Tokio 2020

Treshja amerikane lë prapa serinë finale të NBA-së, fokusohet te medalja e artë olimpike

Kishte mjaft kohë për të folur në lidhje me të, po të kishin dashur ata. Devin Booker, Jrue Holiday dhe Khris Middleton ishin së bashku në një aeroplan për në Tokio, vetëm disa ditë pasi kishin luajtur ndeshjet e serisë finale të NBA-së. Ata kishin afërsisht nëntë orë në ajër për të përkujtuar detajet e asaj serie, për të rishikuar disa nga momentet e tyre të paharrueshme. Booker dhe Middleton, të dy kishin ndeshje me nga 40 pikë të shënuara gjatë serisë finale. Ndërsa Holiday dha një pikë të rëndësishme, që do të mbahet në mend për shumë vite te Milwaukee Bucks. Pra, me gjithë atë kohë të kaluar gjatë rrugës për në Lojërat Olimpike, sa u fol për serinë finale të NBA-së?

“Më të vërtetë, nuk folëm fare. Ne të gjithë e respektojmë njëri-tjetrin”, zbuloi Middleton. “Ishte një rrugë e gjatë, por ne me padurim prisnim t’i bashkoheshim ekipit dhe ta ndihmonim në synimin që kishte. Të ulesh atje dhe të flasësh për finalet nuk ishte diçka që i shkonte mendja dikujt”.

Seria finale përfundoi të martën e kaluar, kur Bucks fituan ndeshjen e gjashtë për ta fituar titullin e kampionit përballë Phoenix Sunsit të Bookerit. Middleton dhe Holiday morën pjesë në paradën për ta festuar titullin e Milwaukeet të enjten, e më pas fluturuan të nesërmen për në Seattle, ku u takuan me Bookerin.

Kështu që, duke pasur parasysh se ndeshja e parë e SHBA-së në Lojërat Olimpike të Tokios për më pak se 24 orë pasi ata aterruan në Japoni, fluturimi ishte për pushimin e vetëm që treshja e basketbollistëve do ta shfrytëzonte pas dy javëve rraskapitëse të serisë finale të NBA-së.

“Ne pothuajse gjatë tërë fluturimit kemi fjetur, sepse ishim të rraskapitur”, tha Holiday.

Booker nuk mund të fajësohet nëse nuk dëshiron të flasë me dy lojtarë që kanë qenë përgjegjës për prishjen e ëndrrave të tij në NBA. Por, ai përsëriti se mund të punonte me ta, ashtu siç mund të kishte fituar me Phoenixin.

“E kam thënë gjatë serisë finale kur m’u bë kjo pyetje. Unë kam shumë respekt për ata djem dhe kur konkurroni në nivelin më të lartë, nuk shkon gjithmonë sipas dëshirës suaj”, shtoi Booker. “Tani jemi me ekipin amerikan dhe së bashku do të luftojmë për medaljen e artë. Kjo ka rëndësi”.

Kjo nuk është gjithmonë e lehtë kur lojtarët duhet të shndërrohen shpejt nga armiq në miq. Kur Kevin Durant bëri debutimin e tij olimpik në vitin 2012, ai pranoi vështirësinë për të parë LeBron Jamesin çdo ditë aq shpejt pasi Miami mundi Oklahoma Cityt në serinë finale të NBA-së, atë vit. Booker nuk e ka harruar zhgënjimin e tij, por ai nuk po e mban inatin kundër shokëve të tij të rinj të skuadrës - edhe pasi Holiday ia vodhi topin dhe asistoi për Giannis Antetokounmpon në momentet e fundit të lojës së pestë për t’i dhënë epërsinë Milwaukeet në serinë finale.

“Ne humbëm dhe kaq, dhe unë jam mjaftueshëm i rritur për ta pranuar atë dhe për të vazhduar përpara”, tha Booker. "Pra, nuk kam urrejtje ndaj Holidayt dhe Middletonit”.

Për më tepër, kishte shqetësime shumë më të mëdha. Ekzistonte një ankth për çdo sportist që udhëtonte në Tokio, duke e pyetur veten se si do të funksionin gjërat në Lojërat Olimpike. Kjo është ngritur edhe më shumë këtë vit, me protokolle të rrepta shëndetësore për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tre amerikanët duhej të shqetësoheshin për këtë, ndërsa e dinin se do të duhej të luanin në një lojë pa u stërvitur fare me ekipin e tyre, apo edhe të gjuanin shumë me topin e basketbollit ndërkombëtar, që është shumë më ndryshe se ai prej lëkure i përdorur në NBA.

“Nëse do të kishim disa javë për t'u përgatitur pak, unë mendoj se do të ishim mësuar më shumë, por ta ndiejmë atë për herë të parë në ditën e lojës ishte pa dyshim një vështirësi”, tha Booker.

Nuk ishte problem për Holidayn, i cili udhëhoqi amerikanët me 18 pikë në humbjen e tyre 83:76 ndaj Francës. Booker shënoi një herë prej gjashtë tentimeve, kurse Middleton dështoi në dy tentimet e tij.

Por me disa ditë pushim dhe stërvitje, trajneri i SHBA-së, Gregg Popovich transferoi Holidayn dhe Bookerin në pesëshen e parë të mërkurën. Booker kishte 16 pikë, Middleton shënoi 10 dhe Holiday bëri një lojë tjetër të fortë në fitoren e thellë 120:66 ndaj Iranit. Humbja e ndeshjes së parë në Olimpiadë mund t'i bëjë gjërat më të vështira për amerikanët, por Middleton dhe Holiday dinë si të dalin nga situatat e tilla. Milwaukee e fitoi titullin e kampionit të NBA-së, pavarësisht që dy ndeshjet e para të serisë finale i humbi nga Poenixi. Amerikanët, të cilët kurrë nuk e kishin ekipin e tyre të plotë deri në prag të ndeshjes së parë, e dinin se rruga për te medalja e artë në Lojërat Olimpike nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Pra, e kemi humbur ndeshjen e parë, por nuk shqetësohem shumë. Nuk do të jetë lehtë, por jemi të vendosur ta fitojmë medaljen e artë. Për këtë edhe i jam bashkuar ekipit pak ditë pasi fitova titullin me Milwaukeen”, insistoi Holiday.