TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Dezavantajlı topluluklardan gelen çocukların sadece %27'si üst ortaöğretime devam ediyor.

okul

Vetëm 27 në çdo 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë. Kjo shifër te pjesa tjetër e popullsisë në Kosovë shkon në 89 për qind, duke krijuar një pabarazi të madhe në arsimim. Njohësit e fushës së arsimit japin disa arsye për këtë problem

Saktësisht 62 për qind është dallimi i vijueshmërisë së arsimit të mesëm të lartë mes fëmijëve rom, ashkali e egjiptian dhe pjesës tjetër të popullsisë në Kosovë.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2025, pjesëmarrja e nxënësve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian në shkollimin e mesëm, ka rënë në 27 për qind, teksa një vit më parë ishte 31 për qind.

Ndërkaq, 83 për qind e nxënësve nga këto tri komunitete ndjekin shkollimin fillor, por niveli bie në mënyrë drastike në shkollimin e mesëm të lartë.

Bajram Iliazi, zyrtar i lartë i programit të edukimit në organizatën “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, thotë se pabarazia në arsim mbetet një çështje serioze.

Ai ka përmendur faktorët socialë, që sipas tij, ndikojnë në mosvijimin e shkollimit të fëmijëve nga këto komunitete pakicë.

“Nga përvoja jonë në terren, faktorët kryesorë janë gjendja e rëndë socio-ekonomike e familjeve, niveli më i ulët i arsimimit të prindërve, mungesa e mbështetjes akademike, mungesa e modeleve pozitive dhe orientimit në karrierë, si dhe, në disa raste, martesat e hershme. Ndikojnë gjithashtu diskriminimi dhe ndjenja e mospërkatësisë në mjedisin shkollor”, ka thënë Iliazi.

Po ashtu thotë se edhe për bursat që ndahen nga qeveria për nxënësit e këtyre komuniteteve, duhet kontroll nëse ato vërtet përdoren për shkollim.

“Për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, në disa raste ato mund të përdoren edhe për nevoja të tjera të familjes”, ka thënë Iliazi.

E sipas njohësit të fushës së arsimit, Ismet Potera, mjetet e ndara nga shteti për nxënësit nga këto komunitete nuk janë të mjaftueshme.

“Institucionet janë përgjegjëset kryesore pse e kemi gjendjen të këtillë për shkak se shumë pak është punuar me fëmijët e margjinalizuar apo fëmijët e minoriteteve, për shkak se nuk mund t’i zgjidhim problemet nëse vetëm ua kemi siguruar tekstet shkollore, nëse ju kemi dhënë bursa apo diçka. Institucionet e kanë për obligim, sidomos shkollat ku gravitojnë këta fëmijë, të punojnë më shumë me prindërit e tyre, për shkak se ata e dinë më së miri edhe gjendjen sociale ekonomike të familjeve të tyre”, ka thënë Potera.

Potera thekson se ndikim ka edhe tradita për mosvazhdimin e shkollimit, për çka nevojitet më tepër edukimi i fëmijëve nga prindërit për rëndësinë e arsimimit.

Të dhënat e Anketës për Treguesin e Shumëfishtë për vitin 2025, tregojnë se pjesëmarrja e fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, në edukimin e fëmijërisë së hershme është 7 për qind krahasuar me 8 për qind sa ishte në vitin shkollor 2019/2020.

Rezana Bozhlani