Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet ta dëbojë një person që e përshkruan veten si spiun të CIA-s, i cili u infiltrua në al-Qaeda pas 11 Shtatorit dhe fitoi të drejtën për të jetuar në SHBA duke ndihmuar në kapjen e terroristëve, shkruan "CBS Haberleri".
Agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) arrestuan në fillim të muajit Blerim Skoron, baba i tre fëmijëve, me origjinë nga Kosova, jashtë një zyre të imigracionit në New Jersey. Ai kishte shkuar për të rinovuar dokumentet e tij.
Avokatët e tij kanë paraqitur një kërkesë në Gjykatën federale për ndalimin e dëbimit të tij, duke thënë se Skoros 55-vjeçar, i ishte premtuar qëndrimi i përhershëm pas viteve të punës së rëndësishme si “agjent i CIA-s”.
Skoro, një shofer taksie nga Staten Island i New Yorkut, i martuar me një amerikane dhe baba i tre fëmijëve, në vitin 2022 kishte fituar të drejtën për shtyrjen e dëbimit për shkak të rrezikut që të kapej dhe torturohej nga terroristët nëse do të dëbohej.
Vendimi ishte marrë pjesërisht për shkak të ndihmës së Skoros në sigurimin e arrestimit të anëtarëve të al-Qaedas, al-Shabaabit dhe Hezbollahut, pretendojnë avokatët e tij.
Ayrıca
Kalludra'da üç kişinin kalıntılarının çıkarılması bekleniyor.
Tani ai ka frikë se Qeveria, për të cilën thotë se ka vënë jetën e tij në rrezik, do ta dërgojë përsëri në Kosovë — sipas tij, në duart e njerëzve që duan ta vrasin.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të më tradhtonin kështu”, tha ai për CBS News në një intervistë telefonike nga Qendra e Paraburgimit Elizabeth në New Jersey. “Ju lutem, nëse duhet të vdes, dua të vdes në këtë vend, në mënyrë që fëmijët e mi të më varrosin”.
Marrëdhënia e Skoros me zyrtarët e inteligjencës amerikane nisi kur ai u burgos për trafik droge në vitin 2000, tregojnë dokumentet e FBI-së.
Ai thotë se po përpiqej të siguronte jetesën për fëmijët e tij dhe prindërit refugjatë, pasi familja ishte larguar nga konflikti në Kosovë në vitet ‘90. Ai u kap duke transportuar heroinë jashtë vendit për një grup kriminal shqiptar.
I rritur si mysliman, ai u mirëprit nga një grup radikalësh islamikë në një burg të Manhattanit, ku kishte nisur të vuante dënimin për trafik droge, sipas dosjeve të FBI-së që e rendisin si informator konfidencial. Pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, ai thotë se CIA iu afrua për ta shfrytëzuar këtë lidhje.
Ndërsa ishte i burgosur në FCI Allenwood, një burg federal në Pennsylvania, nga viti 2002 deri në vitin 2006, Skoro thotë se mblodhi informacione për FBI-në mbi terroristë, përfshirë Faysal Galabin e grupit “Lackawanna Six”, të cilin agjentët federalë e përshkruan si celulën e parë terroriste të fjetur, të krijuar brenda SHBA-së; Randall “Ismail” Royer të rrjetit xhihadist të Virginias, i dënuar për organizimin e dhunës kundër trupave amerikane jashtë vendit; dhe anëtarin e Hezbollahut, Junuz Fuaz.
Dokumentet e FBI-së të vitit 2004, të censuruara në masë të madhe dhe të siguruara nga CBS News, e rendisin Skoron si informator në një hetim që kishte në shënjestër Osama bin Ladenin. Në disa raste, ai kishte dhënë informacione “të zbatueshme” dhe “të besueshme”, përfshirë detaje mbi një “kamp stërvitor sirian”.
