TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
DÜNYA

Rusya içinde Putin'e karşı yürütülen gizli sabotaj dünyası.

sabotaj

Dy rusë që pretendojnë se punojnë fshehurazi për inteligjencën ukrainase kanë zbuluar detaje mbi operacionet kundër objektivave ushtarake në Rusi. Ata thonë se mbledhin informacione për zyrtarë të lartë dhe ndihmojnë në përgatitjen e sulmeve, me synimin për të dobësuar regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin

Dy burra rusë, që punojnë fshehurazi për shërbimet e inteligjencës ukrainase, kanë rrëfyer për operacionet ku pretendojnë se janë përfshirë. Sipas tyre, këto operacione kanë pasur në shënjestër pajisje ushtarake dhe personel të ushtrisë brenda territorit rus.

Njëri prej tyre, të cilit BBC-ja i referohet si Ivan, pretendon se ka ndihmuar nga brenda Rusinë në sulmet me dronë të Ukrainës kundër bombarduesve strategjikë dhe fabrikave të municioneve në vendin e tij.

Ai është pjesë e dokumentarit të BBC World Service, që hedh dritë mbi botën e fshehtë të rusëve të angazhuar në sabotazhe. Dokumentari është realizuar nga gazetari i pavarur polak, Marcin Mamon.

Në të shfaqet edhe një tjetër rus, të cilit BBC-ja i referohet si Foma, që jeton në mërgim në Poloni. Ai thotë se drejton një rrjet vullnetarësh që veprojnë në fshehtësi brenda Rusisë. Sipas tij, këta persona mbledhin informacione dhe vëzhgojnë zyrtarë të lartë ushtarakë, të cilët shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase, GUR, po shqyrton mundësinë t’i vendosë në shënjestër. Foma thekson se vullnetarët e tij nuk përfshihen asnjëherë drejtpërdrejt në sulme.

Ai nuk pranoi të jepte shumë hollësi për personat që vëzhgonin. Megjithatë, pas vrasjes së gjenerallejtënantit Fanil Sarvarov në Moskë, në dhjetor të vitit të kaluar, Foma pranoi se u kishte dhënë ukrainasve informacione për të.

Më herët ka pasur raportime në media për grupe ruse të përfshira në sabotazhe, por janë të rralla rastet kur gazetarët arrijnë të kontaktojnë persona që veprojnë drejtpërdrejt brenda Rusisë, si Ivani, i cili tregon për aktivitetet ku pretendon se ka marrë pjesë.

GUR-i ka konfirmuar se Ivani dhe Foma punojnë për këtë agjenci, por ka pranuar se nuk mund të ketë një pamje të plotë të gjithçkaje që bëjnë ata. Kur u pyet nëse mund t’i besohej Ivanit, personi që e drejtonte atë u përgjigj: “Nuk jam i sigurt për askënd, përveç vetes”.

Si shërbimi ukrainas i inteligjencës, ashtu edhe dy burrat, tregohen të kujdesshëm në lidhje me informacionet që bëjnë publike. Për këtë arsye, është e pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur nëse operacionet që ata përshkruajnë kanë ndodhur vërtetë.

Megjithatë, taktikat e përgjithshme për të cilat flasin Ivani dhe Foma janë pranuar edhe nga autoritetet ukrainase. Kievi ka folur hapur për strategjinë e sulmeve të koordinuara me dronë kundër objektivave që i konsideron të ligjshme brenda Rusisë, si dhe ka pranuar se përdor agjentë të fshehtë për këtë qëllim.

Që nga fillimi i luftës, në Rusi janë kryer edhe disa atentate ndaj figurave të rëndësishme. Si qëndrim zyrtar, Ukraina nuk i pranon dhe nuk merr përgjegjësinë për sulme të tilla. Megjithatë, një zyrtar i inteligjencës ukrainase i kishte thënë më parë BBC-së se Kievi qëndronte pas vrasjes së gjenerallejtënantit Igor Kirillov, një figurë e lartë ushtarake ruse, në dhjetor të vitit 2024.

Është e vështirë të përcaktohet se sa rusë janë përfshirë në aktivitete të tilla në shërbim të Ukrainës. Sipas Fomës, numri i tyre shkon nga 300 deri në 500 persona, por ky pretendim nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Kundër regjimit të Putinit

Ivani dhe Foma thonë se kundërshtojnë jo vetëm luftën e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe regjimin e presidentit Vladimir Putin. Ata besojnë se e ardhmja politike e Putinit varet nga rezultati i luftës.

“Për momentin, mendoj se regjimi i Putinit mund të bjerë nëse Rusia e humbet luftën. Përmes veprimeve tona, ne po përpiqemi ta përshpejtojmë këtë proces”, thotë Ivani.

Ai i ka treguar gazetarit Mamon se puna e tij përfshinte vëzhgimin e objekteve ushtarake dhe gjetjen e vendeve ku mund të fshiheshin pjesë të dronëve, në përgatitje për sulme të mundshme kundër objektivave ruse.

