Tokio 2020

Pas paraqitjes në tetë Olimpiada, spanjolli 51-vjeçar vlerëson se ka ardhur koha për t’u tërhequr

Tokio, 6 gusht – Në moshën 51-vjeçare, Jesus Angel Garcia ka bërë histori. Ai është bërë i pari që ka garuar në një ngjarje të atletikës në tetë edicione të ndryshme të Lojërave Olimpike.

Momenti i madh i spanjollit në “Tokio 2020” erdhi në garën me 50 kilometra ecje sportive, të premten në Saporo. Garcia përfundoi i 35-ti.

Jesus Angel Garcia kishte garuar së pari në Lojërat Olimpike të vitit 1992 në Barcelonë. Asnjë prej medalistëve në vrapim 100 metra në “Tokio 2020” nuk ishin të lindur atëherë.

Por Garcia nuk do të kthehet në Paris 2024, pasi ngjarja e tij do të largohet.

Organizatorët kanë vendosur të largojnë nga programi olimpik garën në ecje sportive në 50 kilometra pasi nuk ka garë ekuivalente për femra. Ecja sportive e femrave është përfshirë në Lojëra për herë të parë në vitin 1992, por asnjëherë nuk është garuar në distancë më të madhe se 20 kilometra.

Polaku Dawid Tomala ka fituar garën përfundimtare në 50 kilometra ecje sportive. Fituesi i medaljes së bronztë olimpike, Evan Dunfee, ka kritikuar vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të Federatës Botërore të Atletikës për ta hequr garën nga Lojërat Olimpike.

“Është gabim i tmerrshëm nga IOC-ja dhe Atletika Botërore”, ka thënë kanadezi Dunfee. “Mendoj se kemi treguar sot se kjo ngjarje u takon Lojërave Olimpike. Zgjedhja më e lehtë do të ishte të lejoheshin femrat të garonin në 50 kilometra ecje sportive në Lojëra Olimpike. Është zemërthyese”.

Me ngjarjen që do të hiqet nga Lojërat, veterani Garcia ka vendosur që “Tokio 2020” është koha dhe vendi i duhur për të përfunduar karrierën.

Tetë paraqitjet në Lojërat Olimpike nuk i sollën atij medalje. Rezultati më i mirë është vendi i katërt në “Pekini 2008”.

Ai megjithatë ka suksese në 50 kilometra ecje sportive. E ka fituar të artën në Kampionatin Botëror në vitin 1993.

Edhe pa medalje të fituar, paraqitja e vazhdueshme në Lojëra që nga fillimi i viteve 1990 është arritje e jashtëzakonshme për Garcian.

Atleti nga Madridi ka thënë para Lojërave të Tokios se është gati për pensionim.

“Lojërat Olimpike janë përvojë unike dhe natyrisht të gjithë duan t’i shijojnë ato. Unë kam pasur fatin të jem pjesë e tyre shumë herë. Ndiej se jam pjesë e një gjëje historike”.

Ai ka pranuar se pasi shumë herë kishte mbetur pa medalje, fokusi në një mënyrë i ishte larguar nga podiumi.

“Kur isha i ri isha shumë impulsiv. Kur isha me përvojë më ka munguar rinia”, ka thënë Garcia para garës. “Tetë edicione të Lojërave janë mjaftueshëm. Kam dashur të përjetoja edhe një herë magjinë olimpike dhe më pas të pensionohem dhe të vazhdoj jetë më të qetë, më të relaksuar”, ka theksuar Garcia.

Kjo do të thotë se ai nuk do sfidojë rekordin për më së shumti paraqitje në Lojërat Olimpike Verore, që e mban kanadezi Ian Millar. Ai ka garuar në dhjetë edicione të Lojërave, nga viti 1972 e deri në vitin 2012. Ka garuar në një prej disiplinave të kalërimit.

Duke e ditur se “Tokio 2020” do të jetë Olimpiada e fundit, Garcia ka shfrytëzuar shtyrjen njëvjeçare si avantazh. Është shkolluar për trajner.

“Tashmë po ushtroj të rinjtë dhe po ndihem shumë komod duke shikuar për talente të këtij sporti që më ka dhënë kaq shumë”, ka thënë Garcia.