Tokio 2020

Kthehen dyshimet për doping pas triumfit të notarëve rusë

Descriptive Text

Pasi humbi nga notarët rusë në dy gara në Lojërat Olimpike, ylli amerikan i notit në disiplinën e shpinës Ryan Murphy tha të premten se dopingu mbetet një problem i madh në këtë sport dhe ai e pyeti veten nëse të gjithë konkurrentët e tij janë të pastër. Dukej se synonte një vend që ka shkelur vazhdimisht rregullat e dopingut. Murphy zbuloi zhgënjimin e tij pasi mori medaljen e argjendtë pas Evgeny Rylov në 200 metra shpinë. Kjo erdhi tri ditë pasi Murphy – që ishte fantastik në Rio – e fitoi të bronztën në 100 metra shpinë. Në atë garë, amerikani përfundoi pas një Rylovit dhe një notari tjetër rus, Kliment Kolesnikovit.

“Është një rrjedhje e madhe mendore për mua të dëgjoj se ne po notojmë në një garë që ndoshta nuk është e pastër”, tha Murphy. “Kjo është ajo që është dhe mendimi im”.

Por më vonë, në një konferencë shtypi me medalistët e tjerë, Rylovin dhe fituesin e vendit të tretë, britanikun Luke Greenbank, Murphy tha se nuk po e akuzonte rusin për doping.

“Duhet të jem i qartë”, tha ai. “Synimi im nuk është të bëj asnjë akuzë këtu. Urime Evgeny, urime Luke! Ata të dy bënë një punë të jashtëzakonshme. Ata të dy janë notarë shumë të talentuar. Ata të dy stërviten shumë dhe kanë një teknikë të shkëlqyer”.

Rylov, i cili ka qenë prej kohësh një nga notarët më të mirë në botë në shpinë, mohoi të jetë përfshirë në ndonjë skemë dopingu.

“Unë kam qenë gjithmonë për konkurrencë të pastër”, tha ai përmes një përkthyesi. “Ne jemi testuar. Unë plotësoj të gjithë formularët. Kjo është për sportet e pastra. Unë ia kam kushtuar tërë jetën time këtij sporti”.

Rylov nuk ndihej sikur ishte objektivi i zhgënjimit të Murphy, edhe pasi e mundi dy herë në Tokio. Rusi është një kampion botëror dy herë në 200 metra shpinë, dhe ai gjithashtu ishte fantastik në 100 dhe 200 metra në kampionatet në vitin 2019.

“Ryan ka të gjithë të drejtën të mendojë ashtu. Ai nuk më akuzoi për asgjë. Kjo është arsyeja që unë nuk kam asgjë kundër tij”, insistoi Rylov.

Rusia ka qenë objektivi më i spikatur i lëvizjes anti-doping pas zbulimeve se ajo nisi një program masiv të sponsorizuar nga shteti për t’i ndihmuar sportistët e dopinguar përpara lojërave olimpike dimërore “Sochi 2014”. Vendi u detyrua të dërgonte skuadra të “varfra” në dy olimpiadat e fundit, dhe ata që garuan në lojërat dimërore “Pyeongchang 2018” u quajtën OAR - Atletët Olimpikë nga Rusia. Pastaj, pikërisht kur Rusia dukej se po i rregullonte marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botës, me shumë anomali dolën dosjet nga laboratori anti-doping i Moskës. Hetuesit nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA), zbuluan se provat ishin fshirë dhe informacione të rreme ishin shtuar, përfshirë mesazhe të rreme të dizajnuara për të njollosur emrin e dëshmitarit të yllit të WADA-s, ish-drejtori i laboratorit, Grigory Rodchenkovit. Zbulimet e reja rezultuan me një sanksion katërvjeçar kundër vendit, por Rusia mohoi çdo keqbërje dhe dënimi u përgjysmua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Shumica e sportistëve rusë u lejuan të garonin në Tokio, edhe pse ata përfaqësojnë zyrtarisht Komitetin Olimpik të Rusisë - jo vendin e tyre. Kritikët kanë theksuar se dënimit i mungon ndonjë masë e vërtetë, pasi ekipet ruse janë të veshura me ngjyra të plota kombëtare. Flamuri i tyre është i ndaluar dhe himni i tyre kombëtar nuk mund të luhet gjatë ceremonive të medaljeve, por ata marrin muzikë nga kompozitori rus Çajkovski. Dy notarëve rusë, Alexandr Kudashevit dhe Veronika Andrusenkos, fillimisht iu ndalua paraqitja në Lojërat Olimpike të Tokios nga organi drejtues botëror i notit (FINA), për shkak të provave të mbledhura nga laboratori i Moskës. Por vetëm disa ditë para ceremonisë hapëse, CAS-i i lejoi të dy notarët të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike. Andrusenko ka garuar në katër ngjarje në Tokio, ndërsa Kudashev ka marrë pjesë në dy gara. Asnjëri nuk fitoi medalje. Pas fitores së tij në 200 metra në përzierje individuale, Wang Shun i Kinës u pyet për çështjen e dopingut. Notarët e vendit të tij u përfshinë në një skandal masiv dopingu në vitet 1990, dhe notari më i njohur i Kinës, Sun Yang, u ndalua nga Lojërat e Tokios për shkak të një shkeljeje të dopingut.

“Kinezët janë kundër dopingut”, tha Wang përmes një përkthyesi. “Ne miratojmë një tolerancë zero ndaj kësaj”.

I pyetur nëse dënimet kundër rusëve ishin të mjaftueshme, Murphy pranoi në njëfarë mënyre se ato ishin shumë të buta.

“Kur bëra një pyetje të tillë më lindën 15 mendime të ndryshme - dhe 13 prej tyre do të më fusnin në shumë telashe. Unë besoj se ka doping në not”, u shpreh Murphy.