TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Kadınlara yönelik ekonomik şiddetin ele alınmasında yasal boşluk

polis

Dhuna ekonomike është njëra nga format e dhunës në familje për të cilën viktimat nuk po janë të vetëdijshme se janë të ekspozuara ndaj saj. Për këtë, organizata që merren me të drejtat e grave kanë thënë se ka edhe boshllëk ligjor sa i përket evidentimit dhe trajtimit të kësaj forme abuzimi nga ana e institucioneve të drejtësisë. Në polici dhe Këshillin Prokurorial kanë thënë se kjo formë e dhunës trajtohet në kuadër të asaj në familje

Kontrolli financiar që ndodh shpesh në familje përbën një aspekt tjetër të dhunës, specifikisht asaj ekonomike.

Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka thënë se dhuna ekonomike në familje është mbi baza gjinore dhe se gratë shpesh nuk e kuptojnë që janë viktima të kësaj forme të dhunës.

“Kjo është formë e dhunës me bazë gjinore. Kështu e njeh edhe Konventa e Stambollit. Është dhunë ndaj grave dhe bëhet se jemi gra. Nuk konsiderohet njëjtë sikur çdo formë tjetër e dhunës që mund të ndodhë në shoqëri. Nuk është ende vetëdija që të kuptohet që kjo dhunë i ushtrohet vetëm se dikush është grua”, ka thënë Berisha.

Se nuk ekziston vetëdija e duhur për këtë formë abuzimi, e ka thënë edhe avokatja Besmira Hoti.

“Fatkeqësisht te ne nuk e dinë shumica e qytetarëve për shkak se dhuna ekonomike shfaqet në rastet e dëmeve financiare që munden me iu shkaktu dikujt tjetër apo moslejimin e një pjese të pasurisë për me e mbajtë, me e trajtu ose shfrytëzu”, ka thënë ajo.

Berisha ka thënë se dhuna ekonomike është e ndërlidhur edhe me format e tjera të dhunës. Ndërsa, psikologia Shqipe Vitia ka theksuar se shpesh gratë për shkak të varshmërisë ekonomike zgjedhin te jetojnë me partnerët abuzivë. Sipas saj, ato e justifikojnë këtë duke u thirrur në atë se duruan për fëmijët.

“Pyetja ime është vazhdimisht se pse e duroni këtë lloj dhune?! Ajo deklaron se nuk ka ku të shkojë. Nuk ka të holla, nuk ka shkollim dhe ajo është e detyruar që të qëndrojë brenda asaj familje madje edhe për shkak të fëmijëve...Këta fëmijë gjithmonë rriten me mungesë vetëbesimi dhe duke e fajësuar veten e tyre që për shkakun e tyre nëna e tyre ka qëndruar duke u dhunuar apo abuzuar në çfarëdo lloj forme të dhunës. Kështu që është e gabueshme për ndryshe”, ka thënë Vitia.

Berisha pati kritika për evidentimin që policia ia bën kësaj forme të dhunës si dhe kritikoi dënimet e ulëta nga ana e sistemit gjyqësor në Kosovë.

Kurse, nga Policia e Kosovës kanë thënë që këto raste duke përfshirë edhe dhunën ekonomike, trajtohen në kuadër të dhunës në familje dhe se marrëdhënia familjare merret si rrethanë renduese.

“Në çdo rast në të cilin ekzistojnë elemente të dhunës në familje, trajtohet në përputhje me nenin 248 – Dhuna në familje, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas kësaj dispozite, dhuna ose keqtrajtimi fizik, psikologjik apo ekonomik, i kryer me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Po ashtu, kur një vepër tjetër penale kryhet brenda marrëdhënies familjare, marrëdhënia familjare konsiderohet rrethanë rënduese”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ngjashëm edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë se kjo formë e dhunës trajtohet në kuadër të asaj në familje. Kanë treguar se si janë trajtuar këto raste gjatë gjashtëmujorit të parë të 2026-ës.

“Për 115 persona – Është hedhur kallëzimi penal; Për 29 persona – Masa për trajtim psikiatrik; Për 62 persona – Është pushuar hetimi; Për 74 persona – Aktakuzë me urdhër ndëshkimor; Për 521 persona – Aktakuzë e drejtpërdrejtë; Për 244 persona – Aktakuzë pas procedurës hetimore; Për 10 persona – Është zgjidhur në mënyrë tjetër - është bashkuar procedura”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Sipas këtyre të dhënave për këto raste, 566 persona janë shpallur fajtorë e 36 prej tyre janë liruar.

E në Databazën Nacionale të Ministrisë së Drejtësisë gjatë periudhës 2024 dhe shtator 2026, janë 15 raste të evidentuar në polici për shmangie nga sigurimi i mjeteve të jetesës, 1 për uzurpim të pronës si dhe 44 për shkatërrim të pasurisë dhe kanosje.

Por, edhe nga Ministria kanë thënë se nuk duhet të interpretohen si numër përfundimtar i rasteve të dhunës ekonomike, pasi mund të paraqitet së bashku edhe me forma të tjera të abuzimit.

“Këto të dhëna pasqyrojnë rastet e regjistruara në databazë sipas veprave penale përkatëse dhe nuk duhet të interpretohen si numër përfundimtar i të gjitha rasteve të dhunës ekonomike, pasi dhuna ekonomike mund të paraqitet së bashku me forma të tjera të dhunës dhe jo çdo element i saj regjistrohet domosdoshmërisht si kategori e veçantë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2026-s, sipas policisë, janë raportuar 1.335 raste të dhunës në familje, kurse 7 prej tyre kanë element ekonomik.