TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Sırbistan'ın Kozhle kentinde iki haftalık kazı çalışmaları sonuçsuz kaldı.

kazı

Fotoğraf: İllüstrasyon

Tash e dy javë janë duke vazhduar gërmimet në Kozhle të Serbisë, në lokacionin ku dyshohet se mund të gjenden mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Në Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur thonë se lokacionet në territorin e Serbisë vazhdojnë të jenë sfiduese, pasi ky shtet nuk pranon të bashkëpunojë

Në Komisionin Qeveritar për persona të zhdukur, kanë pak shpresa se në gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit mund të gjenden mbetje mortore.

Gërmimet në këtë lokacion kanë nisur para dy javësh e dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Anëtari i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se, pavarësisht përfundimit të gërmimeve në Kozhle, kjo zonë do të vazhdojë të mbetet me interes për kërkimet për personat e zhdukur.

“Gërmimet që janë duke u realizuar këtë vit mund të jetë çështje ditësh pra nëse jo sot, nesër do të përfundojnë. Fatkeqësisht pa një rezultat në kuptim të gjetjes së mbetjeve mortore ose në kuptim të saktësimit të lokacionit të varrit masiv. Megjithatë pa marrë parasysh cili është epilogu i këtyre gërmimeve për ne si lokacion pra zona në fjalë, lokacioni të afërsi të deponisë së mbeturinave në Kozhle si dhe lokacioni i Rashkës mbeten lokacione ose zona me interes pra mbeten edhe lokacione ose zona të papërfunduara”, ka thënë Gara.

Gara i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe të vërë në dispozicion dokumentet e arkivave të saj.

“Lokacionet në territorin e Serbisë vazhdojnë të jenë sfiduese derisa Serbia nuk vënë në dispozicion të këtij procesi të dhënat nga arkivat e tyre kryesisht po flas për të dhënat e ushtrisë jugosllave në mënyrë të veçantë në zonën të cilën jemi po flasim për të dhënat e arkivit të brigadës motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave. Është kërkesë e vazhdueshme edhe në  institucionet e Serbisë por edhe nga Partnerët ndërkombëtar që të shtrojnë presion ndaj Serbisë që me qenë më bashkëpunuese në kuptim të ofrimit të dhënave”, ka thënë ai.

Po ashtu ka thënë se gërmimi në Kozhle është tejet i vështirë, pasi është një zonë e përdorur si deponi e mbeturinave për më shumë se dy dekada.

Sipas tij, kjo e ka komplikuar edhe më tej procesin e kërkimit, ndërsa e ka cilësuar përdorimin e kësaj zone si deponi si cenim të dinjitetit të viktimave.

Kërkimet e këtij viti janë bërë edhe mbi bazën e pamjeve satelitore të siguruara përmes partnerëve ndërkombëtarë.

Megjithatë, këto pamje nuk e mbulojnë periudhën e luftës, pasi janë të korrikut dhe gushtit të vitit 1999.

Ky është viti i tretë që kryhen gërmime në këtë zonë, por as në vitet e kaluara nuk ka pasur rezultate në gjetjen e mbetjeve mortore.

Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 1500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.