Tokio 2020

Jepchirchir fiton të artën në garën rraskapitëse

Peres Jepchirchir ka fituar garën e dy atleteve nga Kenia për t’iu gëzuar të artë olimpike në vrapimin maratonë.

Të shtunën, Jepchirchir arriti në cak për 2 orë, 27 minuta e 20 sekonda. Ishte rezultati i saj më i mirë i sezonit. Ajo fitoi garën rraskapitëse të mbajtur në Sapporon e ngrohtë dhe me lagështi të madhe. E dyta ishte atletja tjetër nga Kenia, mbajtësja e rekordit të botës, Brigid Kosgei.

Dy herë kampionia e botës në gjysmëmaratonë, Jepchirchir, ishte 16 sekonda para Kosgeit. Molli Seidel e SHBA-së, që vonë është bashkuar në maratonë, mori të bronztën me rezuyltat 2 orë, 27 minuta e 46 sekonda.

“Po ndihem mirë”, ka thënë Jepchirchir pasi fitoi të artën. “Jam shumë e lumtur pasi kemi fituar si Kenia. Vendin e parë e të dytë. E falënderoj Zotin. Jam e lumtur për familjen time. Jam shumë e lumtur për vendin tim, Keninë. Kam shtyrë para dhe kur kam krijuar distancë kam thënë ‘uau, unë do t’ia dal. Do të fitoj”.

Organizatorët kanë nisur garën një orë më herët, në 6 të mëngjesit, për shkak të brengave për të nxehtit në Sapporo.

88 vrapuese nisën vrapin prej 42 kilometra. 14 prej tyre, duke përfshirë kampionen e botës, Ruth Chepngetich të Kenisë, nuk arritën në finish.

“Ishte aq nxehtë, nuk ishte e lehtë”, ka shtuar Jepchirchir. “Jam thjeshtë falënderuese që ia dola të përballem me të nxehtit”.

“Është shumë nxehtë por provuam të japim më të mirën”, ka vazhduar Kosgei.