TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Kamberi: Vučić, tartışmayı Arnavut haklarından Sırbistan'a yönelik tehdit suçlamalarına kaydırıyor.

Şaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Aleksandar Vuçiqin, se po e sulmon listën e përbashkët të partive shqiptare, duke thënë se kjo çështje duhet të shihet përtej numrit të mandateve që mund të fitojë koalicioni shqiptar në zgjedhjet e 25 tetorit.

Kamberi ka ngritur pyetjen se pse Vuçiqi është kaq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët parlamentare.

“Pse A. Vuçiq paraqitet aq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët? Kjo sjellje e tij duhet parë përtej numrit të mandateve që mund të fitojë Koalicioni shqiptar”, ka shkruar Kamberi.

Sipas tij, rëndësi nuk ka vetëm numri i deputetëve shqiptarë që do të fitojnë ulëse në Parlament, por edhe mënyra se si do ta përdorin përfaqësimin e tyre politik.

“Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, ka theksuar ai.

Kamberi ka vlerësuar se deklaratat e Vuçiqit, i cili sipas tij i ka cilësuar pjesëtarët e listës shqiptare si “armiq”, synojnë ta zhvendosin debatin nga konkurrenca zgjedhore te besnikëria ndaj shtetit serb.

“Nëse lista jonë është certifikuar nga Komisioni Republikan Zgjedhor në përputhje me procedurat ligjore, atëherë akuzat e tij si ‘armiq’ nuk janë thjesht kritikë ndaj një kundërshtari politik. Është një mënyrë për ta zhvendosur debatin nga konkurrenca zgjedhore te çështja e lojalitetit ndaj shtetit, duke e paraqitur një kundërshtar politik si kërcënim për shtetin”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka shtuar se kur një politikan i nivelit të lartë e paraqet një listë zgjedhore të një pakice kombëtare si armike, debati largohet nga programet politike dhe të drejtat e qytetarëve.

“Kur një ish-president dhe kandidat për kryeministër e paraqet një listë zgjedhore të pakicës kombëtare si armike, ai e zhvendos debatin nga programi, të drejtat dhe rezultatet te lojaliteti ndaj tij e partisë shtet”, ka shkruar ai.

Sipas Kamberit, ky narracion synon të krijojë presion politik ndaj partive dhe kandidatëve që mund të bashkëpunojnë me listën shqiptare, si dhe të bëjë që kritikat ndaj qeverisë të interpretohen si veprime kundër interesave të Serbisë.

“Narracioni i ndërtuar prej tij ka për qëllim të ndajë listën tonë, të ushtrojë presion politik mbi partitë dhe kandidatët e tjerë që mund të bashkëpunojnë me ne dhe të përgatisë terrenin që çdo kritikë e jona ndaj qeverisë të interpretohet si veprim kundër interesave të Serbisë. Një taktikë e njohur e polarizimit politik”, ka theksuar Kamberi.

Ai ka përmendur edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për shërbime të huaja dhe mbështetjen e pretenduar të kundërshtarëve politikë nga aktorë të jashtëm.

Në këtë kontekst, Kamberi ka thënë se përpjekjet e partive shqiptare për përfaqësim më të fuqishëm dhe bashkëpunim politik po përdoren për të ushqyer narrativën se Serbia po përballet me presione nga jashtë.

“Ky narracion i tij, me gjuhë të urrejtjes e luftënxitëse, ka për qëllim të ruajë stereotipet e kahershme ndaj shqiptarëve, si ‘armiq shekullorë’”, ka deklaruar ai.

Kamberi ka vlerësuar se një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të jetë më i vështirë për t'u kontrolluar nga pushteti serb sesa një numër më i madh deputetësh që janë të gatshëm të përshtaten me politikat qeveritare.

“Për një pushtet që është mësuar të negociojë me përfaqësues të pakicave përmes marrëdhënieve të varësisë politike, një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të jetë më i vështirë për t'u menaxhuar sesa një numër më i madh deputetësh që janë të gatshëm të përshtaten me pushtetin”, ka shkruar ai.

Sipas tij, deputetët shqiptarë mund të kenë ndikim jo vetëm në vendimmarrjen parlamentare, por edhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me të drejtat e shqiptarëve dhe në ndërkombëtarizimin e tyre.

“Një ose dy, tre apo edhe më shumë deputetë mund të kenë ndikim të kufizuar në votimin e ligjeve, por mund të kenë ndikim shumë më të madh në tri fusha”, ka thënë Kamberi, duke përmendur punën në Parlament, adresimin e çështjeve te institucionet ndërkombëtare dhe rolin në debatin politik në Serbi.

Ai ka përmendur si çështje që duhet të ngrihen në Parlament pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin e shqiptarëve, ndërsa në planin ndërkombëtar ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të këtyre problemeve dhe adresimit të tyre te institucionet evropiane, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, NATO-ja, vendet e QUINT-it dhe institucionet amerikane.

“Ndikimi i deputetit nuk matet vetëm me votat që ka në Parlament, por edhe me aftësinë për ta bërë një problem të brendshëm çështje të përgjegjësisë institucionale dhe ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Kamberi ka akuzuar Vuçiqin se po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës drejt pretendimeve se ata po veprojnë në interes të aktorëve të jashtëm.

“Përmes këtij narracioni ai po tenton ta zhvendosë pyetjen nga çështja pse nuk po zgjidhen problemet e shqiptarëve në çështjen: Pse po kërkojnë shqiptarët këto të drejta dhe kujt po i shërbejnë?”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka shtuar se kjo qasje i vendos shqiptarët në pozitën e të akuzuarve dhe largon vëmendjen nga detyrimet e shtetit serb për respektimin e të drejtave të tyre.

“Kështu ai e vendos pakicën në pozitën e të akuzuarit dhe e largon vëmendjen nga detyrimet e shtetit, sidomos nga katër marrëveshjet e nënshkruara (2001, 2009, 2013 dhe 2022), të cilat Serbia nuk po i respekton”, ka deklaruar ai.

Në fund, Kamberi ka theksuar se kundërshtimi i Vuçiqit ndaj ndërkombëtarizimit të çështjeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet parë si përpjekje për të kontrolluar ndikimin politik të përfaqësimit të tyre.

“Këtë përpjekje të tij nuk duhet ta kuptojmë automatikisht si shenjë se Vuçiqi ka frikë nga humbja e pushtetit për shkak të dy apo tre deputetëve shqiptarë, por si një përpjekje për të kontrolluar paraprakisht kuptimin politik të pranisë sonë të shtuar në Parlament”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka përfunduar se një listë shqiptare mund të ketë numër të kufizuar deputetësh, por të ruajë ndikim politik dhe diplomatik nëse vepron në mënyrë të pavarur.

“Një listë që ai mund ta mposhtë lehtësisht në numra, mund të jetë shumë më e vështirë që të neutralizohet në planin politik dhe diplomatik, nëse ajo listë ruan pavarësinë, disiplinën dhe besueshmërinë e saj. Prandaj ai flet se ‘nuk do të lejojë’ ta ndërkombëtarizojmë temën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka përfunduar Kamberi.