TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Hoti: Mevsimsel grip aşıları bu hafta Kosova'ya ulaşıyor.

Faik Hoti

Vaksinat kundër gripit sezonal pritet të arrijnë këtë javë në Kosovë, ndërsa vaksinimi pritet të nisë më së largu një ditë pas shpërndarjes së tyre nëpër komuna, ka bërë të ditur specialisti i shëndetit publik, Faik Hoti.

Ai ka sqaruar se vonesat kanë ardhur pasi Ministria pati parashikuar që vaksinat të mbërrinin më herët se në vitet e kaluara. 

Megjithatë, sipas tij, situata aktuale nuk paraqet vonesë që do të ndikonte në kohën e përshtatshme për vaksinim.

“Këtë javë pritet të vijnë vaksinat kundër gripit sezonal, do të bëjmë përpjekje që brenda ditës kur të arrijnë në IKSHPK të shpërndahen në të gjitha komunat në mënyrë që vaksinimi të fillojë më së largu të nesërmen. Jemi në kohën e duhur kur duhet të fillojë marrja e vaksinës. Do të ketë doza të mjaftueshme në vaksinës dhe besojmë se jemi në kohën e duhur... Ka pasur vonesa sepse Ministria ka menduar se sivjet mund të vijnë më herët sesa vitet e kaluara, mirëpo në raport me situatën ku jemi tani, nuk jemi vonë, jemi në kohën e duhur dhe nuk ka asnjë dilemë nëse ka pasur vonesa ose jo. Vaksinat vijnë këtë javë”, ka thënë Hoti të hënën në emisionin “tre8tre” në KTV.

Teksa ka folur për situatën me fruthin në Kosovë, Hoti ka njoftuar se nga 16 prilli deri më tani janë konfirmuar 224 raste, kryesisht te fëmijët e pavaksinuar.

Sipas tij, fruthi shfaqet më së shumti në vendet ku ka rënie të shkallës së vaksinimit, hezitim ndaj vaksinave apo përhapje të teorive konspirative që ndikojnë negativisht në procesin e imunizimit. Ai ka theksuar se në Kosovë nuk ka kufizime në qasjen në shërbimet e imunizimit.

Hoti ka rikujtuar se para pandemisë COVID-19, shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Kosovë ishte 95 për qind, por pas pandemisë ka filluar të shënohet rënie, një trend që, sipas tij, është vërejtur edhe në vende të tjera.

Rreziku më i madh për infektimin e fëmijëve të pavaksinuar, sipas specialistit të shëndetit publik, paraqitet në çerdhe dhe kopshte, ku grumbullohen fëmijë të grupmoshave të ndryshme, përfshirë edhe ata që ende nuk e kanë mbushur një vjeç.

Ai ka theksuar se pranimi i fëmijëve në kopshte duhet të bëhet në përputhje me Ligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Arsimit, si dhe certifikatën dhe dëshminë se fëmija i ka marrë vaksinat e parapara për moshën përkatëse, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.