Tokio 2020

Francezi Da Costa, karateisti i parë me medalje të artë olimpike

Descriptive Text

Steven Da Costa i Francës është bërë kampioni i parë olimpik në karate, pasi ka mposhtur turkun Eray Samdan në finale të kategorisë deri 67 kilogramë.

Kampioni në fuqi i botës ka fituar titullin pasi sporti i karatesë është kthyer në rrënjët e tij për të debutuar në Tokio 2020. Gara e karatesë po mbahet në Nippon Budokan, ku u zhvilluan edhe garat e xhudos.

Da Costa fitoi të artën duke e mposhtur turkun me rezultatin 5:0.

24-vjeçari ishte prej shpresave të mëdha të Francës për medalje në karate dhe nuk ka dëshpëruar. Ai ka dominuar ndaj kampionit të Evropës, turkut Samdan.

Karate është një prej katër sporteve që ka debutuar në Lojërat e Tokios.

Tashmë janë ndarë titujt edhe në dy kategori te karateistet. Sandra Sanchez e Spanjës ka fituar në kata, ndërsa Ivet Goranova e Bullgarisë në luftëra në kategorinë deri 55 kilogramë.