TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
DÜNYA

Yapay zekâ alanındaki küresel yarış: Çin mi, ABD mi?

yapay zeka

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara ndërtimi i qendrave të të dhënave po shkakton debate dhe kundërshtime, Kina po investon me ritme të shpejta në këtë sektor. Me energji të bollshme dhe kosto më të ulëta, Pekini synon të forcojë pozitën në garën globale për dominimin e inteligjencës artificiale

Zona ngjan me një qytet futurist. Qendra të mëdha të të dhënave, disa të përfunduara e të tjera ende në ndërtim, janë ngritur mes fushave me luledielli dhe sorgumit. Ato shtrihen në një hapësirë të gjerë, që më parë dominohej nga tokat bujqësore.

Në muret e ndërtesave dallohen emrat e disa prej kompanive më të mëdha kineze të teknologjisë, si gjiganti i pajisjeve Huawei, platforma e rrjeteve sociale Kuaishou dhe ofruesi i shërbimeve VNET. E gjithë zona është kthyer në një kantier të madh, ku puna vazhdon pa ndërprerë.

Ky është Ulanqab, një qytet në Mongolinë e Brendshme të Kinës, pranë shkretëtirës së Gobit. Qyteti po shndërrohet me shpejtësi në një nga qendrat kryesore të të dhënave që mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale në Kinë. Ky zhvillim e ka kthyer vendin në rivalin e vetëm serioz të Shteteve të Bashkuara në garën për dominimin e kësaj teknologjie. Në këtë qytet me më pak se dy milionë banorë, është planifikuar ndërtimi i afro 90 qendrave të të dhënave.

Sipas një studimi të Universitetit Stanford, vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kishin rreth dhjetë herë më shumë qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale sesa Kina. SHBA-ja ka gjithashtu një kapacitet shumë më të madh kompjuterik.

Kompanitë amerikane kanë një avantazh të rëndësishëm: qasjen në çipat më të përparuar. Ata janë një nga elementet më të rëndësishme për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, Ulanqab tregon se edhe Kina ka përparësitë e saj në këtë garë teknologjike, e cila mund të përcaktojë zhvillimet e shekullit të 21-të.

Ndërtesat gjigante këtu janë ngritur me ritëm të jashtëzakonshëm. Pjesa më e madhe e parkut industrial të të dhënave Bayin u ndërtua brenda vetëm dy vjetësh. Kjo dëshmon aftësinë e Kinës për të realizuar projekte të mëdha në një kohë të shkurtër.

Zona ka gjithashtu kushte të favorshme për prodhimin e energjisë së lirë dhe të pastër. Erërat e forta, dielli dhe hapësirat e gjera krijojnë mundësi për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme dhe për ndërtimin e objekteve të mëdha.

Një tjetër avantazh është mungesa e kundërshtimeve nga banorët ndaj ndërtimit të qendrave të të dhënave. Në Kinë, ku vendi drejtohet nga Partia Komuniste, nuk ka protesta të tilla si ato që janë shfaqur në Shtetet e Bashkuara.

“Me krahë hapur”

Gjatë një dite pune në parkun industrial Bayin, punëtorët e ndërtimit kalonin përmes pikave të kontrollit, ku u skanoheshin fytyrat para se të hynin në kantier. Ndërkohë, kamionët transportonin vazhdimisht materiale për objektet që po ndërtoheshin.

Jashtë zonës, tregtarët shisnin ushqime dhe cigare në tezga të improvizuara.

Zhurma e ndërtimeve nuk dukej se i shqetësonte banorët që jetonin aty pranë. Disa prej tyre thanë për CNN se projektet e reja u kishin sjellë më shumë të ardhura. Ato kanë tërhequr edhe shumë punëtorë nga zona të tjera të vendit, duke gjallëruar ekonominë lokale, e cila më parë mbështetej kryesisht te bujqësia.

“Dikur rrinim dhe prisnim të vinin klientët. Tani jemi vazhdimisht të zënë, duke marrë porosi dhe duke u marrë me punë të ndryshme. Mezi gjejmë kohë për pushim”, tha Ma Rong, 56 vjeç, e cila prej 30 vjetësh drejton një dyqan ushqimor dhe një bujtinë në zonë.

Ajo tha se biznesi i saj po ecën shumë më mirë se më parë.

Ndryshimet kanë sjellë edhe vështirësi për disa banorë. Liu Baoping, 58 vjeç, i cili zotëron një restorant, u detyrua të largohej nga vendndodhja e mëparshme për shkak të prishjes së një rruge. Megjithatë, ai thotë se numri i klientëve të tij është dyfishuar që nga zgjerimi i qendrave të të dhënave.

“Ambientit nuk është më aq i pastër sa më parë, por të ardhurat e njerëzve dhe ekonomia janë përmirësuar shumë”, tha ai.

Zhvillimi i Ulanqabit është pjesë e planit të Pekinit për të zgjeruar me shpejtësi infrastrukturën e të dhënave. Qeveria kineze e konsideron inteligjencën artificiale një motor të rëndësishëm për rritjen ekonomike, në një kohë kur ekonomia po ngadalësohet dhe popullsia po tkurret.

