Tokio 2020

Italiani Stano thyen zemrat e japonezëve me të artën në ecjen sportive në 20 kilometra

Në kushte mbytëse, Massimo Stano i Italisë e kaloi vijën e finishit në parkun “Sapporo Odori” me një ulërimë pasi fitoi garën për meshkuj në 20 kilometra ecje sportive përpara çiftit japonez Koki Ikeda dhe Toshikazu Yamanishi, të cilët fituan medaljen e argjendtë, përkatësisht të bronztë.

Në një gjest sportiv, Stano priti në vijën e finishit për të uruar dyshen japoneze me të cilët e kishte kaluar pjesën më të madhe të garës në krye të grupit.

Gara erdhi në jetë në orën e fundit kur shtatë garues u shkëputën, duke e ditur se fituesit e medaljeve do të dilnin nga ky grup. Ishin dy spanjollë, dy japonezë, dy kinezë dhe Massimo, italiani i vetëm, por ai kishte mbështetje nga bashkatdhetari Francesco Fortunato, i cili kur u tejkalua nga Stano e përkrahi me brohoritje. Spanjolli Alvaro Martin doli i katërti, me bashkatdhetarin Diego Garcia që përfundoi i gjashti, gjermani Christopher Linke përfundoi i pestë, ndërsa kinezët Kaihua Wang dhe Jun Zhang ndanë pozitat shtatë dhe tetë. Britaniku Callum Wilkinson, doli i dhjetë në këtë garë.