Tokio 2020

Medalja olimpike i shpëton koreano-jugorët nga shërbimi ushtarak

Descriptive Text

Ata vazhdojnë t'i thonë vetes se Lojërat Olimpike nuk ndryshojnë nga asnjë turne tjetër golfi, sepse gjithçka tjetër do t’i bënte më të vështira gjërat për Sungjae Im dhe Si Woo Kim.

Tashmë është e vështirë të injorosh përfitimet e fitimit të një medaljeje olimpike. Dhe nëse ndonjëri nga koreano-jugorët e gjen veten në garë për medalje të dielën pasdite në “Kasumigaseki Country Club”, do të jetë e pamundur të injorohet një markë presioni që asnjë lojtar tjetër në fushën e 60 personave nuk mund ta vlerësojë. Një medalje olimpike është bileta e tyre e vetme për të shpëtuar nga shërbimi ushtarak dyvjeçar.

“E di që është e vërtetë që nëse fitojmë një medalje qeveria koreane do të na përjashtojë nga shërbimi ushtarak”, tha Kim përmes një përkthyesi. “Por, unë në të vërtetë nuk përqendrohem ose mendoj për shërbimin në ushtri. Qëllimi im i vetëm është të fitoj kampionatin dhe të marr një medalje dhe të jem i nderuar”.

Lojërat Olimpike të Tokios mund të mos jenë shansi i tyre i fundit. Të dy golifstët janë mjaft të rinj - Im është 23 vjeç, Kim është 26 vjeç- dhe ata mund të kenë një tjetër rast për medalje olimpike në Paris pas tre vjetësh. Por kjo varet nëse ata arrijnë të kualifikohen. Kim ishte në një garë të ngushtë me K.H. Lee për vendin e dytë në kualifikimin olimpik që nuk ishte vendosur deri në javën e fundit.

Të dy gjithashtu e dinë efektin e largimit nga loja për dy vjet. Sangmoon Bae, i cili ka fituar dy herë turneun “PGA Tour”, luajti në Kupën e Presidentëve në vitin 2015 para një turme vendase në Korenë e Jugut. Kjo ishte ngjarja e tij e fundit para se të duhej të regjistrohej për ngjarjet e tjera. Bae fitoi një ngjarje “Korn Ferry Tour”, një vit pasi ai u eliminua për të fituar përsëri kartën e tij të plotë. Qe atëherë, ai ka humbur më shumë se gjysmën e turneve të tij dhe është i ranguar si i 958 në botë.

“Kam humbur ndjenjën se si të luaj golf. Në fakt, kam harruar si të luaj golf”, pranoi Bae.

Seung-yul Noh, një tjetër fitues i “PGA Tour”, filloi karrierën e tij dyvjeçare në vitin 2018. Që nga kthimi i tij - gjashtë ngjarje para se pandemia COVID-19 të mbyllte golfin për tre muaj - ai ia ka dalë të marrë pjesë në 14 turne, ku vetëm në njërin ka përfunduar në mesin e 50 të parëve. Kështu që Lojërat Olimpik nuk janë vetëm një turne për golfistët Im dhe Kim. Në fakt, Olimpiada është shumë e rëndësishme për të dy, duke pasur parasysh se ata u tërhoqën nga “British Open” për t'u përgatitur për turneun olimpik, i cili nis të enjten. Im fluturoi në shtëpi në Korenë e Jugut më 14 korrik dhe u kthye në Tokio nëntë ditë më vonë. Ai donte të përshtatej me ndryshimin e kohës nga SHBA-ja.

“Unë përqendrohem dhe mendoj vetëm për t’i fituar lojërat, jo për problemin ushtarak”, tha Im.

Për lojtarët e Koresë së Jugut, përjashtimi i vetëm tjetër nga ushtria është një medalja e artë në Lojërat Aziatike. Por kjo është vetëm për amatorët. Ndërsa një turne i madh do të ishte i mjaftueshëm për të dalë nga ushtria, ende nuk dihet, sepse nuk ka ndodhur. Y.E. Yang kishte shërbyer tashmë shërbimin ushtarak para se të mundte Tiger Woodsin në kampionatin e vitit 2009 në Hazeltine.

Sipas magazinës “Golf Digest”, Qeveria e Koresë së Jugut bëri një përjashtim për ekipin kombëtar të futbollit në Kampionatin Botëror të vitit 2002, të organizuar nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Ekipi do të shmangte shërbimin ushtarak nëse do të arrinte në 1/8 e finales. Mirëpo Koreja e Jugut shkoi deri në gjysmëfinale. Ekipit kombëtar të bejsbollit në “Wolrd Baseball Classic” në vitin 2006 iu ofrua një përjashtim nga shërbimi ushtarak për të arritur në gjysmëfinale. Koreja e Jugut përfundoi e treta.

Im do të kishte një shans realist për të shmangur shërbimin ushtarak nëse do të përfundonte në tri vendet e para të çdo turneu. Pasi kaloi dy vjet në turneun “Golf Tour” në Japoni, ai bëri një përshtypje të menjëhershme me një fitore dhe një vend të dytë për të filluar vitin në “Korn Ferry Tour”. Ai shkoi 3-1-1 në debutimin e tij në Kupën e Presidentëve në vitin 2019 - duke luajtur me tre partnerë - dhe fitoi në “Honda Classic” një vit më vonë.

“Unë kam përvojë duke luajtur në Japoni për dy vjet”, tha Im. "Dhe për shkak se kam përvojë, atëherë kam gjasa për medalje në Lojërat Olimpike. Ndihem shumë i qetë, dhe nuk kam presion. Kam besimin në veten dhe me padurim pres fillimin e turneut”.

Në disa aspekte, Kim është me fat të jetë edhe në Japoni. Ai është i njohur më së miri për fitoren në Kampionatin e Lojtarëve në vitin 2017 - një vit pas Lojërave Olimpike të Rios - në moshën 21-vjeçare. Por ai po rrëshqiste në renditjen botërore kur pandemia goditi dhe shtyu Olimpiadën e Tokios. Kjo në të vërtetë e ndihmoi atë. Kim fitoi turneun “The American Express” në shkretëtirën e Kalifornisë në janar për t'u rikthyer në top 50 në renditjen botërore për herë të parë që nga viti 2018, dhe aty po qëndron ende.

"Për shkak të situatës me koronavirusin, renditja ime ishte pak më e ulët”, tha Kim. “Qëllimi ishte të punoja shumë dhe të kthehesha, në mënyrë që të mund të bashkohesha me ekipin këtë vit në Lojërat Olimpike”.