Gishti, buzëqeshja, pozicioni – në shikim të parë gjithçka duket identike te presidenti amerikan, Donald Trump, në fotografitë e tij me liderët e shteteve të Ballkanit.
Kosova Başbakanı Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e liderë të tjerë të Ballkanit por edhe botërorë kanë publikuar së fundmi fotografi nga takimi me presidentin amerikan, Donald Trump, në SHBA.



E fotografitë pothuajse dallojnë veç me praninë e liderëve të ndryshëm. Te Trumpi detajet mbesin gati identike.
Në rrjete sociale kanë qarkulluar të premten - prej se Kurti publikoi fotografinë me Trumpin – pretendime të pasakta se fotografitë mund të mos jenë reale. Pati edhe shaka se liderët u fotografuan me një kukull prej letre.
Fotografitë u shkrepën ditë më parë, në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimit Shtëpia e Bardhë, Trumpi ka pritur liderë botërorë në Hotelin “Lotte New York Palace”. Ngjarja ishte e mbyllur për media. E fotografitë u shkrepën në holl të hotelit.
Si me liderët e Ballkanit, por edhe të tjerët, Trumpi qëndron në mes të dy flamujve – atij amerikan dhe të Departamentit të Shtetit.
Këndi i fotografisë te të gjitha duket si i njëjtë. Trumpi është në qendër. E si zakonisht e mban gishtin e madh të dorës së djathtë lartë. Kjo është poza e tij e preferuar.
Protokolli nuk është i ri. Të njëjta poza pati marrë edhe në vitin 2019, kur Trumpi në të njëjtin hotel priti liderë botërorë. Apo edhe në raste tjera si këto:


Në samite ose takime të tilla, fotografët dhe stafi protokollar, sipas rregullave, ua caktojnë liderëve pozicionet. Për shkak se liderëve u kërkohet të qëndrojnë në vende të caktuara, fotografia mund të duket e ngjashme. Por ngjashmëritë rriten kur Trumpi vendos që të mbajë të njëjtën pozë vazhdimisht. Me qëndrimin drejtë dhe gjoksin e hapur, ai përpiqet të tregojë dominancë, siç e shpjegojnë ekspertët e gjuhës së trupit. Sipas Joe Navarros, Trumpi e mban këtë stil në pothuajse çdo foto dhe kjo e bën atë të duket “i njëjtë” në të gjitha.
Shtëpia e Bardhë përdor këndin dhe ndriçimin e ngjashëm për fotot zyrtare, ashtu që lideri amerikan të dalë vazhdimisht në qendër dhe të tregojë dominimin.
Se Trumpi është real në këto fotografi e dëshmojnë dallimet në minidetaje. Por edhe disa fotografi që liderë të tjerë botërorë publikuan. Për shembull me liderin slloven ai shihet duke ia dhënë dorën. Ose me atë malazias, Trumpi “harroi” gishtin poshtë, ndërsa ai malazias “e imitoi”.

