TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Kuruluşundan 27 yıl sonra bile polis memurlarının hâlâ emeklilik yasası ve sağlık sigortası yok.

Kosova Polisi

27 vjet nga themelimi, Policia e Kosovës sot shënoi përvjetorin e saj me një ceremoni solemne. Por, krahas arritjeve dhe zhvillimit të këtij institucioni ndër vite, pjesëtarët e policisë vazhdojnë të përballen me sfida që lidhen me kushtet e punës, pagat, sigurimin shëndetësor dhe mirëqenien e tyre. Sindikata kërkon nga institucionet që këto çështje të trajtohen me prioritet.

Në 27-vjetorin e themelimit, Policia e Kosovës vazhdon të përballet me shqetësime për kushtet e punës dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj.

Ende nuk është miratuar ligji që do të rregullonte pensionimin e pjesëtarëve të Policisë, ndërsa ata vazhdojnë të jenë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Në këtë përvjetor, Sindikata e Policisë ka kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe garantimin e të drejtave të pjesëtarëve të saj.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti, ka thënë se edhe sot ky institucion përballet me disa probleme të pazgjidhura.

“Pas 27 vjetësh të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e saj vazhdojnë të përballen me një sërë shqetësimesh që lidhen drejtpërdrejt me kushtet e punës dhe mirëqenien e tyre. Ndër shqetësimet kryesore janë ligji për pensionim të pjesëtarëve të policisë, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, pagat dhe shtesat, kompensimi i punës së natës, pajisjet dhe kushtet e punës, si dhe mirëqenia e zyrtarëve policorë”, tha Hoti.

Hoti thekson se ka pasur edhe përmirësime por thekson se tash më shumë se kurrë nevojitet rritja e pagave për pjesëtarët e saj.

“Sa i përket mbështetjes institucionale, ka pasur përmirësime të dukshme krahasuar me vitet e para të Policisë së Kosovës, veçanërisht në profesionalizim, trajnim dhe në disa aspekte të pajisjeve dhe infrastrukturës. Por, një polici moderne nuk mund të matet vetëm me pajisjet që ka në dispozicion. Ajo duhet të matet edhe me mënyrën se si kujdeset për pjesëtarët e saj”, tha Hoti.

E eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se Policia e Kosovës, si reaguese e parë, e ka dëshmuar profesionalizmin e saj, sidomos në rastet e viteve të kaluara, në Banjskë dhe në rastin e Ibër Lepencit.

Por Ibishi thekson se sfidat me të cilat përballet policia janë në rritje.

“Përveç kësaj, kam qenë në pesë vitet e para me disa projekte dhe di sa sfida ka pasur në të gjithë këtë rrjedhë historike jo të vogël të atyre viteve. Sido që të jetë, sfidat e vitit 2026, por edhe pritjet për vitin 2027, do të jenë gjithashtu në rritje, sidomos me luftën hibride ruse që po përcillet përmes Serbisë dhe me të cilën po ballafaqohemi në vazhdimësi. Janë nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve, terrorizmi, krimi kibernetik, dezinformimi, spiunazhi, dronët, kërcënimet hibride, siç e thashë, edhe situata të mundshme që në një formë të destabilizojnë gjendjen dhe kërkojnë nga policia të jetë plotësisht e gatshme si reaguese e parë”, tha Ibishi.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka nevojë të transformohet nga një polici reaktive në një polici parandaluese.

Ibishi shton se nevojitet edhe bashkëpunim ndërinstitucional, në mënyrë që të rritet bashkëpunimi mes Policisë, AKI-së dhe institucioneve të tjera të drejtësisë.

Kjo ditë u shënua edhe me një ceremoni solemne festive, ku morën pjesë personalitete të larta shtetërore, drejtori i Policisë, menaxhmenti i lartë i Policisë, si dhe personalitete të tjera vendore e ndërkombëtare.

Më 6 shtator të 1999-s, Policia e Kosovës është formuar si një trupë me 176 kadetë. E tani, 27 vjet pas, i numëron mbi nëntë mijë pjesëtarë.

Fillimisht pati vepruar në kuadër të UNMIK-ut, teksa më 15 qershor të 2002-s ka nisur faza e transferimit gradual të kompetencave, detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve policore te asokohe Shërbimi Policor i Kosovës.