Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta tolerojë më Serbinë për Milan Radoiçiqin, kanë thënë udhëheqës shtetërorë të Kosovës, në ditën kur kryeterroristi i Banjskës u pa në parafushatën elektorale të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kragujevc.
Videot e publikuara nga mediat serbe në fundjavë, e kanë shfaqur ish-nënkryetarin e Listës Serbe në një tubim në Kragujevc, krah Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, e që tash garon për kryeministër. Radoiçiqi u shfaq si pjesë e grupit prej disa personash të Danilo Vuçiqit, që në tubimin në sallën “Jezero” mbërriti me disa vetura me drita sinjalizuese.
Kosova në vazhdimësi ka bërë thirrje që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë për përballje me drejtësinë. Ai kërkohet edhe nga Interpoli, por në Serbi gjendet i lirë.
Sipas kryeparlamentares Albulena Haxhiu, pamjet e shfaqura dëshmojnë se Radoiçiqi jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por pritet e nderohet në rrethet e pushtetit. Ajo ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë reagim të qartë dhe që të bëjë trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e terroristëve.
“Njeriu që mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi dhe që kërkohet ndërkombëtarisht, në vend që t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, shfaqet lirshëm në tubimin e partisë në pushtet në Serbi. Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si mungesë e bashkëpunimit me drejtësinë. Prania e tij në rrethet e afërta me pushtetin ngre pyetje të drejtpërdrejta për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, të cilat duhet t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë, ku duhet të përgjigjet për sulmin që organizoi. Një sjellje e tillë kërkon reagim të qartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë autoriteteve të Kosovës duhet të shoqërohet me trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e tyre. Çdo tolerim i mëtejshëm përçon mesazhin se një sulm terrorist mund të organizohet, të marrë jetë njerëzish dhe të mbetet pa ndëshkim, për sa kohë autorët gëzojnë mbrojtjen e pushtetit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndaj këtyre pamjeve ka reaguar më herët edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se paraqitja e Radoiçiqit, por edhe deklarata e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq se “herët a vonë flamuri serb do të valojë në Prizren”, nuk janë provokime të izoluara. Edhe Konjufca ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare t’i kërkojë përgjegjësi Serbisë.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet t'i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë përgjegjësi. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, dhe as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, ka shkruar ai në X.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e pati marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ai udhëhoqi një grup prej dhjetëra personash të armatosur në sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Në përleshje u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre sulmues serbë. Pjesa tjetër e grupit u largua drejt Serbisë, duke lënë pas armë, municion dhe eksplozivë.
Ayrıca
Sırbistan'da serbest bırakılan terörist lider Radoićić de Vučić'in oğluyla birlikte seçim mitinglerine katılıyor.
Radoiçiqi e pati marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit përmes avokatit të tij, duke pretenduar se ka vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe. Kosova e akuzon Serbinë për përfshirje në organizimin dhe mbështetjen e sulmit.
Pas sulmit, Radoiçiqi u arrestua në Serbi, por Gjykata e Lartë në Beograd e pati liruar qysh në tetor 2023. Serbia nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa Radoiçiqi endet i lirë. Siç raportohet ai është i detyruar të paraqitet në polici dy herë në muaj.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në shtator 2024, përfshirë Radoiçiqin, për vepra që lidhen me terrorizmin dhe cenimin e rendit kushtetues. Kosova ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e të akuzuarve, ndërsa Interpoli lëshoi fletarrestime ndërkombëtare për disa prej tyre, përfshirë Radoiçiqin.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Kosova vazhdon të kërkojë presion ndërkombëtar ndaj Beogradit.