Skoro besonte se për punën e tij do të merrte një dënim më të shkurtër, por në vend të kësaj u dëbua në Kosovë në vitin 2007 dhe pretendon se CIA i tha të infiltrohej në al-Qaeda nga Ballkani — duke u kthyer në SHBA vetëm në vitin 2014, ka thënë ai në një deklaratë të mëparshme ligjore për çështjen e tij të imigracionit.
Skoro pretendon se ishte infiltruar brenda grupit terrorist nga viti 2007 deri në vitin 2009 për CIA-n, duke udhëtuar në një kamp të ISIS-it në Siri dhe duke vepruar në Liban, Jordani, Pakistan dhe Egjipt, si dhe në vendin e tij të origjinës.
Fotografi dhe video që ai bëri gjatë asaj kohe e tregojnë në mjedise që duken si ato të Lindjes së Mesme, së bashku me terroristë të njohur. Pamjet u përdorën në dokumentarin e vitit 2024, “The Accidental Spy”, dhe në një episod të “The Shawn Ryan Show” në YouTube vitin e kaluar.
Ai duket se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në arrestimin e terroristit nga Brooklyni, Betim Kaziu, i cili u dënua me 27 vjet burg pasi tentoi të blinte armë për grupin terrorist somalez al-Shabaab, me synim sulmet ndaj trupave amerikane të stacionuara jashtë vendit.
Në deklaratën e tij të dhjetorit 2020, Skoro shkroi se i telefonoi fshehurazi kontaktit të tij në CIA për t’i dhënë vendndodhjen e tij, ndërsa po e priste Kaziun në apartamentin e tij në Kosovë. Kjo çoi në arrestimin e terroristit në korrik të vitit 2009, dhe ai kishte një pushkë, municione dhe granata.
Skoro ndau me CBS News emaile mes tij dhe një burri që ai pretendon se ishte kontakti i tij në CIA, “Chris”. Emailat janë të datës 24 shtator 2009, ku thuhej: “Isha shumë i lumtur kur pashë se miku ynë Kaziu tani është kthyer në SHBA”. CIA nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Skoro pretendon se ndihmoi në kapjen e dërgesave të uraniumit që ishin nisur drejt Kosovës, duke parandaluar një sulm të mundshëm me “bombë të pistë”. Duke filluar nga prilli i vitit 2015, pasi ishte kthyer në SHBA, u ofroi më shumë informacione FBI-së dhe Departamentit të Policisë së New Yorkut (NYPD), pasi thotë se ishte kontaktuar nga një rekrutues i ISIS-it.
Avokati i mëparshëm mbrojtës i Skoros, Joshua Dratel, i tha CBS News se gjatë dekadës së fundit klienti i tij kishte bërë “një jetë plotësisht të ligjshme dhe produktive me familjen e tij pas një përvoje tronditëse që ai e përballoi për Shtetet e Bashkuara me guxim dhe aftësi të jashtëzakonshme”.
Ayrıca
Rizvanolli, KEK çalışanının ölümüyle ilgili acil soruşturma talep ediyor.
Kërkesa e tij për habeas corpus, e paraqitur në Gjykatën federale pas arrestimit në fillim të këtij muaji, thotë se ai “ka punuar për CIA-n, Byronë Federale të Hetimit (FBI) dhe Agjencinë e Zbatimit të Ligjit për Drogat (DEA) për gati një dekadë” dhe pretendon se ai kreu “punë të përkushtuar dhe heroike si agjent i zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara”.
Gruaja e tij, Susan Skoro, ishte me të në zyrën e imigracionit në Elizabeth, New Jersey, kur ai u arrestua më 3 gusht.
Ajo tha se kur ai u paraqit në recepsion, agjentët e Imigracionit u vërsulën drejt tij, e futën në një dhomë dhe më pas e morën me një makinë.
“Ata e tradhtuan. Ai e ka vuajtur dënimin e tij. Për pak sa nuk humbi jetën dhe askujt s’i bëhet vonë. Ai meriton një falje”, tha ajo. “Ai nuk mund të dëbohet në mënyrë të sigurt askund. Gjithmonë jemi duke shikuar pas shpine”.
