Tokio 2020

Kuka: Një lagje e vogël e Kosovës i ka treguar botës se mund të shtyhet me superfuqi

Trajneri i Kosovës në xhudo Driton Kuka ka thënë se pas medaljes së artë të Distria Krasniqit, e ka pritur që një prej xhudistëve tjerë të futet në zonë të medaljes.

Kuka ka thënë se një lagje e vogël e Kosovës i ka treguar botës se me përkushtim e me punë mundet me u shty me superfuqi.

“Është rezultati më i mirë që kam mundur të mendoj në jetën time. Disi e Nora i kanë mposhtur japonezet midis Japonisë, për dy medalje të arta. Është rezultati më i mirë që kam mundur të mendoj në jetën time. Në çdo garë të madhe elitare, çdo medalje, edhe e bronztë për Kosovën është rezultat i madh. Kur e them këtë, çfarë të mendoj kur kanë ardhur dy medalje të arta olimpike, e bashkangjit këtu edhe të artën e Majlindës. Një lagje e vogël e Kosovës i ka treguar botës se me punë e përkushtim mundet me u shty me superfuqi. Kënaqësi e veçantë”, ka thënë Kuka për KTV-në. “Vlen të ceket edhe përformanca e Akilit, që hyri te zona e medaljeve e me pak fat mund të fitonte medalja. Shpresojmë që Loriana të jetë në ditën më të mirë, që në atdheun tonë, Kosovën tonë, trojet tona shqiptare, t’i sjellim medaljet më të vlefshme. Për t’i treguar botës se populli i Kosovës, shqiptarët e Kosovës e kanë merituar lirinë, është çmimi i krejt sakrificës që e kanë bërë njerëzit që kanë dhënë jetën për lirinë. E tash shini se çfarë po ndodh me të rinjtë e të rejat tona, si në sport, muzikë ashtu edhe fusha tjera. Urime gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo më bën të ndihem mirë”, tha Kuka.

Kuka ka shfrytëzuar rastin për të ngushëlluar familjet e viktimave të aksidentit në Slavonski Brod të Kroacisë të dielën, ku vdiqën 10 persona e u lënduan mbi 40. Në Slavonski Brod u vetaksidentua autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë.

“E kisha shfrytëzu rastin t’i ngushëllojë familjet e viktimave të aksidentit në Kroaci. Shpërtirësisht kemi qenë të thyer, e kjo e ka zbehur festën e fitores së Norës. E gjithë atyre të lënduarve i uroj shërim të shpejt, të kthehen te familjet e tyre. Shpresoj të mos përsëritet më”.

 

Driton Kuka flet pas triumfit të Nora Gjakovës

Posted by Koha.net on Monday, July 26, 2021