TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Gola, KIE Parlamento Meclisi'nde Özel Mahkeme'nin kararı hakkında konuştu.

Ardian Golası

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka folur ndër të tjera edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Gola ka thënë se beson që Apeli do t’i rrëzojë gjithë akuzat, nëse zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë. 

“Sa u përket dënimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përmendura në raport, duhet theksuar se pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar. Nuk pati krime kundër njerëzimit, nuk pati trafikim organesh dhe nuk pati “Shtëpi të Verdhë”. Sa u përket akuzave të mbetura, ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë”, ka thënë Gola. “UÇK-ja u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes dhe zhvilloi një luftë të drejtë për ta çliruar popullin e Kosovës nga Serbia diktatoriale e Milosheviqit, e cila ishte vetë burimi i terrorit dhe i luftërave të përgjakshme në mbarë ish-Jugosllavinë. Evropa duhet të mbetet vigjilente dhe të mos lejojë që barbaria e viteve ’90 të përsëritet, duke lejuar shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike. 

Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi më 16 shtator u dënuan me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Kadri Veseli me 18 vjet e Rexhep Selimi me 13 vjet. 

Gola ka shtuar se derisa në Kosovë po gjenden mbetje mortore dhe varreza masive, Serbia po vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës të dënuar për gjenocid, t’i strehojë terroristët dhe të përdorë retorikë luftnxitëse. 

“Ajo Serbi që vazhdon ta ruajë një vazhdimësi ideologjike me të kaluarën e saj të palavdishme dhe të errët. Ndërkohë që edhe sot në Kosovë vazhdojnë të zbulohen mbetje mortore dhe varreza masive si pasojë e krimeve të kryera nga Serbia, Serbia vazhdon të glorifikojë kriminelë të dënuar për gjenocid, të strehojë terroristë dhe të përdorë retorikë luftënxitëse, përfshirë thirrje për spastrimin etnik të Kosovës”, tha Gola. 

Gola ka folur edhe për ngërçin politik në Kosovë. Ka thënë se Kosova po përballet me krizë politikë lidhur me zgjedhjen e presidentit.

“Është e pamohueshme se Kosova po përballet me një krizë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit. Kjo duhet parë në kontekstin e disa anomalive kushtetuese, disa prej të cilave burojnë edhe nga Pakoja e Ahtisaarit. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se dialogu politik vazhdon të zhvillohet brenda konturave demokratike, ku dhuna nuk gjen vend”, tha Gola.