TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Kastrati: PDK, Özel Seçimler Yasası'nın Meclis'e geri gönderilmesi talebiyle acele etti.

Emrush Kastrati

Avokati Emrush Kastrati ka vlerësuar se vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila i ka kërkuar zyrtarisht presidentes kthimin në Kuvend Ligjin për ndryshimin e Dhomave të Specializuara është veprim i ngutshëm.

Sipas tij, mënyra se si janë ndërmarrë veprimet për ndryshimin e këtij ligji rrezikon të sjellë pasoja, pasi nuk është menduar mjaftueshëm për efektet juridike dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Kastrati të enjten në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara nuk mund të bëhen në mënyrë të njëanshme, por duhet të ndiqet e njëjta procedurë përmes së cilës është formuar ky institucion, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

“Zhvillimet e tilla kur bëhen me nguti, pa ndonjë plan të caktuar dhe pa i menduar mirë efektet e zbatimit në praktikë të çdo norme juridike, mund të vijmë edhe në këtë situatë në të cilën paska ardhur PDK-ja. Ka pasur paralajmërime që sot ose nesër në afatin kushtetues presidentja eventualisht mund ta kthejë ligjin për ndryshimin e Dhomave të Specializuara në Kuvend. Çdo ndryshim në këtë ligj mund të bëhet vetëm në mënyrën se si është formuar, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, nuk mund të bëhet sipas këndit që ne e dëshirojmë. E lexova pak minuta para se të fillojmë emisionin se PDK-ja paska kërkuar zyrtarisht nga Presidentja që ta kthejë ligjin në Kuvend. Po mendoj se në këtë drejtim ndoshta prap është ngutur edhe PDK-ja që ka kërkuar kthimin e ligjit në Kuvend”, ka thënë ai.

Duke komentuar përmbajtjen e ndryshimeve të propozuara më parë, avokati ka thënë se ato, në praktikë, do të mund të dobësonin ndjeshëm rolin e Gjykatës Speciale, duke bartur në gjykatat vendore kompetenca që aktualisht lidhen me këtë institucion.

“Përmbajtja e ligjit, vetëm që nuk e ka zhbërë Gjykatën Speciale. Kompetencat që kanë qenë të propozuara, përjashtuar raportin e Dick Martyt, për të gjitha të tjerat kanë kërkuar që të kalohen në gjykatat vendore. Me këto ndryshime që janë propozuar, vetëm që nuk është zhbërë, ka mbetur formalisht Gjykata”, ka thënë Kastrati.

Sipas Kastratit, Kosova ka pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar debat institucional dhe juridik rreth mundësive për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në vend që çështja të trajtohej me nguti.

Ai ka komentuar edhe formimin e grupit punues për këtë çështje, përbërja e të cilit është bërë publike nga partitë politike. Kastrati ka thënë se ky grup mund të ketë efekte pozitive, por ka shprehur rezerva nëse ai mund të ofrojë zgjidhje thelbësore nga pikëpamja profesionale.

Sipas tij, strategjia shtetërore për këtë çështje duhet të hartohet nga ekspertë të fushës, të cilët kanë njohuri të thelluara juridike, dhe jo të mbështetet kryesisht te përfaqësuesit politikë.

“Për mendimin tim, ky grup punues i ka efektet e veta pozitive, por nuk i ka edhe ato esencialet. Strategjia shtetërore do të duhej të formohej prej përfaqësuesve profesionalistë të fushës, jo politikanëve... Ky grup nuk mund të ketë qasje në shkresa të lëndës në Gjykatën e Hagës. Nga ajo që e kam parë përbërjen e grupit punues, me të gjithë respektin për të gjithë ata emra, nuk besoj që mund t’i ofrojë ndonjë ndihmë në aspektin profesional. Ky grup do të duhej të formohej prej profesionalistëve”, ka thënë ai.