardit, pas një kërkese që, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ia kishte paraqitur Putinit gjatë një bisede telefonike javën e kaluar. Trumpi tha se Hubbard ishte rrugës për t’u kthyer te familja e tij dhe pretendoi se lirimi u bë pa pasur nevojë për shkëmbim të të burgosurve.

Takimi në St. Petersburg u zhvillua një ditë pasi Witkoff ishte takuar në Oslo me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa udhëheqës evropianë.

Megjithatë, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë dallime të mëdha për kushtet e paqes, ndërsa presidenti amerikan po shton presionin ndaj Ukrainës që të pranojë një marrëveshje. Rifillimi i negociatave mbetet një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, por mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë një zgjidhje që mund t’i japë fund luftës.