Ka vdekur Mithat Belegu, një prej emrave më të mëdhenj në histori të basketbollit kosovar.
Federata e Basketbollit e Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Belegu të dielën.
Mithat Belegu ishte lojtari më i mirë i Kosovës në vitet 60-ta. Ishte shënuesi më i mirë në Ligën e Dytë të atëhershme federative në tri raste.
Më pas Belegu kishte karrierë të suksesshme si gjyqtar. U bë arbitër i FIBA-s në vitin 1978. Ishte gjyqtari i parë nga Kosova me thirrje ndërkombëtare.
“Me 242 ndeshje në ligat federative të Jugosllavisë, prej të cilave 150 në Ligën e Parë të Meshkujve dhe karrierë ndërkombëtare që e ka dërguar në katër kontinente të globit dhe në mbi 40 shtete, Mithat Belegu nga Peja ishte ambasadori më i mirë i basketbollit të Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë. Mithat Belegu ishte një prej emrave më të respektuar të basketbollit pejan, pjesë e gjeneratës së artë të KB Buduqnosti, sot KB Peja, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e sportit kosovar. Kujtojmë se ai ishte shpallur edhe Veteran i Vitit nga Federata e Basketbollit të Kosovës më 2024, duke u nderuar për kontributin e madh në basketbollin e Kosovës”, shkruan FBK-ja.