TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Onkoloji bölümü neredeyse iki aydır Dabrafenib'siz, hastalar ilacı kendileri temin etmek için 1.500 €'dan fazla ödüyor.

Onkoloji

Mbi 1 mijë e 500 euro për një muaj terapi. Kaq i është dashur një familjeje për ta siguruar vetë Dabrafenibin, ilaç që prej gati dy muajsh mungon në Klinikën e Onkologjisë. Pacientët thonë se, përveç përballjes me sëmundjen, tashmë janë të detyruar të përballen edhe me koston e lartë të terapive, të cilat duhet të sigurohen nga shteti

Janë bërë gati dy muaj që bari Dabrafenib, i cili përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit, mungon në Klinikën e Onkologjisë.

Sinjalizimet e para nga pacientët për mungesën e kësaj terapie, KOHA i ka marrë qysh më 20 korrik.
Sipas pacientëve, kjo terapi kalon mbi 1.000 euro për një muaj.

“Për me ma siguru kutinë me këto tableta, burri njëherë shkoi në Gjermani te familjarët atje, që ma kanë siguru. Ka kushtuar 1 mijë e 530 euro. Për këtu nuk e di a ka ardhë a kur ka me ardhë, s’na kanë thënë”, ka thënë një paciente në kushte anonimiteti.

E familjari i një pacienti tjetër është shprehur se ka arritur ta sigurojë terapinë vetëm për një muaj.

“Për një herë, mezi t’u i mbledh paret gjithkah, kam arrit me siguru. Për ma shumë, jo”, ka thënë familjari i pacientit në kushte anonimiteti.

Një kuti me Dabrafenib zakonisht përmban 120 kapsula, të cilat merren dy herë në ditë para ushqimit.
Tenderi për furnizimin me këtë produkt është hapur më 25 maj të këtij viti.

Por, më 26 qershor, SHSKUK-ja e anuloi atë me arsyetimin se oferta e operatorit ekonomik ishte më e lartë se buxheti i paraparë.

Që nga anulimi i tenderit, nuk ka pasur furnizim të rregullt me këtë terapi.

KOHA të hënën i ka dërguar pyetje SHSKUK-së lidhur me numrin e pacientëve të prekur nga kjo mungesë, pastaj nëse është hapur procedurë e re për furnizim dhe kur pritet të bëhet furnizimi. Por, nuk ka marrë përgjigje.

Më herët, juristë të ndryshëm kanë thënë për KOHËN se, kur një terapi është pjesë e Listës së Barnave Esenciale dhe institucioni dështon ta sigurojë atë, kjo përbën cenim të së drejtës për kujdes shëndetësor të garantuar me Kushtetutë.

Sipas tyre, qytetarët kanë të drejtë që, përmes padive, të kërkojnë rimbursimin e shpenzimeve të bëra për sigurimin e ilaçeve që janë në Listë Esenciale.