TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Sırbistan'ın, Kosova'ya karşı savaşla ilgili Özel Panel'in BM'deki kararını kullanması bekleniyor.

Aleksandar Vucic

Fotoğraf: Associated Press

Verdikti dënues i Gjykatës Speciale ndaj udhëheqësve të UÇK-së pritet të jetë pjesë e narrativës së Serbisë për ta luftuar Kosovën, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në Prishtinë është shprehur drojë se Beogradi zyrtar do të nisë ofensivë diplomatike me synim dëmtimin e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit. E në Tiranë kanë thënë se përfaqësuesit e Shqipërisë duhet t’i kundërpërgjigjen narrativës serbe gjatë punimeve të Asamblesë

Në Prishtinë është shprehur drojë se në Sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që zhvillohet gjatë javës së ardhshme, Serbia do ta shfrytëzojë verdiktin dënues nga Gjykata Speciale, për ta forcuar narrativën kundër Kosovës.

Presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se gjatë adresimit në Asamble, do të flasë për 30-vjeçarin e fundit të Serbisë, periudhë që përfshin edhe vitet e luftës në Kosovë.

Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Arben Hoti, Serbia pritet ta përdorë aktgjykimin e Speciales si argument në përpjekjet e saj për ta dëmtuar imazhin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Kjo është më se e sigurt sepse Serbia deri më tani ka shpikur i thënçin argumente, për ta prezantuar Kosovën sa më keq që është e mundur. Nuk kam asnjë dilemë që ata do të përdorin këtë argument për të luftuar, për të vazhduar luftën kundër Kosovës”, ka thënë Hoti.

Pritje të këtillë ka shprehur edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Fatmir Bilalli.

“Delegacioni serb dhe personal Vuçiqi me siguri në ekspozenë e vetë do të fusë, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë. Do të bëjë lobim për të penguar njohjen, por eventualisht për të rritur edhe numrin e çnjohjeve. Dhe kjo do të jetë ofensiva e re diplomatike e Serbisë e cila është fatkeqësisht e ka një aktgjykim që mund ta keqpërdorë”, ka deklaruar Bilalli.

Për të marrë pjesë në javën e Nivelit të Lartë të këtij sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për në New York kanë udhëtuar kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Por, ata nuk mund t’i adresohen Asamblesë, meqë Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Takime pritet të zhvillojnë vetëm në margjina të kësaj ngjarjeje.

Analisti nga Tirana, Endri Tafani, ka thënë se Shqipëria si anëtare e OKB-së e ka për detyrë që të punojë në kundërargumentimin e pretendimeve të Serbisë në këtë ngjarje, pavarësisht raporteve mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës Kurti.

“Tani është momenti që të heqim dorë nga çfarëdo lloj mërie personale që mund të kenë këta dy persona me njëri-tjetrin... dhe duhet luftuar sepse realisht pozicioni i Kosovës po vendoset keq në arenën ndërkombëtare dhe duhet një koordinim”, ka thënë Tafani.

Tafani ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinojnë politikat në përpjekje për të krijuar një bazë për çdo pretendim që mund të bëhet në politikën e jashtme në lidhje me aktgjykimin e Speciales.

“Duhet të jetë një dokumentim i përbashkët nga të dy krahët. Shqipëria në njëfarë mënyre është e përzier në Gjykatën e Hagës sepse një nga akuzat ka qenë që krime ka pasur edhe në territorin e Shqipërisë dhe në njëfarë mënyrë duhet që të tregojë që ajo pjesë e Gjykimit sipas dokumenteve shqiptare nuk është e vërtetë”, ka thënë tutje Tafani.

Qeveria e Shqipërisë nuk u është përgjigjur pyetjeve nëse në New York, Tirana zyrtare do t’u kundërpërgjigjet pretendimeve të Serbisë lidhur me Kosovën, pas vendimit të Speciales.

Gjykata me seli në Hagë dënoi për krime lufte Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, e Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Ata janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.