TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Doyle, eski KLA liderlerinin duruşmasını izleyici sıralarından büyük bir ilgiyle takip ettiklerini söyledi.

Michael Doyle

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se ka pasur interesim të madh për ta përcjellur seancën e të enjtes nga galeria publike. Të enjten do të jepet verdikti në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. 

Doyle në një intervistë për KOHËN ka thënë se ka pasur qindra kërkesa për ta përcjellur seancën nga galeria. 

“Po, me të vërtetë ka pasur qindra njerëz që kanë aplikuar, ndërsa në galerinë publike janë 71 vende. Prioritet u është dhënë anëtarëve të familjes së të akuzuarve. Secilit prej të akuzuarve i është ndarë një numër i caktuar vendesh. Kështu që shumica e vendeve në galerinë publike u janë ndarë anëtarëve të familjeve të të akuzuarve. Gjithashtu ka vende për mediat — mediat ndërkombëtare dhe ato të Kosovës — si dhe për publikun dhe diplomatët, përfshirë disa diplomatë dhe zyrtarë nga Kosova dhe Shqipëria”, tha Doyle. 

Ai ka thënë se nuk është e përcaktuar se sa do të zgjasë seanca, por tha se do të zgjasë më pak se që zgjasin zakonisht seancat. 

“Nuk është përcaktuar në urdhrin e caktimit të seancës, me sa di unë, saktësisht se sa do të zgjasë. Ajo që mund të them është se, duke parë aktgjykimet e kaluara, seanca konsiston kryesisht në leximin e përmbledhjes së aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues. Kështu që zakonisht nuk zgjat aq shumë sa seancat e tjera që zgjasin, për shembull, gjithë ditën”, tha Doyle. 

Doyle po ashtu ka thënë se nëse të akuzuarit shpallen të pafajshëm atëherë në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të aplikohet lirimi i menjëhershëm. Pasi Thaçi po gjykohet edhe në një rast tjetër që ka të bëjë me pengimin e drejtësisë. 

“Në rast se  përfundon me pafajësi, ligji dhe rregullat janë të qarta se personi i akuzuar duhet të lirohet menjëherë. Ekziston një dispozitë që nëse dikush është subjekt i një procedure tjetër ligjore për të cilën është në paraburgim, atëherë kjo mund të mos zbatohet menjëherë. Specifikisht në rastin e z. Thaçi, siç e dini, ai është gjithashtu në paraburgim me urdhër që lidhet me procesin ku akuzohet për vepra penale të pengimit të drejtësisë. Kështu që nëse ai shpallet i pafajshëm, atëherë do t'i takonte gjyqtarit të asaj çështjeje ta rishikonte paraburgimin e tij, siç bëhet rregullisht, përpara se ai të lirohej”, tha Doyle.