Kosovari erdhi për herë të parë në Amerikë në vitin 1994, duke kërkuar azil pasi kishte dezertuar nga Ushtria e atëhershme jugosllave, pasi thotë se kishte qenë dëshmitar i përdhunimeve dhe vrasjeve të fëmijëve nga ushtarët.
Pas viteve të spiunazhit të pretenduar në emër të SHBA-së, Skoro thotë se mbulimi i tij u zbulua përfundimisht dhe ai u qëllua në këmbë gjatë një atentati në Kosovë, gjë që e detyroi të largohej dhe të hynte sërish ilegalisht në SHBA përmes Kanadasë në vitin 2014.

Ai ra në duart e ICE-së në vitin 2016, pasi NYPD-ja e arrestoi për përdorimin e kartës së transportit publik të vajzës së tij, duke nisur një betejë të gjatë për statusin e tij të imigracionit.
Në nëntor të vitit 2022, një gjykatës federal e ndaloi Qeverinë ta dëbonte Skoron në Kosovë për shkak të rrezikut të torturimit dhe vrasjes së tij atje, në bazë të traktatit ndërkombëtar të njohur si Konventa Kundër Torturës, por nuk arriti deri aty sa t’i jepte qëndrim të ligjshëm.
Bhairavi Desai, drejtoreshë ekzekutive e sindikatës së taksistëve, tha se ishte “e tronditur” kur zbuloi se statusi i qëndrimit të ligjshëm të “shoferit mbresëlënës, gazmor dhe të sjellshëm” ishte në një situatë kaq të pasigurt.
“Mendova se duke pasur parasysh punën që ai kishte bërë në luftën kundër terrorizmit në emër të CIA-s, ai do ta kishte fituar tashmë statusin e qëndrimit të përhershëm këtu”, i tha Desai CBS News. “Thjesht duket vërtet brutale që e kanë përdorur në këtë mënyrë dhe tani po e flakin tutje.”
Avokatët e Skoros, Rene Kathawala dhe Amy Greer, paraqitën një kërkesë për habeas corpus më 4 gusht, duke argumentuar se, falë mbrojtjes së dhënë nga gjykata në vitin 2022, ICE duhet të marrë leje nga një gjykatës përpara se ta dëbojë — gjë që Agjencia nuk e ka bërë.
Këtë muaj, ICE dëboi një grup shtetasish meksikanë që kishin qenë nën të njëjtën mbrojtje si Skoro — një shtyrje të dëbimit në bazë të Konventës Kundër Torturës — pasi Departamenti i Shtetit mori garanci nga Qeveria meksikane se të dëbuarit nuk do të dëmtoheshin.
Procedurat e tyre të dëbimit gjithashtu nisën pa një paraqitje në Gjykatën federale, raportoi “The New York Times” javën e kaluar.
“Ky është edhe një rast tjetër që ngre pyetjen nëse Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE) mundet — pa njoftim, arsye apo proces të rregullt ligjor — të arrestojë dhe mbajë në mënyrë arbitrare dhe për një kohë të pacaktuar një shtetas të huaj, të cilit i është dhënë mbrojtje nga dëbimi sipas Konventës Kundër Torturës”, thuhet në kërkesën e ndryshuar për habeas corpus të Skoros, të paraqitur më 17 gusht. “Përgjigjja për këtë pyetje është prerazi jo. Ky qëndrim është konfirmuar nga vendime gjyqësore në të gjithë vendin.”
Ayrıca
Milli Eğitim Bakanlığı, velileri çocukları için ders kitabı satın alma konusunda acele etmemeye çağırdı.
Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të SHBA-së, Robert Kirsch, urdhëroi Qeverinë të përgjigjet deri të enjten.
ICE konfirmoi se kishte marrë kërkesën e CBS News për koment, por nuk dha përgjigje. CIA dhe FBI nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.