“Kur këto pjesë të dronëve bashkohen, krijohet një armë e fuqishme, e cila me një goditje të vetme mund të shkatërrojë një objekt që kushton shumë e shumë miliona dollarë”, tha Ivani.

Ai i dërgoi gazetarit një video, ku shfaqet duke fshehur, siç duket, lëndë shpërthyese pranë një aeroporti ushtarak rus.

Nëse do të ishte kapur, ai mund të akuzohej për terrorizëm dhe të dënohej me dhjetëra vjet burgim.

Ndryshe nga Ivani, Foma vepron nga distanca. Ai i trajnon vullnetarët e tij në Rusi përmes internetit. Gazetari Mamon ndoqi një prej këtyre seancave, gjatë së cilës Foma shpjegonte se si duhej të ndiqej dhe vëzhgohej një zyrtar i lartë ushtarak, i cili ishte përzgjedhur si objektiv për mbikëqyrje.

“Do të merrni një dosje nga unë ose nga një koleg, ku do të përcaktohet personi që duhet të vëzhgoni. Dosja do të përmbajë fotografinë e tij, të dhënat personale, datëlindjen, moshën dhe një përshkrim të pamjes së tij. Do të ketë gjithashtu informacione për makinën e tij, nëse ka një të tillë. Kur t’i afroheni personit që po vëzhgoni, mos merrni me vete telefon”, u tha Foma vullnetarëve.

Foma thotë se dikur bënte pjesë në elitën ruse dhe se kjo i ka mundësuar të krijojë kontakte të veçanta dhe të sigurojë vazhdimisht informacione nga brenda sistemit.

Ai i tregoi gazetarit, në laptopin e tij, mënyrën se si hartonte hartat e objektivave ushtarake.

“Kjo është një bazë të dhënash ku shënohen vendndodhjet e depove të furnizimeve dhe njësive ushtarake. Tregohen edhe vendet ku jetojnë gjeneralët, si dhe pilotët e bombarduesve strategjikë që sulmojnë Ukrainën.

Për ta çmontuar një sistem, duhet fillimisht të kuptosh se si funksionon. Vetëm atëherë mund të synosh pikat e tij të dobëta”, shpjegoi ai.

Foma thotë se rrjeti i tij përbëhet nga rreth 30 persona, të shpërndarë në Rusi, Ukrainë dhe vende të tjera të Evropës. Ata që ndodhen jashtë Rusisë ofrojnë mbështetje logjistike, përfshirë ndjekjen e gjurmëve digjitale të personave që janë vënë nën vëzhgim.

Ai thekson se shërbimi ukrainas i inteligjencës ushtarake, GUR, propozon personat që duhet të vëzhgohen, por se ai dhe ekipi i tij bëjnë verifikimet e tyre për të përcaktuar nëse këta persona mund të konsiderohen kriminelë lufte.

“Zakonisht, ne i kontrollojmë edhe një herë informacionet për atë person. Vetëm pas kësaj vendosim nëse do të vazhdojmë të punojmë apo jo”, tha Foma.

Ai këmbëngul se veprimet e tyre janë të justifikuara.

“Dua që njerëzit që kryejnë veprime të tmerrshme në Ukrainë në emër të Putinit dhe Rusisë, ta kuptojnë se do të duhet të paguajnë për atë që kanë bërë. Dua që të kenë frikë”, u shpreh ai.

Foma theksoi se roli i tij kufizohet në përcjelljen e informacioneve te ukrainasit dhe se rrjeti i tij nuk kryen vetë atentate.

Pas vrasjes së gjenerallejtënantit Sarvarov, në dhjetor të vitit 2025, ai i shkroi më vonë gazetarit Mamon se ndjekja e tij kishte kërkuar shumë përpjekje.

“Herë jetonte me të dashurën, herë me një koleg. Fshihte gjurmët dhe ndryshonte vazhdimisht orarin e lëvizjeve”, shkroi Foma.

Megjithatë, ai nuk i kishte treguar paraprakisht gazetarit dhe BBC-së për ndonjë plan që lidhej me këtë atentat.

Ndryshe nga Foma, Ivani nuk pranoi të fliste shumë për operacionet ku kishte qenë i përfshirë, madje as pasi ato kishin përfunduar.

Foma vendosi të hetonte vetë për Ivanin. Pas konsultimeve me kontaktet e tij në shërbimet e inteligjencës ushtarake, si në Ukrainë, ashtu edhe në Rusi, ai arriti në përfundimin se Ivani mund të ishte përfshirë në një plan për të sulmuar fabrikën më të madhe të dronëve ushtarakë në Rusi, në Yelabuga, në qershor të vitit të kaluar. Në atë incident, sipas raportimeve, një person humbi jetën.

Ivani këmbëngul se qëllimi është gjithmonë të shmanget sa më shumë dëmtimi i civilëve.

