Bota ka hyrë në një “zonë të rrezikshme të kushteve ekstreme të motit”, ndërsa pasojat e fenomenit El Nino kanë filluar të ndihen në mbarë botën, ka paralajmëruar kreu i OKB-së, Antonio Guterres.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi këtë fenomen natyror të motit, duke treguar se ai mund të jetë më i fuqishmi në më shumë se 70 vjet dhe të zgjasë të paktën deri në shkurt të vitit 2027.
El Nino ndryshon kushtet e motit në të gjithë botën, duke sjellë thatësira në disa rajone, ndërsa në të tjera shkakton tajfune më të fuqishme dhe përmbytje.
Parashikuesit e motit thonë gjithashtu se El Nino do të rrisë temperaturat në disa zona, duke iu shtuar ngrohjes globale që po shkaktohet nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
“El Nino po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha para syve tanë. Shkenca nuk lë vend për dyshime: planeti ndodhet në ujëra të paeksploruara dhe këto ujëra po ngrohen”, tha Guterres.
Sistemet e paralajmërimit të hershëm janë forcuar, ndërsa është rritur edhe angazhimi paraprak i ndihmës mjekësore. Megjithatë, fuqia e këtij fenomeni të veçantë ka ngritur shqetësime serioze, veçanërisht për grupet më të cenueshme.
WMO-ja e cila është agjenci e OKB-së tha se ka ndërmarrë një “mobilizim të madh” për të shpërndarë parashikimet e saj mbi ngjarjet e mundshme ekstreme të motit të lidhura me El Ninon në sa më shumë komunitete që të jetë e mundur.
Sekretarja e Përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo, paralajmëroi: “El Nino ka potencialin t’u shkaktojë një goditje të madhe komuniteteve dhe ekonomive në mbarë botën.”