TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

VV ve LDK arasındaki müzakerelerin sonuçlarına ilişkin şüpheler ve memnuniyetsizlik.

Kurti - Abdixhiku toplantısı

Kërkimin e një presidenti jashtë politikës e ka vlerësuar si shenjë të krizës politike, deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Ai e ka kritikuar qasjen e kryetarit të partisë së tij, Lumir Abdixhiku, dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për mënyrën se si po diskutohet zgjedhja e presidentit. Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Sylë Ukshini, e vlerëson të rëndë gjendjen brenda LDK-së

Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike, e ka kritikuar qasjen e diskutimeve për çështjen e presidentit mes kryetarit të partisë së tij Lumir Abdixhiku me atë të Vetëvendosjes, Albin Kurti. 

Sipas Gashit, kriteri i vendosur nga dy liderët partiakë, që presidenti i ardhshëm të jetë joaktiv në politikë, është shenjë e krizës së politikës së sotme dhe e varfërimit të mënyrës se si po projektohet e ardhmja e vendit.

Gashi e ka quajtur “mjerim politik” situatën e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit.

“Sot kemi nevojë për një politikë që të mos jetojë vetëm nga emrat e së kaluarës dhe kalkulimet e së tashmes, por të investojë në njerëzit që mund ta udhëheqin Kosovën në dekadat që vijnë. Jo politikë e improvizimit. Jo politikë e zëvendësimit të ideve me emra. Por politikë e vizionit, përgjegjësisë dhe lidershipit”, ka deklaruar Gashi. 

Të mërkurën u zhvillua takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut për çështjen e presidentit. Pas tij, të dy deklaruan se kanë folur për emra konkretë, por se ende nuk kanë arritur konsensus.

Për një votim të suksesshëm për presidentin, nevojiten votat e së paku 80 deputetëve, e që me shpërndarjen aktuale nënkupton pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve të LVV-së, të gjithë të LDK-së dhe një pjesë ligjvënësve që përfaqësojnë minoritetet. 

Mungesa e unitetit brenda Grupit Parlamentar të LDK-së e bën të vështirë një zgjidhje, thotë njohësi i çështjeve politike, Sylë Ukshini. Situatën brenda subjektit më të vjetër në vend, Ukshini e përshkruan si të rëndë. 

“Lumir Abdixhiku po mundohet të mbijetojë në anijen e LDK-së, e cila po fundoset. Dhe në këtë fundosje faktikisht ka dy timonierë të këqij: janë Vjosa Osmani, e cila varkën e LDK-së e ka shpërthyer t’i hyjë uji dhe tash vjen se gjoja po e shpëton nga uji, dhe Lumir Abdixhiku, i cili në fakt s'ka përkrahje as brenda subjektit të tij”, ka vlerësuar Ukshini.

Ndërkaq, Partia Demokratike nuk i beson qëllimeve të Vetëvendosjes në diskutimet për zgjedhjen e presidentit.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka përsëritur se partia e tij është në opozitë dhe se ky qëndrim, sipas tij, përcakton edhe pozicionin e PDK-së ndaj zgjedhjes së presidentit.  
“Nëse një parti që e deklaron vetën në opozitë voton një kandidat të pushtetit për president, atë ditë ajo parti nuk mbetet opozitë. Ne nuk jemi të interesuar të mbesim opozitë formale. Opozita përfaqëson në çdo shoqëri pushtetin moral të shoqërisë, alternativën morale ndaj pushtetit. Ne nuk votojmë sepse nuk është në rolin, nuk është në dinjitetin, nuk është në përshkrimin e detyrave të një opozite që t’i vazhdojë jetën dhe t’i zgjedhë njerëzit e pushtetit në krye të shtetit”, ka deklaruar Gruda. 

Rrjedhja e afatit për zgjedhjen e presidentit varet nga konstituimi i Kuvendit. Ky proces po mbahet pezull nga partia fituese e zgjedhjeve, ndonëse afati kushtetues ka skaduar që 20 ditë.