TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

32.5 milyonluk borç, NPB çalışanlarını maaşsız bırakıyor.

NPB Priştine

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë paralajmëruar protestë, meqë prej dy muajsh nuk i kanë marrë pagat. Njohës të pushtetit lokal thonë se ndërmarrja mund të falimentojë, në rast se merr formë të prerë vendimi gjyqësor që e obligon atë t’ia paguajë tri bizneseve private shumën në vlerë prej 32.5 milionë eurosh. Borxhi është pasojë e kontratës për bashkinvestim, të cilën pushteti që udhëhiqej nga Shpend Ahmeti dhe koalicioni PSD-AAK ka lidhur më 2021 me tri kompani private

Në hyrje të ashensorit në një bllok banesor, banorët janë paralajmëruar se duhet ta përdorin me kujdes atë, për shkak se Ndërmarrja Publike Banesore do të jetë në grevë nga data 5 tetor.

Xhevat Prebreza, i cili punon në këtë ndërmarrje, thotë se ai dhe kolegët e tij nuk do të futen në grevë, por fillimisht do të ngrihen në protestë. Ai e ka bërë të ditur kërkesën kryesore të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.  

“Ne të vetmen kërkesë që kemi, është me na i bërë rrogat. Ka tash e dy muaj që nuk i kemi marrë rrogat, ne si punëtorë”, ka thënë Prebreza.

Sipas Prebrezës, aktualisht, ndërmarrja që për aksionare ka Komunën e Prishtinës, mirëmban mbi 820 hyrje të banesave në kryeqytet.

Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP, thotë se Prishtina dhe komunat e tjera po përballen me probleme për menaxhimin e ndërmarrjeve publike lokale.

“Përgjegjësia operacionale dhe institucionale për ndërmarrjet publike lokale ju takon komunave, dhe kjo përgjegjësi nuk mund të shkëputet nga komunat. Kjo është e para, e dyta, ne si institut e kemi bërë një vlerësim për të gjitha komunat dhe kemi parë nëse është e nevojshme ose edhe e dobishme përpjekja e tyre, interesimi i tyre për të themeluar ndërmarrje publike lokale, dhe neve na ka dalë për komunat në tërësi jo që ka përjashtim në këtë rast, por ka një rregull që në tërësi komunat po kanë probleme për t’i menaxhuar ndërmarrjet publike lokale”, ka theksuar Salihu.

Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore ka njoftuar se llogaritë e saj bankare janë bllokuar në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor. Paraprakisht, Gjykata Komerciale obligoi ndërmarrjen t’ua paguajë 32.5 milionë euro tri kompanive – “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos”, me të cilat më 2021 kishte lidhur kontratë për bashkinvestim, në emër të fitimit të humbur të tyre, meqë nuk iu mundësua ndërtimi.

Salihu vlerëson se, nëse vendimi gjyqësor merr formë të prerë, mund të konstatohet falimentimi i ndërmarrjes.

“Tani natyrisht kemi një vendim gjykate, i cili është i ankimuar dhe i cili pritet të vlerësohet ose të legjitimohet në instancat e tjera gjyqësore. Mirëpo, në rast se ky vendim gjyqësor mbetet, realisht e praktikisht mund të konstatojmë që kemi të bëjmë me një falimentim përfundimtar të kësaj ndërmarrjeje”.

Lënda për mosrealizmin e projektit për ndërtimin e kompleksit banesor afarist në Lakrishtë, kishte përfunduar në gjykatën komerciale. Pastaj ka kaluar në Supreme, gjykatë e cila nuk ka treguar se deri ku ka shkuar çështja.

“Për kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndës, nuk mund të prejudikojmë afatin, ndërkaq prioritetet e shqyrtimit të lëndëve vendosen konform dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Komerciales është përcjellë me përplasje politike.

PDK-ja, që udhëheq me NPB-në, e pati fajësuar LVV-në, duke pretenduar se më 2021, kryetari Shpend Ahmeti që e lidhi kontratën ishte pjesë e këtij subjekti, megjithëse ai ishte larguar 2-3 vjet më parë nga VV-ja. E VV-ja ka hedhur dyshime mbi përfaqësimin ligjor të komunës dhe të NPB-së, që ka angazhuar një avokat të PDK-së për këtë rast.

Ndërsa, NPB-ja në vlerësimin e saj të dhënë në prill të këtij viti ka thënë se fitimi i humbur e i konstatuar nga shkalla e parë e Komerciales, prej mbi 30 milionë eurosh nuk ekziston, meqë sipas kësaj ndërmarrjeje, afati për llogaritjen e këtij fitimi nis nga fillimi i punimeve që nuk ka ndodhur kurrë. 
Për kontratën e NPB-së me tri kompanitë, Prokuroria Speciale më 2024 ngriti aktakuzë kundër 6 përfaqësuesve të NPB-së për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kundër ish-kryeshefit, Hajdar Hoxha, por më 2025 atë aktakuzë e rrëzuan të tria shkallët gjyqësore.

Në kohën kur u nënshkrua kjo kontratë, kryetari i kryeqytetit ishte Shpend Ahmeti dhe koalicioni PSD-AAK udhëhiqte me komunën.

Rezana Bozhlani