Tokio 2020

Australia kundër SHBA-së për medaljen e parë në futboll

Përfaqësuesja e femrave e Australisë në futboll tashmë ka shkruar historinë në Lojërat e Tokios.

Tani ato duan më shumë.

Australianet arritën në raundin e medaljeve për herën e parë ndonjëherë në Lojëra Olimpike. Ato do të ballafaqohen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kashima të enjten për medaljen e bronztë.

Australia nuk e ka synimin që të kthehet në shtëpi duarthatë. Do të jetë nikoqire e Kupës së Botës për femra në vitin 2023.

Amerikanet nga ana tjetër po shpresojnë që të paktën të fitojnë ndonjë medalje, në garën të cilën e kanë vlerësuar si jo shumë të suksesshme.

Australia dhe SHBA-ja janë takuar në Olimpiadë sivjet. Kanë barazuar pa gola në ndeshjen e fundit të grupit.

Australia madje ishte ekipi i vetëm që i ka shënuar Suedisë, që kërkon medalje të artë kundër Kanadasë të premten.

Sulmuesja australiane, Sam Kerr, ende është golashënuesja më e mirë e turneut me pesë gola.