“Kina e ka përqafuar inteligjencën artificiale me krahë hapur”, tha presidenti kinez, Xi Jinping, në një konferencë ndërkombëtare për inteligjencën artificiale, të mbajtur në Shangai në korrik.

Ai foli për planet për përdorimin e kësaj teknologjie në sektorë të ndryshëm, nga shëndetësia te produktet shtëpiake. Xi vlerësoi gjithashtu përpjekjet për përfshirjen e inteligjencës artificiale në prodhim, duke i cilësuar ato si një nga shenjat dalluese të modernizimit të Kinës.

Sipas statistikave zyrtare, më shumë se 700 milionë njerëz në Kinë përdorin tashmë inteligjencën artificiale. Por përdorimi i saj në industri, prodhim dhe jetën e përditshme kërkon kapacitete të mëdha kompjuterike.

Muajin e kaluar, Pekini njoftoi një plan investimesh prej 560 miliardë dollarësh për zgjerimin e infrastrukturës së informacionit, përfshirë qendrat kompjuterike, gjatë pesë vjetëve të ardhshme.

Edhe kompanitë private kineze po rrisin investimet në këtë fushë. Megjithatë, ato mbeten shumë prapa konkurrentëve të tyre në Silicon Valley, në Shtetet e Bashkuara.

Sipas kompanisë kërkimore Rhodium Group, investimet e kompanive kineze të listuara në bursë pritet të dyfishohen këtë vit, duke arritur rreth 139 miliardë dollarë. Megjithatë, kjo shumë është më pak se një e pesta e 800 miliardë dollarëve që kompanitë amerikane pritet të investojnë në qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale.

Por paratë nuk janë pengesa e vetme për Kinën.

Kompanitë kineze përballen edhe me mungesën e pajisjeve më të përparuara. Kufizimet amerikane për eksportin ua vështirësojnë blerjen e çipave të avancuar, si disa modele të prodhuara nga Nvidia dhe AMD. Ndërkohë, Pekini ka kufizuar importin e disa çipave më pak të fuqishëm.

Prodhuesit vendas po përpiqen të arrijnë nivelin e teknologjisë amerikane, por ende mbeten prapa. Edhe furnizimi me modelet e tyre më të përparuara është i kufizuar.

“Nëse shohim kostot e përgjithshme të ndërtimit të një qendre të të dhënave, çipat janë elementi më i rëndësishëm. Dhe Kina nuk ka mjaftueshëm prej tyre”, tha Nick Corvino, studiues në organizatën Carnegie Endowment for International Peace.

Megjithatë, Kina po përpiqet t’i kompensojë këto mangësi me një avantazh tjetër: energjinë e bollshme dhe të lirë, një pjesë e madhe e së cilës vjen nga burime të ripërtëritshme.

Energji e tepërt

Ndërsa qendrat e të dhënave, që konsumojnë sasi të mëdha energjie, po ushtrojnë presion mbi rrjetin elektrik të vjetruar të SHBA-së, Kina po zgjeron me shpejtësi kapacitetet e saj. Nga viti 2022 deri në vitin 2025, vendi shtoi kapacitete energjetike të barasvlershme me të gjitha burimet industriale të prodhimit të energjisë në SHBA, deri në fund të vitit 2025.

Kina ka më shumë energji të pastër sesa mund të shfrytëzojë. Sipas një studimi të dy organizatave të pavarura, në gjysmën e parë të vitit 2026, vendi shpërdoroi aq shumë energji të tepërt nga era dhe dielli, sa do të mjaftonte për të furnizuar me energji të gjithë Meksikën për një vit.

Pekini synon që këtë energji të pashfrytëzuar ta përdorë për furnizimin e qendrave të të dhënave. Shumë prej tyre po ndërtohen në zonat rurale në perëndim të Kinës, ku ka më shumë hapësirë, diell dhe erë. Në të njëjtën kohë, qeveria synon të mbështesë industrinë vendase të teknologjisë së gjelbër.

Kjo strategji njihet si “Të dhënat nga lindja, përpunimi në perëndim”. Ajo u prezantua në vitin 2022. Në kuadër të saj, Kina ka përcaktuar tetë qendra kombëtare të informatikës, disa prej të cilave ndodhen në perëndim të vendit, si dhe dhjetë zona të mëdha për qendrat e të dhënave.

Plani i fundit pesëvjeçar ekonomik i Kinës e forcon më tej këtë qasje. Ai parashikon që ndërtimi i infrastrukturës kompjuterike të ecë paralelisht me zgjerimin e prodhimit të energjisë së pastër.

“Kina po përpiqet të përfitojë nga përvoja e saj në ndërtimin e shpejtë të infrastrukturës energjetike”, tha Kyle Chan, studiues në Institutin Brookings.

“Ndërsa në SHBA, rrjeti elektrik nuk është zgjeruar në këtë shkallë prej shumë kohësh. Për këtë arsye, vendi po përballet me vështirësi si në prodhimin e energjisë, ashtu edhe në lidhjen e objekteve të reja me rrjetin”, shtoi ai.

