TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Öğrenci Parlamentosu: 21 Eylül'de eski KLA liderlerine destek amacıyla barışçıl yürüyüş düzenlendi.

Öğrenci Parlamentosu

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet më 21 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e Parlamentit Studentor thanë se marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku në orën 12:00 studentët do të mbajnë edhe fjalime.

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se marshi është organizuar si thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet, ndërsa bëri të ditur se studentët kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika.

“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës e ndjen si obligim moral që ta ngrejë zërin për zhvillimet e fundit, pas vendimit të Gjykatës Speciale. Si studentë dhe si brez i ri, jemi të vetëdijshëm për luftën e drejtë të popullit tonë dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit. Për këtë arsye, që nga dita e premte kemi bërë thirrje që të hënën, studentët, rinia dhe qytetarët t’i bashkohen marshit tonë paqësor, i cili do të fillojë prej orës 11:30 nga qendra e studentëve dhe vazhdon pastaj drejt sheshit Skënderbeu në ora 12:00, ku studentët do të mbajnë edhe fjalime. Ky marsh është thirrje për unitet dhe e ka në qendër unitetin, si e vetmja zgjidhje deri në fjala e fundit e drejtësisë. Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë. Studentët e UP-së, së bashku me studentë nga universitetet e tjera publike dhe private, kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit”, tha ai.

Ndërkaq, Donart Humolli nga Parlamenti Studentor tha se studentët e konsiderojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të padrejtë dhe kërkoi mbështetje për ta deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na sollën lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë”, tha ai.

Humolli kërkoi gjithashtu mbështetje financiare, politike dhe morale për të akuzuarit, ndërsa bëri thirrje për unitet.

“Në këtë linjë, kërkojmë mbështetje financiare të pakushtëzuar, si dhe mbështetje të plotë politike e morale për të akuzuarit, deri në përfundimin e këtij procesi dhe derisa t’i kemi çlirimtarët tanë në shtëpitë e tyre, pranë familjeve të tyre. Si Parlament Studentor dhe si studentë, jemi të vetëdijshëm se po kalojmë nëpër një situatë të vështirë dhe të rëndë. Për këtë arsye, e shohim më se të nevojshme të bëjmë një thirrje të hapur për Unitet Kombëtar. Mbështetja jonë është e pastër, ashtu siç është e pastër vetë historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ai u bëri thirrje edhe partive politike që të bashkëpunojnë dhe ta vendosin unitetin mbi interesat ditore.

“Me këtë rast, shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në vend që të tregojnë pjekuri, të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit dhe të vendosin unitetin mbi interesat ditore, për hir të gjeneratave që po vijnë. Populli ynë, e sidomos UÇK-ja, ka dëshmuar se di të bëhet bashkë në momentet më kritike të historisë, prandaj këtë duhet ta dëshmojmë edhe sot. Është obligim ndaj Atdheut!”, tha ai.

Humolli kërkoi edhe hetim dhe monitorim të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Njëkohësisht, kërkojmë hetim dhe monitorim të detajuar të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Besojmë fuqimisht se ky vendim dënues ka qenë i padrejtë dhe bie ndesh me parimet e drejtësisë, duke cenuar vetë themelet e historisë sonë të lavdishme çlirimtare dhe luftës tonë mbrojtëse. Një proces i tillë meriton transparencë maksimale dhe syrin vigjilent të botës demokratike, për të garantuar se nuk po prodhohet një padrejtësi historike”, tha ai.

Në fund, Humolli u bëri thirrje organizatave rinore dhe përfaqësuesve të rinisë kosovare që të koordinohen përmes një strategjie të përbashkët.

“I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve rinorë, përfaqësuesve të rinisë dhe organizatave të ndryshme ku të rinjtë e Kosovës janë të kyçur, qoftë në nivel rajonal apo evropian, platforma të ngjashme, që të koordinohemi përmes një strategjie të përbashkët. Është koha t’i tregojmë botës dhe Evropës se ne jemi në të drejtën tonë, se trashëgimia jonë e luftës është e pastër dhe se zëri i rinisë kosovare qëndron me UÇK-në”, tha ai.