TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Kosova Mutabakat Platformu Taslağı

Veton Surroi

reklamcı Veton Surroi ka shkruar një skicë për një Platformë konsensuale të Kosovës pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale

Skica e plotë e paraqitur nga Surroi:

1. Kuvendi i Kosovës do të synojë përbashkimin e partive parlamentare rreth një politike shtetërore për periudhën 2026-2028 lidhur me pasojat juridike, politike dhe shoqërore të Aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Qëndrimet e përbashkëta do të përmblidhen në një Rezolutë të Kuvendit dhe në një Plan veprimi, të cilin do ta zbatojnë institucionet shtetërore në bashkëpunim me partitë e opozitës, duke respektuar pavarësinë e plotë të procesit gjyqësor

2. Rezoluta do të mbështetet në këto parime: përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së, të luftës së drejtë të saj apo të shtetit të Kosovës; të akuzuarit kanë të drejtën e një procesi të drejtë dhe të përdorimit të plotë të mjeteve juridike; viktimat kanë të drejtë për njohje, të vërtetë dhe drejtësi. Mbrojtja e të drejtave të të akuzuarve dhe respektimi i viktimave nuk e përjashtojnë, por e përforcojnë njëra-tjetrën.

3. Aktgjykimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet dhe eventualisht të ndryshohet vetëm përmes mjeteve juridike të parashikuara në kuadrin ligjor të Dhomave të Specializuara, duke filluar me procedurën e Apelit dhe duke përfshirë mjetet e tjera të lejueshme juridike. Pas shterimit të këtyre mjeteve, shkeljet eventuale të të drejtave të njeriut mund të adresohen para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse Konventa është e zbatueshme dhe plotësohen kushtet për juridiksionin e saj

4. Kosova do ta trajtojë si përparësi shtetërore anëtarësimin në Këshillin e Evropës gjatë vitit 2027, mundësisht para përfundimit të procesit të Apelit. Anëtarësimi do t’u siguronte qytetarëve të Kosovës qasje në sistemin evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërsa zbatueshmëria e Konventës në secilin rast do të përcaktohej sipas kushteve të saj juridike dhe kohore.

5. Kosova do të hapë dialog me BE-në për përcaktimin e një udhërrëfyesi të përbashkët për përmbylljen e rregullt të mandatit të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Synimi politik do të jetë që ky proces të përfundojë deri në fund të vitit 2028, për aq sa këtë e lejojnë përfundimi i procedurave gjyqësore, detyrimet ndaj viktimave dhe kërkesat e rendit kushtetues. Përfundimi formal i mandatit duhet të bëhet në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës, përmes njoftimit të Këshillit të Bashkimit Evropian. Pas këtij njoftimi, Kosova dhe BE-ja do të përcaktojnë hapat kushtetues, ligjorë dhe administrativë për mbylljen e rregullt të institucioneve dhe për trajtimin e detyrimeve të mbetura.

6. Në funksion të këtij procesi, presidenti i Kosovës dhe përfaqësuesi përkatës i BE-së mund të zhvillojnë një këmbim të ri letrash, i cili do të përcaktonte objektivat politike, përgjegjësitë institucionale dhe hapat drejt njoftimit formal për përfundimin e mandatit. Ky këmbim letrash nuk do të ndërhynte në procedurat gjyqësore dhe nuk do të cenonte pavarësinë e trupave gjykues.

7. Kosova do të kërkojë që PACE (Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës)  të zhvillojë një proces pasues të shqyrtimit të raportit të vitit 2011 dhe të Rezolutës 1782, në dritën e rezultateve të hetimeve dhe proceseve gjyqësore të zhvilluara ndërkohë. Ky shqyrtim duhet të bëjë dallim të qartë ndërmjet pretendimeve të ngritura, çështjeve të hetuara, akuzave të përfshira në aktakuzë dhe fakteve të provuara në gjykim, si dhe të vlerësojë pasojat politike dhe publike të dokumenteve të PACE-s për Kosovën dhe qytetarët e saj.

8. Në një proces të veçantë, por paralel, Kosova do të kërkojë që BE-ja ta avancojë shqyrtimin e aplikimit të saj për anëtarësim dhe t’i japë statusin e vendit kandidat. Kjo kërkesë do të mbështetet në reformat demokratike, përmbushjen e standardeve evropiane dhe kapacitetin e Kosovës për t’u përballur, përmes institucioneve dhe sundimit të ligjit, me çështje të rënda të drejtësisë dhe të trashëgimisë së luftës.

9. Pushteti dhe opozita do të themelojnë një komision parlamentar për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të veprimit për periudhën 2026-2028. Komisioni do të bashkëdrejtohet nga përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së dhe do të raportojë rregullisht në Kuvend për përmbushjen e zotimeve politike, diplomatike, financiare dhe institucionale. Komisioni nuk do të mbikëqyrë procedurat gjyqësore, nuk do të ndërhyjë në strategjitë e ekipeve të mbrojtjes dhe nuk do të ketë qasje në materialet konfidenciale të procesit. Mbështetja shtetërore për mbrojtjen do të jetë transparente, e barabartë dhe pa kontroll politik mbi përmbajtjen e saj juridike.

10. Platforma nuk synon zhbërjen e Dhomave të Specializuara, ndërhyrjen në aktgjykim apo mohimin e vuajtjeve të viktimave. Ajo synon përdorimin e plotë të mjeteve juridike, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, parandalimin e fajësimit kolektiv të UÇK-së dhe të Kosovës, si dhe përmbylljen e rregullt dhe kushtetuese të një institucioni të përkohshëm pas përfundimit të mandatit të tij.