Energjia e bollshme mund ta ndihmojë Kinën të kompensojë edhe dobësitë e çipave të saj. Prodhuesit vendas, si Huawei, po bashkojnë grupe çipash për të krijuar kapacitete kompjuterike të krahasueshme me ato të teknologjive më të përparuara.

Sipas ekspertëve, kjo metodë mund të funksionojë për disa detyra, por kërkon shumë më tepër energji elektrike.

Megjithatë, edhe me energji të bollshme, planet e Pekinit kanë kufizimet e tyre.

Disa qendra kompjuterike në perëndim janë shumë larg qyteteve të mëdha në lindje të vendit. Kjo mund të shkaktojë vonesa në përpunimin e të dhënave për detyra që kërkojnë përgjigje të menjëhershme.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për të ashtuquajturat “qendra fantazmë të të dhënave”. Bëhet fjalë për projekte të ndërtuara në zona rurale për të përmbushur objektivat e qeverisë, por që nuk kanë pajisjet e nevojshme ose klientë të mjaftueshëm për të justifikuar investimin.

Megjithatë, në disa zona të Mongolisë së Brendshme, plani i Kinës po merr formë. Kabllot optike mundësojnë transmetimin e të dhënave drejt Pekinit, rreth 320 kilometra larg, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Ndërkohë, kompanitë kryesore të teknologjisë po investojnë shuma të mëdha në këto qendra.

“Të jemi gati për të ardhmen”

Mongolia e Brendshme ka qenë prej kohësh një nga rajonet kryesore të Kinës për prodhimin e qymyrit. Por vitet e fundit, kjo zonë me erëra të forta është shndërruar edhe në një qendër të rëndësishme të energjisë së pastër.

Fusha të tëra janë mbuluar me panele diellore, ndërsa turbinat e erës rrotullohen mbi kullotat ku kullosin delet. Në disa pjesë të autostradave, fletët e papërdorura të turbinave janë vendosur përgjatë rrugës. 

Në Ulanqab, që është pjesë e një prej dhjetë zonave kombëtare të qendrave të të dhënave, gati gjysma e energjisë së rrjetit vjen nga era dhe dielli. Disa kompani po gjejnë mënyra për të përdorur edhe më shumë energji të pastër.

Disa kilometra larg parkut industrial Bayin, ku ndërtimet vazhdojnë me ritëm të lartë, kompania Envision po zhvillon një projekt të tillë, të quajtur “Galaxy Campus”.

Qendra do të shtrihet në një sipërfaqe sa më shumë se 20 fusha futbolli. Kur të përfundojë, pritet të jetë ndër qendrat më të mëdha të të dhënave në botë për nga sipërfaqja.

Aty do të vendosen serverë dhe çipa të kompanive të teknologjisë. Ata do të përpunojnë kërkesat që përdoruesit u dërgojnë aplikacioneve të inteligjencës artificiale, përfshirë edhe ata që ndodhen në qytete si Pekini.

Sipas kompanisë, më shumë se 80 për qind e energjisë që do të përdorë qendra do të vijë drejtpërdrejt nga parqet eolike që ajo administron. Kjo do të bëhet pa kaluar përmes rrjetit të përgjithshëm elektrik.

Sistemet me bateri do të ruajnë energjinë e prodhuar nga era. Ndërkohë, një transformator i avancuar në gjendje të ngurtë do të rregullojë shpejt sasinë e energjisë që furnizon serverët, në varësi të kërkesës.

Këtë e shpjegoi Ricky Zheng, drejtuesi i përgjithshëm i qendrës, i cili i tregoi CNN-it objektin që është ende në ndërtim.

Edhe përdorimi i ujit, një çështje që ka shkaktuar kundërshtime ndaj qendrave të të dhënave në SHBA, sipas Zhengut nuk përbën problem në këtë rast.

Klima e ftohtë e Ulanqabit e zvogëlon nevojën për ftohje. Për më tepër, qendra po përdor një sistem të quajtur “zero ujë”, i cili shfrytëzon alkool industrial për ftohjen e pajisjeve, tha ai.

Zheng u shpreh optimist edhe për kërkesën e kompanive të teknologjisë dhe mundësinë që ato t’i pajisin serverët me pajisjet e nevojshme.

Sipas tij, faza e parë e projektit, i cili synon të arrijë një kapacitet total prej dy gigavatësh, është rezervuar plotësisht. 

“Çipat dhe serverët e inteligjencës artificiale janë në pronësi të klientëve tanë. Kur ata na kërkojnë të ndërtojmë një qendër kaq të madhe të të dhënave, janë të bindur se kanë pajisje të mjaftueshme për t’i vendosur në këta serverë”, tha Zheng.

Ashtu si vetë Ulanqabi, edhe kompania Envision po përgatitet për rritjen e pritshme të kërkesës për inteligjencën artificiale në vitet e ardhshme.

“Ne e kemi projektuar këtë qendër për dhjetë vitet e ardhshme. Duhet të përgatitesh për të ardhmen”, tha Zheng.