Tokio 2020

Fundi i Lojërave më të veçanta në histori

Descriptive Text

Nisën në kohë pandemie dhe pas shtyrjes njëvjeçare. Përfunduan me një ceremoni të bukur, në kohën kur bota ende po përballet me virusin.

Lojërat Olimpike të Tokios, të parapara të mbaheshin në vitin 2020, e që u mbajtën në mesin e vitit 2021, gjetën fundin në një stadium të zbrazur të dielën mbrëma.

Ceremonia përmbyllëse me temën “bota që ne ndajmë” - një nocion optimist, por ironik për njerëzimin në këto momente - dha shfaqje të pasur artistike pas dy javësh me plot ngjarje për sportistët.

Vëmendje pati edhe nga Parisi, nikoqiri i Lojërave Olimpike Verore 2024. Dhe kështu lojërat më të pazakonta në histori u mbyllën përfundimisht.

Të mbajtura në mesin e pandemisë së ringjallur, të refuzuara nga shumë japonezë dhe të rrënuara për muaj të tërë nga problemet administrative, Lojërat Olimpike paraqitën pengesa logjistike e mjekësore si asnjëherë tjetër, ofruan biseda serioze për shëndetin mental dhe kur bëhej fjalë për sportin, dhuruan triumfe dhe disa rezultate befasuese.

Që në fillim, pritshmëritë ishin mesatare në rastin më të mirë, apokaliptike në rastin më të keq. Edhe Thomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, tha se ishte i shqetësuar se këto mund “të jenë Lojëra Olimpike pa shpirt”. Por, ai tha së fundi se “çfarë kemi parë këtu është krejtësisht ndryshe”.

“Ishit të shpejtë, shkuat lart, ishit të fortë, sepse të gjithë ne qëndruam së bashku – në solidaritet”, u tha Bach olimpistëve të mbledhur në ceremoninë e mbylljes së Lojërave. “Ishte edhe më e jashtëzakonshme për shkak të sfidave me të cilat është dashur të ballafaqoheni për shkak të pandemisë. Në këto kohë të vështira ju i dhatë botës dhuratën më të çmuar: shpresën”.

“Për herën e parë qëkur filloi pandemia, e gjithë bota u bashkua”, vazhdoi Bach.

Por, në këto Lojëra edhe fjala “së bashku” ishte stresuese. Tifozët nuk u lejuan. Rregullat i mbajtën sportistët të maskuar dhe ndaras nga shumë ceremoni të medaljeve, ani pse në disa arena shmangia e kontaktit mes sportistëve ishte e pamundur. Por, në të njëjtën kohën, ngjarjet duhej të vazhdonin.

Këmbëngulja e atletëve u bë tregimi kryesor. Shëndeti mental u shfaq si kurrë më parë dhe sportistët treguan storiet e tyre të pengesave, që ndonjëherë ishin torturuese.

Në parakalim, sportistët mbanin flamujt e tyre shtetërorë – qindra olimpistë, të maskuar dhe të pamaskuar. Vullnetarët mbanin disa flamuj në stadium, ndërsa rregullat kërkonin që sportistët të largoheshin nga shteti menjëherë pas përfundimit të ngjarjes.

Sidoqoftë, përsosmëria e sportistëve u shfaq që nga medalja e parë e artë e Lojërave Olimpike (Yang Qian i Kinës në 10 metra pushkë ajrore më 24 korrik) deri te e fundit (fitorja e Serbisë ndaj Greqisë në vaterpolo te meshkujt të dielën pasdite).

Në mesin e momenteve më të mira ishte Allyson Felix nga SHBA-ja që u bë me 11 medalje në atletikë, dhe më pas largimi nga skena olimpike.

Këto Lojëra, përgjatë dy jave, u përshkuan edhe me mijëra teste për koronavirus për sportistët, stafin, gazetarët dhe vizitorët. Kjo dha afërsisht 400 teste pozitive, ndërsa jashtë Olimpiadës, Qeveria u desh të shpallte gjendje të jashtëzakonshme për rritjen e madhe të rasteve me koronavirus.

Gjatë Lojërave Olimpike u fol shumë edhe për gjendjen mentale dhe emocionale, që i vuri në presion madje edhe sportistët më të mëdhenj, e që nuk dhanë më të mirën. Vështirësi pati gjimnastja Simone Biles dhe tenistja Naomi Osaka në veçanti. Kjo bëri që të flitej më shumë për stresin, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.

Derisa Tokio po e lë stafetën e Lojërave Verore te Parisi 2024, shtyrja ka bërë që dy Olimpiada të jenë afër njëra-tjetrës. Lojërat Dimërore të ardhshme do të mbahen pas gjashtë muajve në një tjetër shtet aziatik, Pekin të Kinës, rivali i Japonisë në Azinë Lindore dhe shtëpi e një qeverie autoritare që pritet t’i administrojë Lojërat në mënyrë më restriktive, me apo pa virus.

Përtej kësaj, organizatorët e Parisit premtuan të dielën ta “nxjerrin sportin nga hapësirat e veta tradicionale” dhe “ta lidhin me audiencë të re në mënyra të reja” në vitin 2024 – duke supozuar, natyrisht, mungesën e një pandemie të zgjatur.

Në javët e fundit, shumë njerëz – zyrtarë, sportistë, gazetarë – po flasin se si Lojërat e Tokios do të kujtohen. Kjo varet nga historia, natyrisht, por ka sugjerime.

Ditët ishin me shumë konkurrencë në përgjithësi, por pa incidente.

Shpenzimet shkuan deri mbi 15 miliardë dollarë – ishin kolosale dhe do të krijojnë jehonë në Tokio për një kohë të gjatë pasi të ikin sportistët.

Programi i ceremonisë mbyllëse të Tokios, që pati mbishkrimin “bota që ne ndajmë”, preku edhe efektin e pandemisë dhe botës virtuale dhe ankthin e ndarjes së cilës i ka dhënë jetë.

“Jemi në një normalitet të ri dhe ky edicion i Lojërave ishte një çështje ndryshe”, tha Bach. “Edhe nëse nuk mund të jemi bashkë, ne mund ta ndajmë këtë moment. Dhe kjo është diçka që ne kurrë nuk do ta harrojmë”, përfundoi ai.