“Frika është gjithmonë e pranishme...”

Megjithatë, operacionet kanë paraqitur rreziqe të mëdha edhe për të.

“Rasti më i rëndë ishte kur makina ime u ndalua për kontroll, ndërsa kisha me vete lëndë shpërthyese të përgatitur në mënyrë artizanale. Rreziku ishte shumë i madh, por, siç mund ta shihni, nuk më zbuluan”, tha ai.

Për të zvogëluar rrezikun e zbulimit, Ivani thotë se puna nuk ka një strukturë të qartë organizative. Ai shton se nuk i ka takuar kurrë dhe nuk ua di identitetin personave të tjerë me të cilët ka bashkëpunuar.

Të njëjtin rregull ndjek edhe Foma me njerëzit e tij.

“Sapo fillon t’i mbledhësh njerëzit në grupe, në biseda të përbashkëta në internet dhe të lësh gjurmë digjitale, ekziston një mundësi shumë e madhe që i gjithë grupi të arrestohet ose të neutralizohet shpejt”, tha ai.

Ivani thotë se në Rusi kanë mbetur pak njerëz të përshtatshëm për këtë lloj pune.

“Shumica e njerëzve që janë të përkushtuar ndaj bindjeve të tyre politike ose janë larguar nga vendi, ose ndodhen tashmë në burg”, u shpreh ai.

Për këtë arsye, sipas informacioneve të siguruara nga BBC-ja, shumë persona që përfshihen në sabotazhe brenda Rusisë nuk janë domosdoshmërisht të vetëdijshëm për rolin e tyre. Për shembull, shoferët e kamionëve mund të mos e dinë se ngarkesat që transportojnë janë manipuluar. Të tjerë janë persona që paguhen për të kryer detyra të caktuara.

Ivani, nga ana tjetër, thotë se e bën këtë punë për arsye ideologjike. Ai ka qenë më parë pjesë e opozitës politike ruse, çka do të thotë se autoritetet ruse pritet t’i monitorojnë nga afër lëvizjet e tij.

Për këtë arsye, fakti që ai ka mundur të largohet shpesh nga Rusia dhe të kthehet sërish, është befasues.

Gazetari e bindi Ivanin ta shoqëronte me makinë në një zonë të shkretë të Gjeorgjisë, ku mund të bisedonin pa u shqetësuar se po dëgjoheshin. Atje, ai e pyeti se si mund të ishin të sigurt ukrainasit se mund t’i besonin.

“Shkon në një vend të tretë, ku takohesh me agjentët e tyre dhe i nënshtrohesh testeve të detektorit të gënjeshtrës”, u përgjigj Ivani, duke iu referuar mënyrës se si verifikohet besueshmëria e tij.

Gazetari i kërkoi ta lidhte me një nga personat që e drejtonin në GUR, në Ukrainë. Ky person e telefonoi menjëherë Ivanin, duke përdorur altoparlantin e telefonit, në atë që dukej si një dëshmi se Ivani punonte për të. Të dy komunikuan me kode, duke iu referuar “riparimeve në shkollë”.

Megjithatë, më vonë, personi që e drejtonte pranoi se nuk mund ta përjashtonte mundësinë që Ivani të punonte edhe për rusët, qoftë me dëshirën e tij, qoftë nën presion.

Foma mendon se fakti që Ivani mund të udhëtojë lirisht nuk është domosdoshmërisht një shenjë se ai po bashkëpunon me shërbimet ruse.

“Ka lloj-lloj boshllëqesh në mënyrën se si funksionon shteti. Nëse i njeh ato, ose thjesht ke fat, mund të kalosh nëpër këto hapësira dhe të vazhdosh të jetosh brenda sistemit. Si një mi brenda një cope djathi”, i tha ai gazetarit.

Një tjetër argument që mund të flasë në favor të Ivanit është se, nëse ai do të spiunonte edhe për Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), do të pritej që t’ia përcillte këtij shërbimi informacionet që kishte për planet e sulmeve ukrainase.

Më shumë se një vit përpara një sulmi shkatërrues, në të cilin u përdorën mbi 100 dronë ukrainas, Ivani i kishte thënë gazetarit se Ukraina po përgatiste një goditje të madhe kundër bombarduesve strategjikë në bazat ajrore ushtarake në të gjithë Rusinë. Megjithatë, ai nuk kishte treguar se kur ose ku do të ndodhte sulmi.

Gazetari e pyeti gjithashtu se si arrinte ta përballonte këtë punë, duke pasur parasysh rrezikun e vazhdueshëm.

“Frika është gjithmonë e pranishme. Më ndjek kudo. Edhe kur nuk bën asgjë, përsëri ke frikë. Kjo është Rusia”, tha Ivani.

Megjithatë, ai shprehet optimist se një ditë jeta e tij do të ndryshojë.

“Putini nuk do të jetojë përgjithmonë”, thotë ai.