TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

"İsmajl Qemaili" okulundaki öğrencilerin velileri dersleri boykot edecekleri konusunda uyarıda bulundu.

berlok

Priştine'deki "İsmail Qemali" okulunun sınıflarından biri, bugün

Mungesa e mirëmbajtësve ka bërë që nxënësit e shkollës fillore “Ismajl Qemaili” në Prishtinë të përballen me mbeturina dhe kushte jo të përshtatshme higjienike, ndërsa disa prej tyre thanë se u detyruan edhe vetë t’i pastrojnë klasat. Këshilli i Prindërve i kësaj shkolle ka paralajmëruar se do të refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, nëse gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë

Mbeturinat nëpër klasa i kanë detyruar të enjten nxënësit e shkollës fillore “Ismajl Qemaili” në Prishtinë që vetë të kujdesen për pastrimin e hapësirave ku mësojnë.

Për shkak të grevës së punëtorëve teknikë, disa nxënës të kësaj shkolle kanë thënë se bashkë me mësuesen kanë larguar mbeturinat nga klasa.

Ata janë ankuar sidomos për situatën në tualete.

“Klasat sot janë kanë me bërllok edhe banjot katastrofë”, ka thënë një nxënës.

Tash e tri ditë, punëtorët teknikë të kësaj shkolle, por edhe të shkollave të tjera në Prishtinë, janë në grevë, pasi nuk janë paguar për 45 ditë.

Anëtari i Këshillit të Prindërve në shkollën “Ismajl Qemaili”, Arlind Celina, ka thënë se prindërit do të refuzojnë t’i dërgojnë nxënësit në këtë shkollë, nëse gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë.

Ai ka treguar se Komuna në këtë shkollë ka dërguar tre punëtorë për ta zgjidhur përkohësisht problemin, por ka vlerësuar se është e pamundur që një shkollë e tillë të mirëmbahet me vetëm tre punëtorë.

“Me shqetësimin shumë të madh të prindërve na kanë lajmëruar që nëse vazhdon gjendja sikur sot, 6000 mijë prindër refuzojnë me i pru këta 3000 nxënës në shkollë. Shkolla na ka informuar që Komuna i ka dërguar tre punëtorë të saj prej institucioneve të tjera edhe ata tre punëtorë janë tu bo çmos me e pastru shkollën po që është shumë problem. Është shumë problem sepse janë disa banjo, janë shumë klasa e me tre punëtorë është shumë vështirë po që po mundohen me bo zgjidhje”, ka thënë ai.

E kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se do ta padisin drejtoreshën e shkollës, si dhe Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, për ndërhyrje në procesin e grevës.

“Ne e kemi thirrur drejtoreshën e shkollës dhe i kemi treguar që ka bërë shkelje ligjore sepse sot ka mundur të vijë një konfrontim mes atyre punëtorëve që kanë ardhur nga nuk e di ku vetëm e dimë se jo nga kompania kontraktuese, dhe sot ka mundur të vijë një konfrontim fizik mes punëtorëve që janë në grevë dhe atyre që kanë ardhë aty. Për këtë është duke u përgatitur lënda për drejtoreshën e shkollës dhe për drejtorin e DKA-së”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se greva do të vazhdojë derisa të shlyhet i gjithë borxhi ndaj punëtorëve.

“Kemi informacione që Komuna e Prishtinës ka lëshuar nga 390 pagë për këta punëtorë për muajin gusht megjithatë për ne është kërkesë jo e plotësuar dhe ne do të kthehemi në punë vetëm atëherë kur borxhin komplet e paguan Komuna e Prishtinës edhe nëse 1 euro e lë mangu Komuna e Prishtinës duhet ta ketë të qartë, nuk ka lëvizshmëri nga bindjet tona”, është shprehur Azemi.

KOHA ka provuar ta kontaktojë edhe të enjten drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, por tash e dy ditë ka qenë i paqasshëm.

Po ashtu ka kërkuar përgjigje edhe nga Inspektorati i Arsimit, nëse ka kryer inspektime në shkollat e Prishtinës për të vlerësuar gjendjen e krijuar nga greva e punëtorëve teknikë, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.